Nga konferenca për media “Prishtina 2011”

29 Dec 2011

Fjala e Berat Lahut


Viti 2011 në aspektin e udhëheqjes me Komunën e Prishtinës është vazhdimësi e viteve paraprake. Si ato nën udhëheqjen e paraardhësve të zotit Mustafa e poashtu e të vet z.Mustafa. Për fat të keq asgjë për të mirë nuk ka ndryshuar, përkundrazi këtë vit ka pasur ecje mbrapa.


Politikanët vlerësohen në bazë të premtimit të dhënë dhe punës së bërë. E nëse shikojmë premtimet e z.Mustafa, dhe punën e bërë gjatë vitit 2011, atëherë shohim se z.Mustafa ka dështuar si Kryetar Komune. Isa Mustafa vazhdon të jap premtime dhe po ashtu vazhdon të mos i mbaj ato.


Problem shumë i madh dhe që nuk po i kushtohet vëmendja nevojshme është gjendja e arsimit. Gjendja në shkollat e Prishtinës është po aq e rëndë si më parë. Kemi klasë ku ende mësimi zhvillohet me nga 50 nxënës. Në kushte të tilla nuk mund të flitet për cilësi. Kur jemi te arsimi, duhet të cekim se punësimin e mësimdhënësve të rinj, vazhdon ta karakterizojë politizimi dhe nepotizmi.


Kemi pasur një premtim për ndërtimin e gjashtë çerdheve. Deri më sot, pas dy viteve mandat, nuk është ndërtuar as edhe një e tillë..


Dështim tjetër, që është vërejtur edhe nga gazetarët, është mos transparenca e Komunës kundrejt qytetarëve. Mos aktualizimi në kohë i Webfaqes zyrtare të Komunës, ku informatat janë të vjetruara apo publikohen me vonesë është bërë gjë e zakonshme. Zakonisht, vonohen apo nuk publikohen fare ato informata e dokumente që kanë të bëjnë me dhënien e tenderëve, kontratave, shpallja e vendeve të lira të punës etj.. Po ashtu, e papranueshme dhe shumë shqetësuese për ne është mos nxjerrja për diskutim publik i planeve rregulluese për dy sheshet kryesore te Qytetit të Prishtinës, atë “Ibrahim Rugova” dhe “Zahir Pajaziti”. Arsyeja për këtë mospublikim siç duket është zhvendosja që mendohet t’i bëhet përmendores së dëshmorit të kombit, Zahir Pajazitit. Ne si Qendër e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, jemi kategorikisht kundër lësaj zhvendosjeje.


Dështimin e udhëheqjes së Prishtinës, e vërtetuan edhe disa raporte të vendit dhe të huaja. Raporti i Auditorit të Përgjithshëm, nxori në pah parregullsitë e shumta në aspektin e menaxhimit të parasë publike. Mos evidentimi i të gjitha të hyrave, pagesat jashtë kritereve, shpenzime të tepruara, mos respektim i procedurave, përgjegjësi e ulët menaxheriale, monitorim i dobët i punëve të kryera për llogari të komunës etj. Ndërsa edhe më skandaloz është raporti i BB, lidhur me mundësitë e të bërit biznes në Prishtinë. Prishtina këtu renditet e fundit për nga lehtësitë e hapjes së një biznesi. z. Mustafa nuk mund të flas për zhvillim dhe rritje të punësimit e në anën tjetër të zërë vendin e fundit në tërë Evropën jug-lindore. Kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e udhëheqjes së Komunës së Prishtinës.


Keq menaxhimi dhe keq përdorimi i parasë publike është bërë sëmundje e Kosovës. Për fat të keq as Komuna e Prishtinës nuk po bënë dallim këtu nga Komunat tjera apo nga Qeveria, me nëpunës e zyrtarë nën hetime për keqpërdorime e shpërdorim të detyrës zyrtare.


Dështim tjetër i madh ka qenë edhe puna e Inspektoriatit. Gjatë verës Inspektoriati i komunës patë ndërmarrë një aksion për lirimin e hapësirave publike. Por si gjithnjë edhe ky aksion u përcoll me favorizime e mbyllje sysh para uzurpimeve të bëra nga funksionarë e ish funksionarë të Komunës e të partisë. Gjithashtu Inspektoriati ka dështuar edhe në ndalimin e ndërtimeve pa leje apo rrënimin e tyre. Siç duket kriter për rrënim nuk është pasja e lejes por njoftësia me komunarët. Po ashtu edhe aksioni për mbylljen e klubeve të natës ishte më shumë shoë mediatik, i ndjekur me kamera dhe nën hijen e rëndë të policisë speciale. Kjo zgjati disa ditë, dhe pas kësaj gjithçka vazhdoi me të vjetrën.


Klientelizmi e ka përcjellë punën e Komunës së Prishtinës edhe gjatë këtij viti. Favorizimi i ndërmarrjeve të caktuara në dhënien e tenderëve ka qenë më se evidente. Ka rënë shumë në sy dhënia e tenderëve ndërmarrjeve ,,Alko Impex’’ dhe ,,Çlirimi’’. E kjo e dyta qe besa është privilegjuar edhe me parapagim të shumave që shkojnë deri gati në milionë, për çka edhe zyrtarë komunal u patën arrestuar. Pyetja që lind këtu është nëse z.Mustafa u ka borxh këtyre ndërmarrjeve nga fushata e kaluar, apo mos është parapërgatitje për fushatën e ardhshme?


Edhe projekti publiko-privat , që mendohet të ndërtohet përballë Kuvendit të Kosovës, synohet t’i jepet një bashkpartiaku të z.Mustafa, deputetit të LDK-së, Hashim Deshishkut.


Por dështimin më të madh për këtë vit ne e shohim te Drejtoria e Urbanizmit. Ky vit ka qenë vit skandaloz për punën e Drejtorisë së Urbanizmit, dhe tanimë ish drejtoreshës së urbanizmit znj.Luljeta Çeku-Sokoli, si dhe vit shkatërrues për qytetin e Prishtinës. Udhëheqësia e Komunës pati deklaruar datën 19 gusht 2010, si ditën pas së cilës asnjë objekt tjetër nuk do lejohej të ndërtohej pa leje. Kjo, siç e dimë të gjithë ne, nuk është përfillur as për së afërmi. Për këtë flet aneksi tek Qendra Grand Store dhe shumë e shumë objekte tjera.


Mos miratimi i planeve rregulluese, rishikimi edhe i atyre pak planeve të miratuara, mosrespektimi i planeve ekzistuese, bllokimi i lejeve të ndërtimit për lagjet të cilat kanë plan rregullativ janë dështimet e mëdha të kësaj drejtorie. Mos të harrojmë se në fushatën elektorale të vitit 2009, z.Mustafa pat premtuar se brenda vitit 2011 do të miratoheshin të gjitha planet rregulluese të lagjeve.


Mos dhënia e lejeve të ndërtimit në njërën anë dhe mos pengimi i ndërtimeve pa leje në anën tjetër kanë quar në degradimin edhe më tej të qytetit. Nëse një qytetar i ndërgjegjshëm bënë kërkesë për leje ndërtimi dhe drejtoria përkatëse nuk kthen përgjigje me muaj të tërë, e në anën tjetër ndërmarrjet e lidhura me pushtetin ngrehin komplekse ndërtesash dhe nuk pengohen, atëherë kjo indirekt qytetarin e ndërgjegjshëm e nxit që edhe ai të mos respektoj ligjin dhe të ndërtoj pa leje. Pra me mos punën e vet, Komuna e Prishtinës nxit qytetarët e saj në thyerjen e ligjit dhe ndihmon në degradimin urbanistik të qytetit, e që në fakt do të duhej ta bënin krejt të kundërtën.


PËRMBLEDHJE: Përgjithësisht viti 2011 për Komunën e Prishtinës ka qenë vit i dështuar. Mos arritja e miratimit të një sërë planeve urbanistike, ngecjet mbrapa në investime në shëndetësi, arsim, infrastrukturë, mos zgjidhja e problemit të furnizimit me ujë të pijshëm të disa lagjeve, në kohën kur komuna e sheh të arsyeshme të ndërtoj fontana, janë fakte të pakontestueshme për dështimet e Komunës në këtë vit. Z.Mustafa pat premtuar se në katër vite do të realizonte 700 milionë euro investime kapitale. Kjo i bie 145 milionë për çdo vit. Këto tri vite Komuna e Prishtinës asnjëherë nuk ka mundur të realizoj më shumë se 20 milionë euro investime kapitale në vit. Dështimi në investimet kapitale, për të tretin vit radhazi, ku asnjëherë nuk u realizuan as për së afërmi objektivat, është dështim i madhë për çdo udhëheqës.


Pas zgjedhjes në postin e Kryetarit të LDK-së, angazhimi dhe interesimi i z.Mustafa për Prishtinën ka rënë shumë. Që atëherë, degradimi dhe dështimet janë shtuar së tepërmi.


Shkuarja e Kryetarit dhe nënkryetarit në të njëjtën kohë në vizitë jashtë vendit dhe lënia e qytetit pa udhëheqje tregon papërgjegjësi totale. Bile ata nuk e panë të udhës që të paktën njëri të ndërpriste vizitën dhe të kthehej, atëherë kur në objektin e Komunës u vra njëri ndër zyrtarët kryesorë të saj. Çdo udhëheqës normal do ta bënte një gjë të tillë.


Për fund edhe diçka: Zoti Ismet Beqiri pat reaguar në deklaratën tonë se arsimi në Komunën e Prishtinës, si gjithkund në Kosovë, është politizuar së tepërmi. Po ju kujtoj se me datë 17 tetor 2011, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Ismet Beqiri thotë vetë se në Kosovë gjithçka është e politizuar. Se arsimi është i politizuar mendon edhe tani Kryetari i Komunës së Besianës, dikur ministër i arsimit, Agim Veliu. Mendoj që kjo mjafton për të treguar se kush ka të drejtë. Gjithashtu në një deklaratë të para do ditëve, Komuna e Prishtinës thotë se nuk paskemi thënë të vërtetën. E ne u themi se kur të duan mund të dalim në terren dhe t’ua tregojmë të gjitha ato vërejtje që ne i kemi pasqyruar në ekspozitën tonë.


 

Fjala e Sadri Ramabajës


Qeverisja në Komunën e Prishtinës karakterizohet jo thjeshtë vetëm nga mungesa e demokracisë, por edhe me mbytjen, respektivisht ngulfatjen  me paramendim të saj.


Si model duket se po shfrytëzohet ai i qeverisjes qendrore.


Siç jeni në dijeni, edhe me ndryshimet statutore në Kuvendin Komunal, LDK-ja si sponzorizuese e tij, duke mos kufizuar numrin e drejtorive, i len mundësinë kryetarit për fryrje të administratës dhe për abuzim me buxhetin e vendit.


Ndryshimi i statutit duke i dhënë kryetarit kompetenca shtesë nga ato që i garanton ligji për qeverisje lokale, i mundëson atij që ta përcaktojë edhe numrin e drejtorive, zyrave etj. flet për zhveshjen e këtij Kuvendi nga detyrat dhe obligimet e tij, por edhe për krijimin e parakushteve ideale për rrëshqitje të sistemit drejt autokracisë së tipit aziatik.


E vetëkuptueshme, aty ku ngulfatet demokracia, zëri i qytetarit nuk përfillet.


Meqë Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet për mbrojtjen e institucioneve demokratike


dhe kontrollin e brendshëm të demokracisë, duke mundësuar kështu zgjerimin e lirisë. Si zë i saj në këtë Kuvend, gjatë gjithë vitit kam kundërshtuar konceptet politike që mbështesin këtë frymë.


 

Kjo frymë antidemokratike e instaluar në administratën komunale, është bartur me gjithë kompleksitetin e saj, edhe në ndërmarrjet publike. Ato në fakt janë shndërruar në feude politike dhe fabrika për punësimin e militantëve të LDK-së.


Qytetarët, për pasojë, kanë shërbime të dobëta. Le të kujtojmë katrahurën e krijuar tash sa kohë në Trafikun Urban. Aty Komuna ka ndërruar brenda vitit tre drejtor, ka manipuluar me punëtoret duke mos u dhënë paga tash 11 muaj (duke i trajtuar herë pas here, për festa fetare etj. me pak lëmoshë), por nuk ka prodhuar ide për zgjidhjen e kaosit urban.


Tashti jemi në prag të festave të fundvitit, e këtë kaos urban,  në mungesë të një linje për aeroport, po vazhdon plaçkitja e mërgimtarëve nga mafia që qëndron prapa disa shoqatave të taksistëve.


Le të kujtojmë një fakt, aeroporti ynë, është i vetmi që nuk ka një linjë të rregullt të trafikut urban.


Gjendja aspak më e mirë nuk është as në ndërmarrjet tjera publike., si Termokosi, Pastrimi, Ujësjellësi (të cilit Komuna ia dhuroi pa kurrfar procedurash 20 hektar tokë) etj.


Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Prishtinë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera