“Duam siguri kudo!”

23 Mar 2012

Sot në mbështetje të OVL-së (Organizata e Veteranëve të Luftës), të disa subjekteve politike, Këshillit të Nxënësve, Këshillet studentore të Fakultetit të Edukimit, Juridikut dhe Ekonomikut, grupeve të tifozëve të “Dritës” dhe të “Gjilanit” ishin në marshin paqësor, duke ecur nga rruga e “Kompleksit të shkollave të mesme” e deri në afërsi të Gjykatës dhe Prokurorisë së Qarkut në Gjilan, me parullën kryesore: “Duam siguri kudo”, pas rastit tragjik në një lagje të Gjilanit dhe raportit shqetësues të policisë mbi rritjen alarmante të vjedhjeve.


Përmes këtij marshi, qytetarët e Gjilanit shprehën zemërimin e tyre me neglizhencën e institucioneve të drejtësisë dhe mekanizmave të tjerë relevantë kundrejt krimit, vjedhjes dhe veprave të tjera të rënda, duke kërkuar nga organet e sigurisë, duke filluar nga policia, e veçmas kërkojnë nga prokuroria të bëjë hetime rigoroze, profesionale dhe të guximshme, si dhe kërkojnë nga Gjykata që të marrë vendime, për t’u zbatuar sundimi i ligjit për të gjithë dhe qytetarët ta ndjejnë sigurinë e tyre kudo, qoftë në shtëpitë e tyre, pronat private, pronat e publike, në shkolla, në ambiente të punës, e të ngjashme.


Qytetarët e Gjilanit kërkuan sundimin e ligjit nga të gjithë, duke i thënë “Ndal krimit në qytetin tonë!” dhe “Prokurori guxo, gjykatë vepro!”, për t’i ndjekur rastet me seriozitetin më të lartë dhe me përgjegjësinë e dhënë ligjore. Marshi ishte kritikë ndaj proceseve zhvillimore të pushtetit gjyqësor, duke apeluar për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë njerëzore dhe të pronës, kudo, për të gjithë qytetarët e Gjilanit dhe të Kosovës. Ky marsh ishte për ta shprehur tërë panikun qytetar me rritjen e numrit të madh të vjedhjeve dhe veprave të tjera të rënda në Gjilan, por edhe për të dërguar mesazhin se trajtimi i këtyre rasteve nga gjyqësia nuk është fare i kënaqshëm dhe duhet shumë më shumë angazhim, vullnet dhe guxim për t’i aplikuar ligjet në fuqi.


Po ashtu, qytetarët e Gjilanit e shprehën shqetësimin e tyre për perspektivën pesimiste dhe papunësinë në rritje të rinisë, e cila po futet në rrugën e kriminalitetit dhe formimin e dobët të tyre në frymën e paqes, angazhimit, dobishmërisë shoqërore, arsimimit dhe vlerave humane. Si rezultat, do të jetë shkatërrimi i solidaritetit, harmonisë dhe mirëkuptimit. Me këtë qasje të gjyqësorit, viktima e nesërme mund të jetë secili prej nesh, në vullnetin e keqbërësve. Prandaj, kësaj duhet t’i themi stop sa më parë.





Lëvizja VETËVENDOSJE!   Qendra Gjilan

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera