Pensionistët – paga e tyre më shumë ngjan me lëmoshën

17 Dec 2011

Të shtunën me 17 dhjetor, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj mbajti tubim me pensionistët e kësaj komune në Qendrën e Kulturës (ish TMK). Të pranishëm në këtë takim ishin kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, anëtari i kryesisë Dardan Sejdiu dhe kryetari i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj Faton Topalli. Nga sindikata e pensionistëve dhe invalidëve të punës ishte udhëheqësi i tyre Vesel Berisha.


Tubimin e hapi aktivisti Naim Jakaj, i cili përshëndeti të pranishmit dhe bëri prezantimin e ligjëruesve. Më pas fjalën e mori, Vesel Berisha ku para të pranishmëve shprehu pakënaqësinë për trajtimin që po ju bëhet pensionistëve në Kosovë. Ai në mes të tjerash theksoi se: “Qeveria aktuale, gjatë fushatave parazgjedhore, na ka premtuar që pensioni jonë do të rritet dhe do të jetë me i lartë se në  shtetet tjera të Ballkanit. Ju kemi dhënë një porosi kësaj qeverie që më në fund fjala jonë të dëgjohet dhe jo të vazhdohet më me gënjeshtrat e tyre parazgjedhore. Durimi jonë është në përfundim e nuk mund të presim fjalë të kota që nuk kanë një konkretizim”. Veseli, po ashtu përmendi se në kohërat më vitale të jetës sonë kemi dhënë kontributin që të kemi një pleqëri të mirëfilltë.


Pastaj tij foli kryetari i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj, Faton Topalli, i cili i informoi pensionistët ferizajas përmes disa statistikave për numrin e përgjithshëm të pensionistëve në Ferizaj, si dhe shpalosi idetë dhe alternativat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që çojnë në zgjidhjen e problemit të tyre.“Gjatë vitit 2010, komuna jonë ka 10.741 pensionistë që marrin pensionet bazë, dhe 2.407 pensionistë që marrin pensione në bazë të kontributeve personale. Karshi tyre, një armatë njerëzish të rinj, të aftë për punë, që me një politikë racionale nuk do të kishin asnjë vështirësi për t’i siguruar gjeneratës tjetër një jetë normale.


Ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! duam që gjyshërit tonë, baballarët tonë dhe nënat tona, pas 40 vitesh punë për të ndërtuar këtë vend, pas gjithë atyre sakrificash dhe përpjekjesh në kushte jashtëzakonisht të vështira për të na shkolluar, për të na siguruar hapësira banimi, hapësira mësimi, të kenë jetë të dinjitetshme në pleqëri, e jo jetojnë si lyps e si rast social”, u shpreh Topalli.


Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, foli për situatën aktuale politike dhe për negociatat e Brukselit që jo vetëm që po e dëmtojnë interesin tonë kombëtar, por po e vështirësojnë edhe zgjidhjen e problemeve në shumë sfera të tjera të jetës. Ai tha se konçesionet që po bëhen në Bruksel, po bien në kurriz të popullit. “Fondin pensional e ka plaçkitur Serbia. Pushtetarët e politikës aktuale të Kosovës, të cilët e kanë uzurpuar majat e pushtetit, nuk po kërkojnë që fondi i këtyre pensionistëve të kthehet, por po vazhdojnë me politikat e tyre jashtë interesave të kësaj gjenerate.


Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se nuk mund të ketë punësim pa prodhim. Shteti universal është shtet për të gjithë jo vetëm për pakicën. Ky është shndërruar në një shtet nga shumica për pakicën, dhe si pasojë vjedhja e buxhetit që po ndodh në shtetin tonë është vjedhje ndaj të varfërve”, tha mes tjerash Albin Kurti.


Para të pranishmëve foli edhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Dardan Sejdiu, i cili u fokusua në sistemin pensional të Kosovës. “Me ndryshimet që janë bërë në vitin 2001, është vendosur kalimi nga sistemi i solidaritetit në mes gjeneratave në atë të sistemit të vetëfinancimit. Kemi bërë një mëkat shumë të madh. 600 milionë euro i kemi jashtë funksionimit të trustit pensional. Po ashtu nuk kemi një ligj për sigurimin e pensionistëve dhe invalidëve”. Për të ndryshuar këtë gjendje, Sejdiu paraqiti alternativën e bazuar në modelin që aplikojnë vendet tjera të Ballkanit, si për shembull Kroacia. Ky model është sistem i kombinuar, (solidar  dhe vetëfinancimi) ku 3% e  paguajnë punëdhënësit dhe 3% e paguajnë punëmarrësit e mbi këtë bazë fondi pensional pasurohet prej 81 milionë euro kështu pagesa mund të arrijë në shumën prej 160-170 euro.


Përmes këtij tubimi, Lëvizjes VETËVENDOSJE! shpalosi alternativat e saj për ta ndryshuar këtë sistem pensional, në mënyrë që pensionistët e Kosovës të kenë një pension sa më të dinjitetshëm.



 

Lëvizja VETËVENDOSJE! - Qendra në Ferizaj

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera