2011, vit i mbrapshtë për Drenasin

30 Dec 2011

Për qytetarët e Drenasit, viti 2011 paraqet një vazhdimësi të gjendjes së rëndë ekonomike, mjerimit sociale, varfërisë në rritje dhe papunësisë masive. Keqqeverisja lokale, interesat grupore e klanore, rritja e nepotizmit brenda pushtetit lokal, papërgjegjëshmëria dhe joserioziteti ndaj qytetarëve e karakterizuan edhe këtë vit komunën tonë.


E vetmja përparësi në vitin 2011 për Drenasin dhe për qytetarët ishte konsolidimi i organeve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Në këtë komunë, me ç’rast filloi të dëgjohej zëri i mirëfilltë opozitar, pasi kjo nuk ishte bërë nga tri subjektet e tjera të përfaqësuara në Asamblenë Komunale, LDK, AAK e AKR. Angazhimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Qendra Drenas bëri që të sfidohet atmosfera e zymtë që ka krijuar PDK-ja në organet e pushtetit komunal, dhe dominimi i saj i vetëm pa një opozitë që të bëjë kritikat e nevojshme, të mos jetë më i tillë.


Përmes procesit të brendshëm zgjedhor ne krijuam 16 pika, me gjithsej 230 anëtarë aktivë, të cilët u bënë pjesë e drejtpërdrejtë dhe shumë e rëndësishme e ndryshimeve pozitive duke zhvilluar aksione protestuese, tubime publike nëpër fshatra e lagje të ndryshme, reagime të përditshme qytetare dhe punë të palodhshme që padyshim shkonin në interesin e përgjithshëm të qytetarit, e rrjedhimisht edhe në shtrirjen e VETËVENDOSJE!-s edhe në fshatrat e tjera.


Do të donim shumë të thurnim vargje të mira, ose fjalë miradije në gjuhën e popullit, për pushtetin lokal të Drenasit sikur ky t’i meritonte, por detyra jonë është që ta themi të vërtetën, e cila fatkeqësisht është e hidhur. Është e hidhur, sepse viti që po e lëmë pas ishte vit hiç më ndryshe se sa vitet paraprake përnga mentaliteti i udhëheqjes komunale në raport me interesat e qytetarëve dhe për përmirësimin e jetesës dhe mirëqenies së tyre.  Thjesht, në Drenas nuk pati përparime në aspektin ekonomik, nuk pati përparime në shendetësi, nuk pati përparime në arsim, nuk pati vende të reja pune dhe nuk pati jetë më të mirë. Përkundrazi, pati rritje të numrit të të papunëve, rritje të varfëris dhe përgjithësisht negativitet në të gjitha sferat.


Komuna e Drenasit ishte shumë shpesh në media të shkruara dhe ato elektronike për keqmenaxhim të paras publike, për keqperdorim të tyre dhe për afera korruptive. Për këtë, më së miri tregon edhe reagimi i vetë qytetarëve nga të gjitha fshatrat e Drenasit në takimin e fundit që Kryetari Nexhat Demaku kishte thirrur për fundvit, takim ku ata shprehën pakënaqësitë e tyre për papunësi, për mospërmbushje të premtimeve të dhëna gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale, për dallavere të shumta në tendera të ndryshëm dhe për injorim të vazhdueshëm ndaj kërkesave të shumta që kishin ardhur në adresë të komunës.


Pas krejt kësaj që u tha më lart, shtrohet me të drejtë pyetja se a meritojnë qytetarët e Drenasit një jetë kaq të padinjitetshme, a e meritojnë një udhëheqje kaq të papërgjegjshme dhe një Kryetar që injoron kërkesat e tyre? Sigurisht, përgjigjëja është jo.


Andaj, meqë është kështu, dhe pasi jemi në prag të ndërrimit të mot-motëve, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas shfrytëzon rastin ti urojë të gjithë qytetarët, anëtarët dhe aktivistet e saj, duke besuar që viti 2012 të jetë vit i angazhimeve tona të përbashkëta për një jetë më të mirë, çfarë edhe e meritojmë. Ndërsa, urimi më i mirë do të ishte se ky mentalitet i qeverisjes lokale në Drenas të mos vazhdojë as edhe për një mandat të vetëm, pse jo as edhe për një ditë të vetme në vitin 2012.






Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera