Nga konferenca për media e mbajtur me 26 dhjetor në Ferizaj

26 Dec 2011

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Ferizaj, më 26.12.2012 organizoi konferencën e fundit për medie gjatë këtij vitit që po e lajm pas. Qëllimi i kësaj konference për media ishte që të prezantohen aktivitetet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Qendra në Ferizaj, strukturimi i zgjedhjeve të brendshme brenda Lëvizjes, monitorimi i projekteve të përpiluara nga ana e pushtetit lokal që kanë çuar deri tek ngurtësimi i ekzekutimit të tyre.


Në këtë konferencë morën pjesë: Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Qendra në Ferizaj Faton Topalli, nënkryetari Flamur Istrefi dhe sekretari organizativ Naim Jakaj.


Fjala e Faton Topallit:


Viti që po shkon ishte vit i sfidave të mëdha si për qytetarët ashtu edhe për Lëvizjen VETËVENDOSJE.


Qytetarët e Komunës sonë u ballafaquan edhe në këtë vit me probleme të mëdha.


Këto probleme kapin fushat kryesore që kanë të bëjnë me ekzistencën dhe mbijetesën e qytetarëve .


 Këto ditë pushteti komunal, përmes prononcimeve të shumta për media vuri theksin në një varg suksesesh të cilat përpiqen ta bindin qytetarin e Ferizajt për zhvillime pozitive në Komunën tonë.


Në këtë konferencë për media nuk duam as t’i mohojmë as t’i pohojmë zhvillimet pozitive në Ferizaj. Jo pse nuk dihen zhvillimet negative, por për shkak që mund të perceptohemi ndoshta si të anshëm në vlerësimet rreth punës së pushtetit lokal. Por, qytetarët nuk e masin zhvillimin as me fjalët e bukura që ndërthur qeveria komunale për vetveten, as me fjalët kritike që mund të shprehet opozita për pozitën. Qytetari e mat zhvillimin ekonomik dhe përparimin duke e krahasuar pozitën e tij ekonomike, politike e sociale me vitin që kaloi dhe me situatën në të cilën ndodhet sot.


Kështu ai ia shtron vetit pyetjet:


o    A kam jetuar këtë vit më mirë se vitin e kaluar?


o    A është punësuar gjatë këtij viti ndonjë person në familjen time?


o    A mund ta siguroj mbijetesën me rrogën që marr?


o    A mjaftojnë pensioni im për ushqim, ilaçe dhe veshmbathje?


o    A kam këtë vit më shumë apo më pak borxhe se vitin e kaluar?


Pra përgjigje në këto pyetje është indikatori më i mirë për të kuptuar se a ka pas apo nuk ka pas zhvillime pozitive në këtë vit.


Lëvizja VETËVENDOSJE! ka kaluar këtë vit procesin e gjatë të organizimit nga Këshilli për Zhvillimin e Qendrës deri tek themelimi i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj.


Për procesin e organizimit dhe aktivitetet e zhvilluara gjatë kësaj faze do të flasin kolegët e mi, Flamur Istrefi dhe Naim Jakaj.


Unë dua të përqendrohem më shumë në dy qëllime kryesore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për vitin 2012.


Pushteti ka për detyrë të rris mirëqenien e qytetarëve


Të krijojë kushte për zhvillim ekonomik


Të ofroj shërbime të mira për qytetarët


Të menaxhojë shfrytëzimin e resurseve të Komunës sonë


Të menaxhojë paratë publike të qytetarëve.


Ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! jemi shumë të interesuar që pushteti komunal t‘i përmbush obligimet që ai ka ndaj qytetarëve.


E kjo do të varet prej organizimit dhe angazhimit të vet qytetarëve.


Mjerisht qytetari edhe pse këtë të drejtë ia garanton ligji, e ka të vështirë ta kontrolloj dhe kritikojë pushtetin, sepse pushteti e shantazhon (duke i thënë të fus në punë nëse më përkrah), e kërcënon (duke i thënë se të largoj nga puna nëse nuk bënë atë që them unë).


Ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! kemi kuadro, ekspertë të fushave të ndryshme, madje edhe nga radhët e vet pushtetit aktual, të cilët kanë frikë të dalin publikisht si pjesëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, pikërisht për shkak të kërcënimeve të mundshme të pushtetit.


•    Në vitin 2012 Lëvizja VETËVENDOSJE! do të angazhohet që ta çliroj qytetarin nga shantazhi dhe kërcënimi për ta kthyer atë nga objekti në subjekt duke ia kthyer dinjitetin dhe vendin që i takon.


Si do ta arrijmë këtë?


 

•    Këtë do ta arrijmë duke qenë gjithnjë pranë qytetarit qoftë ai student, pensionist, i ri, familjar, i sëmurë, bujk, punëmarrës, punëdhënës, punonjës banke, mësues apo pastrues.


•    Pra duke u marr me problemet e tij konkrete, duke i shtruar për zgjidhje dhe duke i adresuar ato aty ku duhet.


•    Në qoftë se ne i emërojmë problemet


•    Në qoftë se i shtrojmë për diskutim publik


•    Në qoftë se ne i ftojmë në përgjegjësi ata të cilët janë përgjegjës për krijimin apo zgjidhjen e tyre nuk do të frikësohet më qytetari nga pushtetari por do të frikësohet pushtetari nga qytetari.


 

Kjo nënkupton që vitin e ardhshëm:


•    Do të kemi shumë takime me qytetarë


•    Do të angazhohemi për një debat të vazhdueshëm për problemet që e preokupojnë qytetin dhe qytetarët tonë.


Ky debat duhet të zhvillohet mes qytetarëve, subjekteve politike, organizatave joqeveritare, grupeve të ndryshme të interesit dhe pushtetit lokal.


Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Ferizaj pretendon që vitin e ardhshëm ta ndërmarrë dhe organizojë këtë debat duke krijuar kushte dhe hapësirë që problemet kryesore që i kanë qytetarët të shtrohen për diskutim dhe zgjidhje.


 

Fjala e Flamur Istrefit:


Viti që po e lëmë pas, karakterizohet me disa nga të arriturat kryesore për Lëvizjen VETËVENDOSJE! në Ferizaj sa i përket organizimit të brendshëm.


1.    Ne zgjedhjet e fundit kombëtare, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dalë subjekti i tretë më i votuar në komunën e Ferizajt, gjegjësisht me 20 % të votave të fituara në komunë , prej te cilave zgjedhje qendra jonë ka arritur të ketë kandidatin Faton Topalli në mesin e 10 më të votuarve në LVV.


2.    Viti 2011 karakterizohet edhe me bashkimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me partinë Fryma e Re. Ky bashkim, ka ardhur si nevojë për ndryshimin e gjendjes aktuale në sferat më të rëndësishme dhe njëkohësisht të ndjeshme të shoqërisë sonë duke përfshirë aspektin ekonomik, politik e social.


3.    Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Ferizaj, ka organizuar një sërë aktivitetesh, qëllimi kryesor i të cilave ishte krijimi i strukturës nëpërmjet zgjedhjeve të brendshme. Prej 1 prillit deri më 15 maj, Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka zhvilluar zgjedhjet e brendshme në të gjithë Kosovën. E njëjta ka ndodhur edhe në komunën tonë në Ferizaj, ku gjatë kësaj periudhe janë themeluar 28 pika, prej të cilave 6 në qytet e 22 nëpër fshatra dhe janë anëtarësuar rreth 1000 anëtar me kartela. Prej këtyre 28 pikave është bërë edhe zgjedhja e 87 delegatëve të cilët e përbëjnë Këshillin e qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në Ferizaj. Ky këshill më 1 qershor ka arritur që pas votimeve të zgjedh kryetarin e qendrës, nënkryetarin e parë, sekretarin organizativ, kryesuesin e këshillit, si dhe kryesinë prej 15 anëtarëve.


 

Planet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Qendra në Ferizaj për vitin 2012


Ne vitin e ardhshëm do të punojmë në mënyrë të vazhdueshme që ta shtrijmë aktivitetin më gjerë, përfshi krijimin e pikave të reja në komunën tonë si dhe shpeshtimin e aksioneve politike në mënyrë që t’i informojmë qytetarët vazhdimisht për situatën aktuale që mbretëron në vend. Viti 2012 do të jetë edhe vit i strukturimit te kuadrove në Nënkomitetet për politika të ndryshme dhe do të përfundojë me një Program Qeveritar të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj.


Fjala e Naim Jakajt:


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj është themeluar në vitin 2005. Ajo që nga ky vit ka zhvilluar shumë aktivitete si organizim më shumë politik se sa edhe institucional. Me vendimin për hyrje në zgjedhje në vitin 2010, si metodë që do t’i bashkëngjitet metodës së parë, VETËVENDOSJE! nis organizimin e saj strukturor gjithandej qytetit të Ferizajt dhe fshatrave të saj. Ideja e VETËVENDOSJE!-s është që të depërtojë në njerëzit që ia donte të mirën këtij vendi, t’i thërrasë ata, t’i bashkojë dhe që të punojnë bashkë për të mirën e përgjithshme.


Si njëra ndër qendrat më të mëdha të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kosovë, ajo ka zhvilluar shumë aktivitete politike, me qëllimin që qytetarët t’i ketë sa më afër. Qendra jonë përgjatë vitit 2011 ka zhvilluar këto aktivitete:


•    Kemi mbajt 7 konferenca për shtyp në lidhje me çështje të ndryshme komunale si dhe nacionale.


•    Gjatë këtij viti kemi mbajt 9 tubime publike me qytetarë në pikat e ndryshme të strukturës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Pjesëmarrja e njerëzve ka qenë gjendje gatishmërie për ta mbështetë Lëvizjen tonë.


•    Kemi marrë pjesë në tre debate televizive.


•    Kemi mbajt tre tubime të mëdha në qytetin tonë, si me ish punëtorët e Fabrikës së Tubave, pensionistët etj.


•    Kemi bashkëpunuar ngushtë me medie të ndryshme lokale dhe nacionale, duke dhënë afro 14 prononcime për çështje të ndryshme lokale.


•    Kemi marrë pjesë në 4 tryeza.


•    Kemi zhvilluar 5 aksione politike në qytetin tonë.


•    Gjatë këtij viti kemi adresuar disa shkresa për shumë çështje në drejtim të Kuvendit Komunal në Ferizaj


Dhjetor 2011:


Me 15 dhjetor kemi zhvilluar aktivitetin mandati i fundit ku kemi pasqyruar gjendjen e mjerueshme të qytetit dhe disa fshatrave në Ferizaj.


Me 17 dhjetor kemi mbajt një tubim me pensionistët e Ferizajt. Në tubim ka marrë pjesë Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti, anëtari i kryesisë së VV Dardan Sejdiu.


Me 17 dhjetor kemi mbajt një mbrëmje poetike me poetët e rinj të Ferizajt.


Me 21 dhjetor kemi mbajt një konferencë për shtyp. Tema ka qenë reagim ndaj deklaratave të drejtorit të drejtorisë për shërbime publike se fotografitë në mandatin e fundit janë bërë para shumë viteve.


Me 22 dhe 23 Dhjetor kemi mbajt dy diskutime mbi prioritetet e Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Ferizaj.


Me 24 Dhjetor kemi zhvilluar aktivitetin “Kryetar, shite xhipin”. Aktiviteti ka pas të bëjë me kërkesën që qendra jonë ia ka bërë kryetarit të komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli, për ta shitë veturën në vlerë të përafërt prej 50.000 euro dhe me paratë prej shitjes t’iu ndihmojë së paku 10 familjeve dhe me një pjesë tjetër të blejë një veturë shumë më pak të kushtueshme dhe shumë më pak shpenzuese.


Komunikimi me qytetarët është një proces i vazhdueshëm i të të mësuarit dhe sjell risi për një debat me gjithë shtresat e shoqërisë. Ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! e kuptojmë vlerësimin e komunikimit dhe kjo nuk mund të bëhet në kushte izolimi kur këtë në mënyrë të vazhdueshme e ka praktikuar pushteti lokal. Pushteti lokal aktual qeverisës, deri më tani na ka treguar shumë qartë se nuk ka vullnetin dhe guximin e duhur për të ndryshuar këtë gjendje si dhe mënyrën e mbijetesës nëpër të cilën po kalon qytetari, dhe ky menaxhim stagnant do të jetë prioritet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! që ta kthejmë në një dinamizëm konstruktiv. Filozofia politike e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk orientohet në retorikë të vazhdueshme për manipulimin e opinionit me informata boshe por kjo ka si qëllim që brenda karakterit të saj politik qytetarin ta angazhojë në mënyrë aktive për zgjidhjen e problemeve që e shqetësojnë. Brenda kritikës ne si qytetari aktive formojmë identitetin individual, dhe përmes kësaj ne arrijmë që ta zgjerojmë më tej dhe si proces i vazhdueshëm ne arrijmë të formojmë një identitet kolektiv koheziv.



 

 
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Ferizaj

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera