Shqetësimi i Mërgatës: Ne kemi sakrifikuar që të kemi Republikë

01 Feb 2012

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjermani, në kuadër të vizitës që po zhvillojnë në këtë shtet aktivistët nga Prishtina, Albin Kurti, Dardan Molliqaj dhe Gentian Sala, kanë organizuar disa takime me bashkatdhetarë në këto qytete: Düsseldorf, Würzburg dhe Nürnberg. Në këto takime aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë diskutuar për situatën politike dhe socio-ekonomike të shqiptarëve në përgjithësi, si dhe për problematikat që shfaq aktualiteti. Po ashtu janë diskutuar për zgjidhjet e projektet politike të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Theks i veçantë është vënë në trajtimin e problemeve të mërgatës shqiptare sidomos, për sa i përket të mërguarve nga Kosova në Gjermani, në raport me dy shtetet respektive.


Të pranishmit në takim kanë ngritur problemin e mospërfaqësimit të mërgatës shqiptare në institucionet e shtetit të Kosovës, duke sjellë shembuj pozitivë nga rajoni, siç është rasti i mërgatës kroate, që është e përfshirë dhe e përfaqësuar në institucionet e atij shteti.


Një tjetër problem që është diskutuar është mosnjohja e dokumenteve të shtetit të Kosovës prej disa republikave (landeve) gjermane. Përfaqësuesit e mërgatës shqiptare në Gjermani janë shprehur të shqetësuar për detyrimin e pagesës së polisave të sigurimit për automjetet, gjë që e shtrenjton shumë udhëtimin e tyre për në Kosovë. Gjithashtu u ngrit edhe shqetësimi për çmimet e rritura dhe të pa përballueshme të biletave të udhëtimit, sidomos në kohën e pushimeve. Lëvizja VETËVENDOSJE! i sheh si të drejta kërkesat dhe shqetësimet e mërgatës, dhe në të njëjtën kohë është zotuar që këto çështje do ti ngrejë në institucionet e shtetit të Kosovës, për të kërkuar zgjidhje e lehtësim të situatës së mërgatës.


Mërgata shqiptare në Gjermani është shprehur fuqishëm kundër heqjes së “Republikë”-s prej emërtimit shtetëror të Kosovës, duke theksuar se i gjithë angazhimi i tyre prej dhjetëra vjetësh ka qenë që Kosova një ditë të jetë Republikë, si të gjitha shtetet e tjera. Po ashtu ata shprehën mbështetjen e saj për të vendosur reciprocitetin me Serbinë, si një marrëdhënie e domosdoshme dhe normale në praktikat ndërkombëtare mes dy shteteve.


Një shqetësim në rritje i mërgatës është edhe modeli i keq i ekonomisë në Kosovës. Duke u nisur nga shembujt pozitivë të vendit ku ata jetojnë, pra Gjermanisë, ata konsiderojnë që shteti duhet të jetë në shërbim e në mbrojtje të prodhimit vendor, sepse një politikë e tillë e rrit mundësinë për zhvillim ekonomik dhe po ashtu siguron edhe qëndrueshmëri në kohë krizash siç ishte rasti i krizës së fundit.


Mërgata shqiptare në Gjermani shprehu edhe një herë gatishmërinë pa rezerva për ta ndihmuar popullin shqiptar për realizimin e qëllimeve të përbashkëta.





Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Gjermani

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera