Komuna e papërgjegjshme – rrugët e bllokuara

24 Jan 2012

Tashmë nuk është diçka e re kur themi se Komuna e Drenasit është e papërgjegjshme dhe joserioze karshi kërkesave dhe interesave  të qytetarëve. Interesat e tyre personale janë primare andaj çdo projekt apo punë që bëhet nga komuna është në baza të përfitimeve personale. Është bërë tashmë e zakonshme që tenderët për çështje të ndryshme i fitojnë kompani dhe persona të lidhur ngushtë me pushtetin, dhe si pasoj e kësaj punët asnjëherë nuk përfundojnë si duhet dhe në afate kohore që parashihen në kontratë. Ky realitet i përzgjedhjeve të kompanive me baza nepotizmi po shkon në dëm të qytetarëve. Ato nuk janë përgjegjëse ndaj tyre dhe si të tilla asnjëherë nuk përfundojnë as 10% të punëve për çka edhe janë përzgjedhur.


Komuna e Drenasit pas plot 11 viteve, largon kompania regjionale “Pastrimi” që megjithatë ishte më e përgatitur, më e kujdesshme dhe më e shkathët në pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve të Drenasit dhe të fshatrave, duke kontraktuar kështu dy kompani tjera lokale, ku pronarët e tyre janë të lidhur ngushtë me udhëheqjen e Komunës.


Zyra e prokurimit e Komunës së Drenasit, sigurisht e shtyrë edhe nga presionet e Kryetarit, ka përzgjedhur dy kompani për këtë çështje, njëra është firma “Kanal Profic” pronar të së cilës janë dajt e Kryetarit të Komunës, Nexhat Demaku, dhe tjetra kompania “Valdrini” me pronar Brahim Korrumeli (një shok i kryetarit të komunës) i cili njihet me dështimet e shumta të kompanisë tjetër të tij “Shkëmbi” në asfaltimin e disa prej rrugëve të Drenasit, e që ato rrugë tashmë janë në gjendje të mjerueshme.


Drejtoria për Shërbime Publike, ndau 21 mijë e 900 euro, para të taksapaguesve për pastrimin e rrugëve nga bora, mirëpo pothuajse 90 % e rrugëve të Drenasit janë të mbuluara nga bora dhe akulli, duke vështirësuar lëvizjen normale të banorëve dhe duke u shtuar numri i aksidenteve në komunikacion. Kjo gjendje e keqe në këtë aspekt nuk është vetëm në fshatra por edhe në qytet, ku nuk është pastruar as sheshi i qytetit “Fehmi Lladrofci” e as trotuaret.


Qytetarët e Drenasit të harruar nga komuna, tashmë po presin në ngritje të temperaturave dhe në një mot më të ngrohur në mënyrë që bora dhe akulli të shkrihet vetvetiu.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas, këtë papërgjegjësi të komunës ndaj taksapaguesve e sheh si vazhdimësi të keqqeverisjes lokale, duke besuar që për këtë udhëheqje vërtet të jetë Mandati i Fundit.






Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Drenas

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera