Dhuratat e Hashim Thaçit për popullin e Kosovës

30 Dec 2011

E premte më 30.12.2011 Lëvizja VETËVENDOSJE!, Qendra në Ferizaj sëbashku me qendrat e  tjera nëpër Kosovë, kanë organizuar një aktivitet simbolik përmes të cilit paraqiten në formë dhuratash gjithë mashtrimet e qeveritarëve, marrëveshjet që ata bëjnë në dëm të popullit, deklaratat manipuluese të pushtetit, dhe pazaret e vjedhjet e tyre. Përballë objektit të kuvendit të komunës së Ferizajt u vendosën në një poster me titull “Dhuratat e Hashim Thaçit për popullin e Kosovës” 13 pika të këtij karakteri: “Me gjithë vjedhjen industriale të votave, shumica qeverisëse u konstituua nga pakica elektorale në Kosovë.” si dhe “Qeveria e Kosovës përmes marrëveshjes së fundit me Serbinë e ndryshoi karakterin e kufirit të Kosovës me Serbinë, nga kufi ndërshtetëror në kufi administrative.”


Sekretariati organizativ nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Qendra në Ferizaj, Naim Jakaj gjatë pronocimit në mediat lokale theksoi se me anë të këtij aksioni kemi si qëllim që qytetarin në çdo kohë ta mbajmë të informuar.  


Aktiviteti simbolik ka karakter informues për opinionin, ai risjell në vëmendje përfundimet e marrëveshjeve të fundit me Serbinë, privatizimin e gjithçkaje publike, keqpërdorimin e parasë publike, e gjithë “të arriturat” e pushtetit gjatë vitit që po lëmë pas. Gjatë deklaratave të fundvitit nga ministrat e Hashim Thaçit, ata mburren me sukeset e tyre figurative dhe retorike, por për gjendjen e rëndë ekonomike që po kalon qytetari i Kosovës, mirëqenien sociale, papunësinë, varfërinë e skajshme, ata nuk flasin pasi këto nuk merren shumë parasysh nga ta. Ministrat justifikohen duke thënë se “është proces që me kalimin e kohës do të rregullohet.” Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes veprimeve të saj, me anë të aktiviteteve simbolike si dhe angazhimit institucional do të vijojë të jetë pranë qytetarit të Ferizajit dhe të gjithë Kosovës, dhe në kuadër të këtij parimi kjo Lëvizje angazhohet që qytetarin ta bëjë aktiv e pjesëmarrës në refuzimin e gënjeshtrave të këtij pushteti aktual, gënjeshtra që na paraqesin një realitet të mjerë.


     



Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Ferizaj
Sekretariati për media dhe komunikim

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera