Heshtja e komunës së Deçanit për shkatërrimin masiv të pyjeve

22 Mar 2012

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Deçan, duke u nisur nga premtimet e atëhershme të kandidatit për kryetar komune dhe kryetarit të sotëm të komunës së Deçanit z. Rasim Selmanaj “Zgjidhjen në afat ligjor të kërkesave të qytetarëve drejtuar administratës dhe transparencë të plotë”, vëren që këto deklarata paskan qenë për konsum elektoral.


Qendra në Deçan ka dërguar rreth 15 kërkesa të bazuara në ligjin “Për qasje në dokumentet publike”, drejtuar kryetarit i kësaj komune dhe drejtorisë përkatëse. Nga të gjitha kërkesat e drejtuara, në kohë, kemi marrë përgjigje vetëm nga dy drejtori. Ndërsa nga tre drejtori të tjera, kemi marrë vetëm përgjigje sipërfaqësore. Nga kryetari dhe nga të tjerët nuk kemi mundur të kemi qasje.


Lëvizja VETËVENDOSJE! qendra e Deçanit ka shprehur shqetësimet e saj edhe më herët për shkatërrimin masiv të pyjeve në Komunën e Deçanit, të cilat janë një pasuri kombëtare e për të cilën drejtoria përkatëse dhe komuna, me keqmenaxhimin e tyre kanë shkaktuar dëm të parikuperueshëm në këto pyje.


Në bazë të kërkesës tonë drejtuar Drejtorisë për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural, të datës 17.11.2011 me nr. Protokolli 6424,  “Për dhënien e tenderëve për shfrytëzimin e masës drusore gjatë periudhës Janar 2010- Nëntor 2011”, kemi marrë përgjigje vetëm për 1/3 e masës drusore të tenderuar nga kjo drejtori. Sipas kësaj drejtorie del se, të shfrytëzuar nga pyjet e kësaj komune janë vetëm 3445.2 m3 dru zjarri, dhe 2413.4 m3 dru teknik.


Nga çfarë kemi hulumtuar ne, nga kjo drejtori janë dhënë tenderë për shfrytëzim të masës drusore rreth 4470.99 m3 dru zjarri dhe 9874.47 m3 dru teknik.


Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, domethënë e shkatërrimit të pyjeve në letra, për të cilën është mbajtur edhe një takim nga kryetari i komunës z. Rasim Selmanaj dhe drejtorisë për administratë të përgjithshme, për shpalljen e Moratoriumit, me qëllim të mbrojtjes së pyjeve më datë 18 Janar 2012  ku, z. Selmanaj është shprehur: “Ky është një sistem i krimit të organizuar”. Nëse qenka krim i organizuar, për të cilën, pajtohemi plotësisht, kryetari duhet të deklarojë kush qëndron mbas këtij krimi apo kush është në ballë të tij, nëse është në dijeni, dhe duhet ta paraqesë sa më parë në prokurori rastin.


Mbi bazën e shqetësimeve tona dhe të indinjatës së thellë të qytetarëve të Komunës se Deçanit për shkatërrimin dhe mosveprimin në kohë të institucioneve përkatëse të pushtetit komunal për mbrojtjen e pyjeve si resursi parësor i pasurisë së kësaj popullsie që jeton në këtë territor, ne kërkojmë angazhimin sa më të shpejtë dhe sa me transparent të përfaqësuesve të institucioneve qeveritare për marrjen e masave urgjente për zgjidhjen e kësaj situate.


Po ashtu i bëjmë thirrje komisionit për Komisioni për bujqësi, pylltari, mjedis dhe planifikim hapësinor, të Kuvendit të Kosovës që të ngrejë një grup pune për ta hetuar rastin me Ministrinë përgjegjëse si dhe me Komunën.





Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra e Deçanit

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera