Nga tubimi në Dumnicë të Besianës

01 Mar 2012

Sot, më 29 shkurt, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tubim me qytetarë të fshatit Dumnicë të komunës së Besianës, tubimi u mbajt në odën e Ibrahim Islamit.


Nga Prishtina në tubim ishin prezent Albin Kurti, Dardan Molliqaj (Sekretar Organizativ), Salih Zyba (Anëtar Kryesie) dhe Xhelal Sveçla (Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë), ndërsa nga Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë ishin Ali Lahu (Kryetar i Qendrës) dhe Blerim Maqastena (Sekretar Organizativ i Qendrës).


Albin Kurti e shpjegoi gjerësisht se çfarë do të thotë vendosja e fusnotës në vend të Republikës për shtetin e Kosovës. Ai tha se “qeveria deklaron që kjo marrëveshje do na e sjellë integrimin në BE, por integrimi ndodh duke u bërë si shtetet e tjera perëndimore, e jo duke u bërë si asnjë shtet tjetër, pra shtet me fusnotë”. Përveç për fusnotën, gjatë këtij tubimi u bisedua edhe për tema të tjera, duke përfshirë këtu prodhimin si shtyllë kryesore të ekonomisë së një shteti, veriu i vendit dhe se si duhet përqendruar 90% e energjisë politike në bashkimin e Mitrovicës, si dhe shumë tema të tjera aktuale politike.


Xhelal Sveçla i njoftoi pjesëmarrësit për situatën e krijuar në Maqedoni pas vrasjes së dy shqiptarëve, pasi që kishte qenë për vizitë tek familjet si dhe në varrimin e dy shqiptarëve të vrarë.


Qytetarët pjesëmarrës zhvilluan një debat të mirëfilltë dhe e cekën që qeveria aktuale përbuzë çdo element kombëtar shqiptar.


Pjesëmarrësit në tubim ishin të mendimit se qeverisja duhet të ndërrojë në mënyrë që gjërat në Kosovë të fillojnë të përmirësohen. Mobilizimi qytetar duhet të rritet edhe më tej dhe aktivitetet duhet të shtohen edhe më shumë për të arritur qëllimet politike të cilat kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës si shtet i pavarur, sovran dhe i zhvilluar.





Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera