Udhëheqja e Komunës së Ferizajt ka humbur kontaktin me qytetin dhe realitetin

21 Dec 2011

Ibrahim Hyseni, drejtor i shërbimeve publike në  prononcimin e djeshëm për media, në lidhje me aktivitetin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Mandati i Fundit, i zhvilluar me 15 dhjetor, deklaroi që fotografitë e ekspozuara para komunës janë te periudhave të mëhershme dhe nuk  janë bërë nga anëtarët e Lëvizjet Vetëvendosje.


Fotografitë e ekspozuara janë të bërë gjatë 30 ditëve të fundit, nga pjestarët e Lëvizjes Vetëvendosje, prandaj dhe i takojnë kohës për të cilën përgjegjëse është udhëheqja e tanishme komunale. E vetmja fotografi e vjetër është  ajo e Fabrikës së Tubave e cila është fotografuar nga lartë dhe ka pas për qëllim të dëshmoj se në atë fabrikë dikur kishte punë.


Mendojmë që qytetarët janë dëshmitarët më të mirë të kësaj gjendje. Përndryshe një fakt tjetër që fotografitë janë të reja,  dëshmojnë  edhe fotografitë e periudhës së zgjedhjeve të kaluara nacionale  të cilat janë zhvilluar në fund të vitit të kaluar.


Për ne është pak e habitshme kjo përpjekje për të demantuar një realitet i cili është publik dhe nuk mund të fshihet. Unë besoj që qytetarët e njohin më mirë se pushtetarët ambientin që i rrethon.


Reagimi i djeshëm i qeverisë komunale përmes drejtorit Ibrahim Hyseni, shtron pyetjen se a jetojnë pushtetarët  tonë në Ferizaj apo ndonjë vend tjetër të planetit tonë. Kjo është dëshmia më e mirë se udhëheqja aktuale ka humbur kontaktin me qytetin dhe realitetin.


Megjithatë ne shohim dy  gjëra pozitive në këtë  reagim. Pozitive është që  Fotografitë e ekspozuara të  Lëvizjes VETËVENDOSJE! si duket i kanë shokuar edhe vet pushtetarët. Me reagimin e tyre ata pajtohen me Lëvizjen VETËVENDOSJE! se gjendja është shumë e keqe.  Ata mohojnë vetëm faktin që fotografitë janë aktuale. Se fotografitë janë aktuale e dinë të gjithë qytetarët e Ferizajt.


Në aktivitetin Mandati i fundit, Lëvizja VETËVENDOSJE! vuri në Fokus Planifikimin Buxhetor për vitin 2012. Ajo dëshmoi me fakte  që në vitin 2012  jo vetëm që nuk do të ketë përmirësim të jetës së qytetarëve dhe ngritje ekonomike, por që gjendja do të jetë shumë më e keqe se në këtë vit.


Aspekti i dytë pozitiv është fakti që qeveria komunale nuk reagoi në kritikat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për planifikimin buxhetor për vitin 2012 gjë që ne e konsiderojmë si unifikim të mendimeve për  këtë çështje.






Lëvizja VETËVENDOSJE! - Qendra në Ferizaj

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera