VETËVENDOSJE! NË FERIZAJ ORGANIZOI PESË TUBIME ME QYETARË

06 Feb 2012

Angazhimi qytetar dhe programi ekonomik i Lëvizjes VETËVENDOSJE! garantojnë dalje nga kriza. Me qytetarë bashkëbiseduan deputet, anëtarë të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe strukturat udhëheqëse të Qendrës në Ferizaj.


Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Ferizaj organizoi në këtë fund javë pesë tubime me banorët e fshatrave Dremjak, Prelez i Muhaxherëve, Mirash, Tërnë dhe Greme.  Në takime me qytetarë nga ana e kryesisë së Lëvizjes morën pjesë: Nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Shpend Ahmeti, Nënkryetari i Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca, Koordinatori i Komiteteve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Arbër Zaimi, Kryetari i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj Faton Topalli dhe strukturat drejtuese të Pikave dhe Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj.


Përkundër motit të ftohët, borës dhe ngricave në rrugë, interesimi i qytetarëve ishte shumë  i madh. Qytetarët e fshatrave të përmendura shprehën pakënaqësitë e tyre për gjendjen politike dhe ekonomike në Kosovë.  Ata adresuan tek pushteti aktual shumë probleme që i preokupojnë duke filluar nga ato lokale deri tek problemet nacionale. Drejtuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të tri niveleve shtruan pikëpamjet e tyre për daljen nga kjo gjendje duke vënë theksin në angazhimin qytetar si mundësi të vetme për t’i thënë JO kësaj forme të qeverisjes politike dhe programit ekonomik  të Lëvizjes VETËVENDOSJE! i cili krijon kushte për zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale dhe forcim të Republikës së Kosovës. Përveç kësaj ata paraqitën katër shtylla relevante që në programin qeverisës të kësaj Lëvizje duhet të jenë në shërbim të qytetarëve të Kosovës, ato janë: Shtylla e parë është Trusti Pensional shërbimet që i kryen ky institucion është ndërmarrje e menaxhuar privatisht, kurse paratë që mblidhen në të kryhen përmes 5%  që i jep si tarifë punëdhënësi dhe 5% punëmarrësi shkojnë në këtë trust. Për 12 vjet janë mbledhur 600 milionë euro, kurse gjatë krizës globale që e kaploi një pjesë të madhe të botës 150 milionë euro u humbën. Kjo Lëvizje mendon që këtë shumë të mos e investojë në bursë, por të investohen në asetet publike. Shtylla e dytë është Energjia elektrike në kuadër të saj, Lëvizja VETËVENDOSJE! parasheh një integrim kombëtar me Shqipërinë sepse shteti shqiptar dhe ai kosovar kanë pasuri komplementare pra Shqipëria ka ujë kurse Kosova ka qymyrgur dhe në bazë të saj arrihet koordinimi për zgjidhjen e këtij problemi të kahmotshëm. Shtylla e tretë është Industria, duke  e pasur parasysh që Kosova në të kaluarën nën administrimin jugosllav fabrikat e mëdha industriale kanë qenë funksionale dhe një pjesë e madhe e kësaj makinerie ka furnizuar Evropën por edhe kontinentin Aziatik, por sot fatkeqësisht këto fabrika industriale nuk janë më, dhe ekziston një normë kriteriale që mund t’i rikthejë këto fabrika në shërbim të zhvillimit publik të një shteti. Dhe shtylla e katërt është Kompleksi Industrial-Bujqësor paraqet burim prodhues në zhvillim të shtetit ku përmes saj arrihet mirëqenia e qytetarëve, por duhet të ketë një standardizim, pra ku shteti duhet të vendos politikat e saj subvencionuese në favor të fermerit vendas dhe jo të dëmtoj fermerin duke importuar nga shtete të tjera pa kurrfarë standardizimi. Një shtet që qytetarit t’ia sjellë formën e të jetuarit në mënyrë të dinjitetshëm.


Në fshatin Mirashë takimi me qytetarë u pengua nga Drejtori i Shkollës, Bashkim Bytyqi, i cili përkundër lejes së marrë nga Drejtori i Arsimit në Ferizaj Agim Berisha, i mbajti të mbyllura  dyert e shkollës fillore Ali Hadri për banorët e fshatit Mirash dhe aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në takimet me qytetarë folën mes të tjerëve edhe Gëzim Hajrullahu aktivistë, Naim Jakaj sekretar Organizativ i Qendrës në Ferizaj, Naser Ramadani Kryetar i Pikës në Tërnë dhe Arton Sejdiu delegat i Pikës në Greme.





Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Ferizaj
Sekretariati për Media dhe Komunikim

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera