Mospastrimi i borës kolapsoi rrugët dhe jetën e qytetarëve të Prishtinës

03 Feb 2012

Acari i këtij dimri, më qartë se shumëçka tjetër, dëshmoi keqqeverisjen e Prishtinës. Komuna, edhe një javë pasi pushuan reshjet e borës, nuk qe e aftë që t’i pastrojë rrugët dhe të menaxhojë këtë gjendje që shkaktoi moti.


Prej më se një jave jemi bërë dëshmitarë të gjendjes së rëndë nëpër rrugët e kryeqytetit tonë. Rrugët vazhdojnë të mbesin të bllokuara nga bora. Në rastin më të mirë është pastruar vetëm njëra korsi e rrugës, por vetëm në disa rrugë. Trotuaret mbeten tërësisht të mbuluara nga bora, që më pas është shndërruar në akull. Në çdo moment kjo gjendje e rrezikon shëndetin dhe jetën e qytetareve, veçanërisht te këmbësorëve, ku më të prekurit janë të moshuarit dhe fëmijët.


Komuna ka kontraktuar tre ndërmarrje për pastrimin e rrugëve nga bora dhe mirëmbajtjen e tyre gjatë dimrit. Por gjendja në terren po na tregon që, ose ndërmarrja e kontraktuar nuk po e bën punën si duhet, meqë nuk ka mjete te mjaftueshme pune ne dispozicion dhe kripë, ose Komuna me kohë nuk ka bërë ndarjen e buxhetit si duhet, ose ia ka dhënë tenderin një ndërmarrje të papërgjegjshme dhe pa kapacitete të mjaftueshme për këtë veprimtari. Në të dy rastet Komuna ka përgjegjësinë e saj.


Ditëve të fundit jemi njoftuar se Komuna ka angazhuar ndërmarrje shtesë për të ndihmuar në pastrimin e rrugëve nga bora dhe akulli. Kontraktimi i ndërmarrjeve me procedura të tilla të përshpejtuara lë hapur mundësinë, që në rastin më të mirë të mos kontraktohet çmimi më i favorshëm, e në rastin më të keq të ketë keqpërdorim të parasë publike. Gjithashtu kemi vërejtur se në pastrimin e trotuareve është angazhuar edhe ndërmarrja komunale “HORTIKULTURA”, që ka ndihmuar kontraktorët privatë. Ky është një rast i përdorimit të resurseve publike për interes të një kontraktori privat, i cili është paguar një herë që ta bëjë një gjë të tillë, dhe tani në vend të ndëshkimit shpërblehet me ndihmë falas.


Në gjendje edhe më katastrofale se rrugët janë trotuaret. Me përjashtim të disa segmenteve të shkurtra në qendër, shumica e trotuareve nuk janë liruar fare nga bora dhe tashmë janë të mbuluar tërësisht me akull. Për pasojë shumë qytetarë po pësojnë nga rrëshqitja ne akull. Për fat të keq, disa prej tyre, edhe me lëndime serioze, si gjakderdhje në kokë, thyerje të kockave etj.


 Kush mban përgjegjësi për këto lëndime? Kush paguan shpenzimet e shërimit të këtyre të lënduarve? Kush dëmshpërblen dhimbjet e vuajtjet e të lënduarve???


Lëndimet e rënda trupore, shpenzimet për mjekim, humbje të orëve të punës, humbje e biznesit nga mos qarkullimi i konsumatorëve, shpenzime shtesë për udhëtimin e ngadalshëm dhe qëndrimin në kolonat e gjata në të gjitha anët e qytetit, dëmtojnë rënde buxhetin e qytetareve.


 

Qytetarët e Prishtinës meritojnë edhe si taksapagues, një qeverisje me cilësore, shërbim dhe trajtim korrekt e dinjitoz.


Do të ishte në logjikën e gjërave, po të ishte Kryetari i Komunës sado pak i përgjegjshëm politikisht, ta shkarkonte drejtorin për shërbime publike dhe t` ju kërkonte falje qytetareve.






Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Prishtinë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera