PETICIONI KUNDËR VENDIMIT MBI NDËRTIMIN E KOMPLEKSIT REKREATIVO-AFARIST NË LAGJEN “DARDANIA 1”

03 Feb 2012

Qendra e VETËVENDOSJES! në Gjilan i ka dorëzuar Kuvendit Komunal peticionin e nënshkruar nga banorët e lagjes “Dardania” dhe këtij peticioni i kemi bashkëngjitur një kërkesë drejtuar Kryesuesit të Kuvendit Komunal, një kopje edhe për Kryetarin e Komunës së Gjilanit dhe për të gjithë Këshilltarët Komunalë, duke kërkuar që të shfuqizohet menjëherë vendimi për ndërtimin e një kompleksi rekreativo-afarist përmes partneritetin publiko-privat, në lokacionin Dardania 1, zona urbane, me sipërfaqe të tërësishme prej 18 225 metra katrorë, në vendimin e miratuar nga  Kuvendi i Komunës së Gjilanit më 28.02.2011 për caktimin e lokacionit “Ndërtimi i Kompleksit Rekreativo-Afarist”, zona urbane, në lagjen Dardania 1.


Peticioni: Peticioni është nisur në pjesën e fundit të vitit të kaluar, por për shkak ngjarjeve të mëdha politike që ndodhën në janar, kemi vendosur që të bëhet më vonë publikimi i këtij peticioni. Në peticion janë rreth 300 nënshkrime. Një element relevant që duhet theksuar është se jo vetëm shumica absolute e familjeve që jetojnë në afërsinë e këtyre dy zonave të lagjes “Dardania 1”, por edhe shumica e atyre që janë disa rrugë larg këtyre sipërfaqeve të lira, madje edhe banorët e lagjes “Dardania 2” e kanë kundërshtuar një projekt të tillë. Shumica absolute e banorëve e ndjejnë të nevojshme ndërtimin e një parku publik, eventualisht edhe të ndonjë institucioni parashkollor, apo vetëm kultivimin e gjelbërimit si fushë e lirë, dhe kërkohet të mirëmbahet vazhdimisht nga kompanitë publike apo ato të kontraktuara nga Komuna e Gjilanit.


Arsyet e kundërshtimit:


1.    Janë kundër tjetërsimit të këtyre zonave përmes Partneritetit Publiko-Privat, sepse edhe në projekt-vendimin për caktimin e kritereve dhe të procedurës së lidhjes së Partneritetit Publiko-Privat dhe për dhënien e të drejtës së ndërtimit në pronën publike komunale, Kuvendi i Komunës në bazë të ligjeve në fuqi, në kriteret teknike të kualifikimit kishte paraparë në pikën e gjashtë, që ndërtimi të ketë pajtueshmëri me standardet mjedisore, ndërsa vetë ndërtimi si i tillë bie në kundërshtim me këtë pikë, ngase po zvogëlohet dhe komercializohet totalisht hapësira ekologjike e lagjes “Dardania” dhe një projekt i tillë e bën këtë lagje të pabanueshme, ngase nuk ka asnjë hapësirë për aktivitete të lira, shëtitje, relaksim dhe lojë;


2.    Tërë hapësira urbane është pronë jo e Komunës, por e të gjithë banorëve të lagjes, thonë banorët. Në kohën e blerjes së këtyre trojeve, ata kishin participuar me para, për t’u bërë në fakt pronarë të një prone të përbashkët, e cila do të jetë e të gjithëve dhe e askujt;


3.    Gjilani ka mjaftueshëm qendra tregtare, supermarkete, qendra komerciale, por i mungon në masë të konsiderueshme hapësira e gjelbër, sheshet, hapësirat publike për të ecur këmbësorët. Lagjes i mungojnë parqet që plotësojnë nevojat e banorëve të lagjes Dardania 1 dhe 2. Këto hapësira të gjelbra duhet të kultivohen dhe nuk ka arsye që nëse nuk mirëmbahen nga institucionet komunale, të jepen në shfrytëzim për një investues që shikon në radhë të parët interesat e përfitimit komercial;


4.    Banorët janë kundër dhënies së hapësirës së përbashkët sepse ata thonë se do të ndodh nesër ta shfrytëzojnë këtë hapësirë vetëm me para, pra pronën e cila është e tërë lagjes dhe kanë paguar dikur për këtë;


5.    Ndërtimi i supermarketit, pavarësisht trumbetimit se do të punësohen njerëz, do të falimentojë shumicën e shitoreve të vogla, të cilat mirëmbajnë ekonomitë familjare të lagjes dhe nuk ka aq dallim: aty do të mbyllen vendet e punës dhe diku tjetër do të hapen. Edhe më keq: investitori ka të drejtën e tij të bëj çfarë të dojë me përzgjedhjen e punëtorëve dhe s’do të thotë se do të jenë nga lagjet tona.  Po ashtu, kjo do të thotë se, dhjetëra shitore të vogla që shërbejnë si ekonomi familjare, do t’i shndërrojë në familje konsumuese. Dhe lagjja do të bëhet më e varfër dhe do të bëhet lagjje si vend konsumi. Në lagjen “Dardania 1” ka edhe supermarket gjigand dhe nuk ndjehet nevoja për një të tillë;


6.    Kjo lagje njihet si ndër lagjet më të mira, qoftë në planin urbanistik dhe shumë aspekte të tjera si qetësia, etj., dhe kjo lagje do të bëhet shumë e zhurmshme, e pabanueshme; nuk do të mbetet lagje në qytet ku do mbretërojë banimi i qetë familjar;


7.    Dendësia në komunikacion do t’i shtonte frikën prindërve për fëmijët që do të shkojnë në shkollën fillore “Selami Hallaçi”. Do të ketë mbingarkesë. Vetëm se është bërë një trajektore rruge që ndërlidhet me rrugën qarkore, është shtuar shpejtësia e veturave në lagjet “Dardania”, e të mos flasim edhe kur bëhet një qendër e madhe komerciale etj…


8.    Së shtati, çështjet e kanalizimit dhe aspekteve të tjera teknike, parkingjet, etj. do t’i prishin kushtet e favorshme të jetesës, por edhe do të dëmtojnë kohezionin e banorëve të lagjes.


Këto janë vetëm disa nga arsyet e kundërshtimit të këtij vendimi dhe partneriteti publiko-privat.


Krejt për fund, ne kërkojmë që Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Kryetari i Komunës së Gjilanit dhe të gjithë Këshilltarët Komunalë, të mos marrin asnjë vendim që nuk përkon me vullnetin e qytetarëve dhe nevojave të Gjilanit. Ne kërkojmë që në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal, të shfuqizohet ky vendim dhe të merret një vendim në përputhje me interesat dhe nevojat parësorë të banorëve të lagjes “Dardania”. Po ashtu, kërkojmë nga kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa, që të mos e keqpërdorë Ligjin mbi Partneritetin Publiko-Privat, i cili ligj duhet të mendohet si ligj për mbrojtjen e interesit publik dhe zhvillimin e komunës, e jo ta shndërrojë edhe vetë komunën në biznes, duke mos luajtur rolin e kryetarit, por të biznesmenit. Praktika e gjertanishme e Partneritetit Publiko-Privat, siç është rasti me ish kadastrin në Gjilan, flet për një lajthitje dhe abuzim me këtë ligj nga kryetari.






Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra Gjilan

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera