Mbështetje për aktivitetin e fundit tëParlamentit Studentor – 11 janar 2012

11 Jan 2012

Komunikatë për media


Pasi kemi përcjellë me vëmendje punën e Parlamentit të Studentëve ditëve të fundit, dhe pasi kemi parë zhvillimet rreth publikimit të emrave të profesorëve politikanë dhe të tjerë, të cilët e kanë sjellë UP-në në gjendje të mjerueshme, ne shprehim mbështetjen tonë për punën e fundit të Parlamentit të Studentëve dhe i kundërshtojmë fort zërat që mundohen ta zbehin të vërtetën e Universitetit të Prishtinës.


Qendra STUDIM KRITIKË VEPRIM dënon përpjekjet për ta zbehur punën e Parlamentit të Studentëve duke e quajtur atë të ndikuar politikisht. S’u lejohet ta quajnë këtë anketim “të ndikuar politikisht” zyrtarët e Universitetit të Prishtinës, të cilët duke filluar nga Këshilli Drejtues, Rektori, profesorët e dekanët që në të njëjtën kohë janë  ministra e deputetë, janë njerëz të afërt me partinë në pushtet e me partitë në opozitë. Nëse duhet problematizuar ndikimin politik në UP, atëherë le të fillohet me udhëheqjen e këtij institucioni publik e të shkohet deri të profesorë e asistentë të punësuar me ndikime partiake.


Njëkohësisht, ne dënojmë kërcënimet dhe presionet që i pamë edhe nëpër medie ndaj studentëve që po merren me këto punë duke konsideruar se forma të tilla janë të papranueshme dhe të rrezikshme për shoqërinë tonë. Rektori i Universitetit të Prishtinës i cili më parë deklaronte se i duhen emra të shkelësve të rregullave, tash po kërkon vërtetësi të anketimit, pra po i mbron kolegët e vet. Ky rektor mban peshë për thellimin e gjendjes së rëndë në UP sepse ai më mirë se të gjithë ne e di dhe mund t’i faktojë problemet e UP-së, por nuk e bënë sepse nga pozicioni që mban para se të mbrojë interesat e Universitetit të Prishtinës, ai mbron interesa klanore e partiake.


Qendra STUDIM KRITIKË VEPRIM e sheh gjendjen në UP vërtetë të rëndë, madje pasqyra e vërtetë e UP-së tejkalon anketimin e bërë nga Parlamenti i Studentëve.


Ne i bëjmë thirrje Parlamentit të Studentëve që të mos tërhiqet tash, por të shkojë hapa para në të cilët do ta ketë përkrahjen e të gjithë studentëve. Parlamenti i Studentëve duhet të thërrasë studentët dhe të gjitha organizimet studentore për përkrahje që cilësia e mësimdhënies në veçanti dhe arsimimit në përgjithësi të rriten. Çfarëdo tërheqje do të thotë se puna e nisur nuk ishte njëmend. Dëmi që do të bëhet me tërheqje është më i madh se po të mos bëhej anketimi fare dhe përgjegjësinë për këtë, do t’i duhet ta mbajë Parlamentit të Studentëve.


Qendra e studentëve – “STUDIM KRITIKË VEPRIM”

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera