VETËVENDOSJE! në Ferizaj: E gatshme për të ndihmuar

14 Feb 2012

Situata e krijuar në Komunën e Ferizajt, pas reshjeve të mëdha të borës, ashtu si edhe në vendbanimet tjera të Kosovës, vazhdon të jetë e rëndë. Kjo situatë ishte e vështirë që nga fillimi i reshjeve të borës dhe vazhdoi të ashpërsohej dita ditës. Përkundër situatës së vështirë sjelljet e pushtetit ndaj kushteve të jashtëzakonshme, vazhduan të mbeten të zakonshme.


Reagimet e shumta të mediave, organizatave joqeveritare dhe partive opozitare për paaftësinë  e pushtetit për t’u organizuar dhe kryer shërbimet që i takon, futën edhe pse me shumë vështirësi, organet e pushtetit në Lëvizje. Dje u zgjua nga gjumi dimëror edhe udhëheqja komunale e Ferizajt.


Ne mendojmë që apelet e kryetarit të Komunës Bajrush Xhemaili, drejtuar qytetarëve për të ndihmuar hapjen e rrugëve janë të pamjaftueshme. Drejtuesit e Komunës së pari duhet të informojnë realisht për situatën e krijuar.  Ata duhet të tregojnë publikisht se cilat fshatra janë të kalueshme, cilat fshatra janë të bllokuara, si qëndron realisht gjendja me ngrohje dhe ushqime dhe sa njerëz janë të rrezikuar. Së dyti, për të kaluar situatën nuk mjafton që udhëheqja komunale të apelon tek qytetarët për ndihmë. Ajo duhet t’i kryej detyrat që i takojnë, pra në situata emergjente të krijojnë kushtet dhe kornizat e nevojshme brenda të cilave qytetarët në mënyrë të organizuar, orientuar dhe ndihmuar nga strukturat komunale ta bëjnë punën e tyre.  Pa krijimin e kushteve të nevojshme organizative, apelet e zbrazëta japin pak fryte.


Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Ferizaj, duke pas parasysh situatën e krijuar do të vendos në gatishmëri potencialin e saj njerëzor dhe logjistik për ta kaluar këtë situatë.







Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Ferizaj

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera