Të gjithë realizojnë interesat e tyre, Hashim Thaçi të Serbisë

26 Feb 2012

Marrëveshja e nënshkruar dje në Bruksel nga përfaqësuesit e Kryeministrit të Kosovës dhe përfaqësuesve të Republikës së Serbisë është një sukses për Serbinë dhe  humbje e madhe për Kosovën. Kryeministri, me vendimin e djeshëm hynë në një radhë me Veli Devën dhe Sinan Hasanin duke e kthyer pozitën e Kosovës në kornizat e kushtetutës së vitit 1974. Kjo është diktaturë mbi ligjin dhe kushtetutën dhe tradhti ndaj interesave kombëtare.


Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Faton Topalli, Qendra në Ferizaj, në konferencën e sotshme për shtyp deklaroi mes të tjerash se politikanët e huaj dhe shtypi botëror e ka cilësuar këtë marrëveshje si një fitore të madhe për Serbinë. Afrimi i qëndrimeve të të dy shteteve rreth statusit të Kosovës ka qen  kusht i Bashkësisë Evropiane  për Serbinë për t’i  dhënë asaj statutin e kandidatit.


Sipas marrëveshjes Serbia i lejon Kosovës të drejtën e përfaqësimit të sajë në forume rajonale dhe të nënshkrimit të marrëveshjeve.


Tadiç thotë që Kosova nuk  do të përfaqësohet si shtet. Marrëveshja është interes i lartë nacional serb. Fusnota 1244 i garanton Serbisë sovranitetin mbi Kosovën. Serbia ka interes për këtë marrëveshje sepse i ndihmon Serbisë që përmes iniciativave rajonale të rris ndikimin e saj ekonomik dhe politik mbi krahinën e Kosovës. Serbia ka vepruar mbi bazën e Kushtetutës së sajë.


Se si përfaqësohet një shtet nuk është çështje fusnotash, por çështje e dinjitetit dhe identitetit të një vendi.


Marrëveshja  është një sukses i madh për Serbinë, sepse i hap asaj rrugën drejt Bashkimit Evropian,  legjitimon  ndërkombëtarisht Kosovën si pjesë të Serbisë dhe shtyn në pakufi procesin e njohjeve të reja.


Kjo marrëveshje është një humbje e madhe për Kosovën sepse e kthen statusin e saj në kornizat e Kushtetutës së vitit 1974 sipas së cilës Kosova është pjesë e Serbisë por gëzon edhe të drejtën e përfaqësimit ndërkombëtar.


Ky vendim arbitrar në kuptimin e  shkeljes së normave është diktaturë mbi institucionet e Kosovës, ndërsa në kuptimin e shkeljes së vlerave kombëtare tradhti sepse hedh hi mbi gjakun, mundin dhe djersën e disa gjeneratave që kanë luftuar për një shtet kombëtar.


Kryeministri Hashim Thaçi, fitoret e arritura me luftë po i shet për interesa të huaja në paçe. Ai tani i plotëson të gjitha kushtet për tu  radhitur me Sinan Hasanin, Veli Devën dhe shokët e tyre të cilët kulmin  karrierës së tyre politike e arritën me Kushtetutën e vitit 1974.


Kryeministri Thaçi, e ka kthyer Kosovën aty ku e sollën para 38 vitesh Sinan Hasani, Veli Deva dhe Fadil Hoxha. Ata luftuan dikur si Hashim Thaqi për shtet shqiptar dhe bashkim kombëtar dhe përfunduan për shumicën e qytetarëve të Kosovës si tradhtar.


Të huajt ndjekin interesat e tyre nacionale në raport me Kosovën dhe kjo është normale. Qeveria e Kosovës nuk ndjek interesat e saj në raport me të  huajt,  por interesave të huajve në  raport me Serbinë duke vepruar kështu në dëm të interesave  të Kosovës.


Lëvizja VETËVENDOSJE! Organizon të hënën protesta në Prishtinë. Nisja nga Ferizaj bëhet me autobus në orën 10:30, nga sheshi para Komunës. Ne i ftojmë të gjithë qytetarët e Komunës së Ferizajt ti bashkëngjiten kësaj proteste, në mbrojtje të Republikës dhe interesave kombëtare të vendit.




Lëvizja VETËVENDOSJE!
Ferizaj

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera