Mërgata mbetet e pazëvendësueshme

20 Feb 2012

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Zvicër, organizoi të dielën një tubim me bashkëatdhetarë në të cilin morën pjesë Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Kosovës, Mujë Shala, Kryetar i Qendrës në Zvicër dhe Jeton Lleshi, Kryetar i Pikës në Zurich.


Mërgata shqiptare ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për vendin tonë. Ajo ka sakrifikuar shumë dhe pas UÇK-së dhe Shtetit Shqiptar është shtylla e tretë mbi themelet e së cilës është ndërtuar pavarësia e Kosovës, tha në fillim të fjalës së tij deputeti Rexhep Selimi. Pas falënderimeve të shumta të mërgimtarëve pjesëmarrës për takimin me ta, Selimi tha “mos më falënderoni për pjesëmarrje, sepse jam parlamentar dhe e kam për detyrë të takohem me qytetarë. Unë ju falënderoj juve që keni gjetur kohë për të bashkëbiseduar me ne. Ju lutem caktojeni ju axhendën, shtroni temat që juve ju preokupojnë”. Dhe preokupimet e mërgimtarëve ishin të shumta. Mërgimtarët ishin të interesuar për zgjidhjet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Mitrovicën, bashkimin kombëtar, qëndrimin e Lëvizjes për flamurin e Kosovës, ata interesoheshin se a do të ketë zgjedhje të shpejta në Kosovë, për sjelljen shpesh herë brutale të pushtetarëve ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe për ligjin për veteranët e luftës. Mërgimtarët shfaqën edhe shqetësime të mëdha rreth bisedimeve me Serbinë.


Rexhep Selimi, duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta deklaroi se çështja e bashkimit me Shqipërinë është jo vetëm një e drejtë e natyrshme, por edhe një nevojë për zhvillim ekonomik dhe një çështje ekzistenciale për shqiptarët. Se kur do të arrihet bashkimi, kjo do te varet prej angazhimit të secilit prej nesh. “Gjendja në Mitrovicë është e rëndë. Në veri shteti i Kosovës nuk funksionon. Problemi i Mitrovicës duhet të zgjidhet sot dhe kjo është detyrë e Qeverisë së Kosovës e cila nuk po e kryen punën që i takon”. Duke folur për çështjen e flamurit të Kosovës, Rexhep Selimi tha “Flamuri im, flamuri i Kosovës është flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenare. Flamuri me hartë të Kosovës është prezantuar për herë të parë para deputetëve të parlamentit të Kosovës me 17 shkurt të vitit 2008. Asnjëri prej tyre nuk e ka ditur më parë se si duket ky flamur. Ky është një flamur i imponuar”.


Duke folur për bisedimet me Serbinë, Selimi deklaroi se qëndrimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është i qartë: - Nuk ka bisedime me Serbinë. Ato janë të drejta vetëm për njërën palë, për palën serbe. Derisa Serbia t’i trajtojë shqiptarët si armiq edhe ne duhet ta trajtojmë Serbinë si armike.


Mes mërgimtarëve kishte edhe veteran të UÇK-së. Ata shprehën indinjatën e tyre për pozitën në të cilën i ka lënë Qeveria e Kosovës. Ndërsa deputeti Selimi i njoftoi të pranishmit që përkundër premtimeve, në parlament akoma nuk është propozuar asnjë ligj i cili rregullon çështjet të cilat kanë të bëjnë me veteranët e luftës.


Në takimin me mërgimtarë në Zurich, Kryetari i Qendrës në Zvicër Mujë Shala, i njoftoi të pranishmit për shtrirjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, duke treguar që Lëvizja, përveç në Zurich, ka themeluar pikat e saj edhe në Gjenevë, Arau dhe Lozanë. Ai bëri të ditur që Lëvizja në Zvicër ka kuadro të fushave të ndryshme dhe që është e vetmja forcë politike e cila jashtë fushatës zgjedhore organizon takime me qytetarë. Shala tha mes të tjerash se mërgata ka potencial dhe ajo duhet të faktorizohet.


Kryetari i Pikës në Zurich Jeton Lleshi u bëri thirrje të pranishmëve që t’i bashkohen Lëvizjes VETËVENDOSJE!, duke theksuar se Lëvizja është e hapur për të gjithë ata që duan të punojnë.


 




Lëvizja VETËVENDOSJE!, Qendra Zvicër

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera