Nga Tubimi në Smallushë të Lipjanit: Fusnota në shërbim të Serbisë

08 Mar 2012

Marrëveshja e fundit në mes të qeverisë së Kosovës dhe Serbisë nuk do ta ndihmojë në asnjë mënyrë Republikën e Kosovës por përkundrazi, i ka hapur rrugë shtetit të Serbisë. Kjo u tha ndër të tjera në tubimin e organizuar të mërkurën (7 mars 2012) nga Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Lipjan, me banorët e fshatit Smallushë të kësaj komune.


 “Pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008, Kosova në shumicën e rasteve ka marrë pjesë si shtet në nismat dhe takimet rajonale, pra kjo gjë nuk ka qenë problem edhe aq i madh për ne. Ka qenë pikërisht Serbia ajo që, në shenjë proteste, nuk merrte pjesë në këto nisma”, tha ndër të tjera në këtë tubim drejtuesi i grupit parlamentar të VETËVENDOSJE!-s, Visar Ymeri. “Pikërisht me marrëveshjen e fundit, Serbisë i janë hapur rrugët që të marrë pjesë në këto nisma duke e imponuar në to qëndrimin e saj, se Kosova është një territor i Serbisë me status ende të papërcaktuar ”, vazhdoi ai.


Tubimi i mbajtur në Smallushë filloi në orën 19:00 dhe zgjati rreth 2 orë. Qytetarët pjesëmarrës shprehën shqetësimet e tyre mbi situatën politike në vend duke deklaruar ndër të tjera se me këtë lloj të qeverisjes, në Kosovë jo vetëm që aktualisht gjendja politike, ekonomike e sociale është tejet e rëndë, por edhe shpresa që një ditë mund të bëhet më mirë janë shuar përfundimisht. Shteti nuk po funksionon në asnjë fushë të tij: kemi degradim në politikë, korrupsion, rënie ekonomike, rritje të papunësisë – këto po na i ofron qeverisja.


Visar Ymeri më tutje tha se qeveria e ka shndërruar shtetin tonë në një shtet në shërbim dhe në mbrojtje të të pasurve përkundër varfërisë që po e rëndon, përherë e më shumë, shumicën e popullsisë. “Niveli i tatimeve është i njëjtë sikur për mësuesin e varfër ashtu edhe për biznesmenin milioner. Shkatërrimi gjithnjë e më i madh i sistemit publik shëndetësor dhe atij arsimor, po i jep përparësi të madhe arsimit dhe shëndetësisë private – të cilat mund të përballohen ekonomikisht vetëm nga ata që kanë para – duke përjashtuar nga e drejta për shërbime shëndetësore dhe arsim cilësor të gjithë ata që s’kanë”, tha Ymeri.


Që nga fillimi i fushatës së tubimeve në fshatrat dhe lagjet e Kosovës, në tetor të vitit të kaluar, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka organizuar rreth 160 tubime të tilla, përmes së cilave është njohur me problemet dhe shqetësimet e qytetarëve të Kosovës gjithandej vendit. Këto tubime do të vazhdojnë edhe më tutje, në funksion të organizimit dhe mobilizimit qytetar kundër degradimit të mëtutjeshëm të shtetit tonë dhe për ndryshim rrënjësor të situatës në Kosovë.





Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera