KOMUNIKATË PËR MEDIA

21 Feb 2012

Drejtuesit e qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë shpaluar disa kritika ndaj pushtetit komunal dhe kryetarit të komunës në Gjilan, duke përmendur aktin e rëndë të vjedhjes së busteve të heronjve, rastet e konfliktit të interesit, keqpërdorimin dhe abuzimin e kryetarit të komunës me Ligjin mbi Partneritetin Publiko-Privat, keqmenaxhimin e parasë publike të qytetarëve duke dhënë donacione për nivelin e arsimit të lartë, ndërsa në anën tjetër komuna ka hyrë në borxhe të mëdha ndaj kompanive të ndryshme. Komuna është deklaruar se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për reagim emergjent as ndaj situatave të vërshimeve eventuale në fshatrat e Gjilanit dhe probleme të tjera cilat preokupojnë direkt qytetarët. Kryetari i qendrës në Gjilan, Ismajl Kurteshi deklaroi se gjatë gjashtë muajve të fundit Kryetari i Komunës, me përkrahje të Kuvendit Komunal i ka dhënë ose po përgatitet t’i jap  përmes PPP-së:


1)      Objektin e Drejtorisë së Kadastrës (i meremetuar vetëm disa muaj para se të jepet përmes PPP-së) një vendasi dhe huadhënësi të tij  (kryetarit të Komunës). Të njëjtit i është lejuar të punojë pa leje ndërtimi. Objekti e ka mbuluar  tërë  sipërfaqen, pa lënë asnjë pëllëmbë gjelbërim, ashtu siç obligon ligji. Kontrata është shumë e  pafavorshme për komunën. Komuna merr më pakë hapësirë afariste se që ka pasur. Drejtoria e Kadastrës është zhvendosur në një objekt të përfituesit të projektit me qira edhe pse objekti nuk i plotëson kushtet për punë.


2)      Sipërfaqja afër Kombinatit të Duhanit, i është dhënë vendasit tjetër të kryetarit, këtij i është lejuar t’i fillojë punimet vetëm pasi i ka paguar gjysmën e mjeteve për lejen e ndërtimit.


3)      Tani po bëhen përgatitjet e fundit që të jepet sipërfaqja afër Stacionit të Autobusëve, që më herët i ishte ndarë “Hendikosit”, por me insistimin e kryetarit ai vendim i Kuvendit Komunal është shfuqizuar dhe po dihet konflikti i interesit të kryetarit.


4)       Tregu i Gjelbër i qytetit, po përgatitet t’i jepet përmes PPP-së njërit nga ortakët e kryetarit.


5)      Sheshi në lagjen Dardania I, njëra nga pak zona të gjelbëruara të qytetit, përkundër kundërshtimit të qytetarëve, po insistohet të shndërrohet në një zonë komerciale nga e cila nuk do të fitojnë asgjë qytetarët e lagjes përveç problemeve të shumta infrastrukturore, zhurmës dhe pluhurit.


6)      Tani pasi që, me insistimin e kryetarit, shërbimet komunale janë kushtëzuar me pagesën e obligimeve ndaj “HIGJIENOTEKNIKËS” , ajo do të jepet me koncesion për 15 vite edhe pse kjo ndërmarrje është rentabile.


 

Ndërsa Nevzad Isufi kritikoi për premtimet e papërmbushura të pushtetit qendror qeveritar të Kosovës lidhur me ndërtimin e universitetit publik në Gjilan. Kështu ish ministri Hoxhaj qysh në nëntor të viti 2010 kishte premtuar duke thënë se janë në përgatitje të themelimit të Universitetit Publik të Gjilanit dhe së shpejti do të dorëzonin  kërkesën për regjistrim të këtij institucioni të lartë arsimor, i cili ” pritet të bëhet funksional në vitin e ardhshëm akademik”, pra mendohej në vitin 2011. Pasi asgjë nuk u bë më shumë nga ish ministri për premtimin  e tij, pasardhësi i tij z. Buja e gjeti këtë premtim të mbetur diku në sirtar, dhe vendosi ta nxjerrë dhe  përsërisë edhe një herë të njëjtin, tashmë në vitin 2012. Në  anën tjetër edhe dy fakultetet e universitetit Publik të Prishtinës, pra ai Juridik dhe ekonomik të hapura në Gjilan, veprojnë në  kushte mjaftë të vështira, pa hapësira të bollshme për ligjërata, ku sallat janë të vogla dhe nuk përmbushin as përafërsisht kushtet për ligjëratat e numri aq të madh të studentëve. Po ashtu mungojnë  kabinete për profesorë etj. “Komuna e Gjilanit në radhë të parë ka kompetencë dhe përgjegjësi për të bërë, ndihmuar e krijuar infrastrukturë për  institucionet parashkollor, fillor e të mesëm, infrastrukturë e  cila lë shumë për të dëshiruar në komunën tonë. Për fat të keq shumëçka po mbetet vetëm në kuadër të premtimeve, le të përmendim premtimin për ndërtimin e gjimnazit të ri, i cili do të duhej të ishte i gatshëm në shtatorin e vitit të kaluar e nuk dihet a do të jetë i gatshëm as shtatorin e ardhshëm. Po bëhen pothuajse dy vjet  dhe premtimi për krijimin e rrethojave dhe të një infrastrukture përcjellëse, që do të përshinte kompleksin e shkollave të mesme po mbeten premtime dhe plane në letër. Dihet tashmë se edhe më tutje, se përpos një shkolle të mesme, të gjitha të gjitha të tjerat edhe më tutje punojnë në tri ndërrime. Përkundër këtyre vështirësive e problemeve që ka arsimi gjilanas, këtyre ditëve kreu komunal premton 100 mijë euro për Universitetin publik të Gjilanit, ndërsa më herët Komuna ka dhënë edhe 300 mijë euro për mbindërtim të Fakultetit të Edukimit, ndërsa dihet se në bazë të ligjit është e  përcaktuar se financimi i arsimimit të lartë është kompetencë dhe detyrë e Ministrisë së Arsimit (kjo parashihet me nenin 22 të Ligjit mbi arsimin e lartë)”- deklaroi Isufi.


Kurse në fund Avni Rudaku foli për shkeljet e mëdha të Ligjit mbi Parandalimin e Konfliktit të Interesit nga pushteti komunal. Ai theksoi se si Agjencioni Kosovar Kundër Korrupsionit i kishte tërhequr vërejtjen me shkrim kryetarit të komunës për konfliktin e interesit për një ndërmarrje, ndërsa kryetari e kishte shpërfillur disa herë Agjencionin. “Dhe me këtë rast, kryetari nuk do të mund të shfajësohej vetëm me dorëheqjen nga të qenët aksionar në ndërmarrjen “Frutti Viva”, por duhej aplikuar nenin 18, paragrafin 8, i cili thotë se, “në rast se personi zyrtar i lartë vazhdon të kryej aktivitete apo funksione të papajtueshme sipas këtij ligji, pavarësisht nga paralajmërimi i Agjencisë, atëherë Agjencia i kërkon institucionit ku zyrtari i lartë ushtron funksionin që të filloj procedurën për shkarkimin e tij”. Ndërsa paragrafi 9 i këtij ligji tekstualisht parasheh për këtë situatë të shpërfilljes nga zyrtari publik të vërejtjeve nga Agjencioni: “Organi kompetent ku personi zyrtar i lartë vazhdon të kryej një aktivitet ose funksion të papajtueshëm me këtë ligj, duhet të fillojë procedurën për shkarkimin nga funksioni sipas kërkesës së Agjencisë”. Pra, këtu është bërë një tejkalim sepse Agjencioni i ka dhënë vërejtje disa herë siç parashihet me Ligj, mirëpo kryetari i Komunës së Gjilanit edhe pas disa vërejtjeve, nuk e ka përfillur atë, prandaj është dashur që të kalohet në nenin tjetër që parasheh edhe këtë situatë, pra procedurën për shkarkimin e tij.” – u shpreh Rudaku.


Në konferencë për shtyp u dënua edhe akti i vjedhjes së busteve të dy heronjve kombëtarë, duke kërkuar nga organet e rendit zbatimin e dënimit të merituar për kryerësit e veprës, por edhe dukë kërkuar nga kryetari dhe udhëheqja komunale ndalimin e lojës me përmendoret, sepse kur krerët e institucioneve nuk i respektojnë vlerat e përbashkëta kombëtare si bustet e heronjve të Alban Ajetit dhe Pajazit Ahmetit, atëherë çfarë mund të pritet prej dy të miturve që janë zënë nga policia. Po ashtu drejtuesit e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan shprehën habi se si dy të mitur të mund t’i kenë bartur bustet aq të rënda dhe kërkuan hetimin e plotë të motivimit të sjelljes së tyre.


 

 


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera