Komunikatë nga tryeza “Efektet e privatizimit në Anamoravë”

14 Dec 2011

Sot, më 14 Dhjetor, qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, organizoi tryezë rreth temës “Efektet e privatizimit në Anamoravë”.


Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin sindikata e punëtorëve, punëtorët e ndërmarrjeve tashmë të privatizuara, punëtorët nga ndërmarrjet në privatizim e sipër nga Gjilani, Dardana dhe Vitia; përfaqësues nga mediat, shoqëria civile dhe dy aktivistët nga kryesia e Lëvizjes VETÊVENDOSJE!  Xhelal Sveçla dhe Dardan Sejdiu.


Tryeza u hap nga kryetari i këshillit të qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, Nexhmedin Shaqiri që filloi diskutimin duke parashtruar disa pyetje si : A është rritur numri i të punësuarve pas privatizimit? A është rritur prodhimi vendor pas privatizimit? A është rritur eksporti i vendit, pas privatizimit? Këto e shumë pyetje të tjera që kishin të bënin me thelbin e privatizimit si proces, u shtruan për diskutim.


Sindikalistët e Fabrikës së Radiatorëve dhe të ndërmarrjeve tjera theksuan se në Gjilan këto ndërmarrje kanë punësuar afër 17,000 persona dhe se tash 10 vite më vonë nuk i punësojnë as 1,700 persona. Për më shumë, shumica e këtyre ndërmarrjeve tani më kanë ndryshuar destinimin, dhe janë shndërruar në biznese tregtare dhe joprodhuese ashtu siç ishin para privatizimit.


Pra, një dekade më vonë, pas privatizimit të dështuar ka papunësi edhe më të theksuar në tërë Kosovën, me ekonomi ende me të rraskapitur, dhe me afera korruptive që ndërlidhen kryekëput me procesin e privatizimit, siç dëshmon edhe rasti i Fabrikës së Radiatorëve.


Dardan Sejdiu aktivist nga kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! rreth temës që trajtoi tryeza dhe rreth zhvillimeve potencoi se :“Ekonomia e Kosovës është strukturuar në tregti. Kemi krijuar varshmëri nga importi. Kuleta e kësaj Republike krijohet nga doganat. Ne nuk kemi arritur ta rrisim eksportin dhe disbalanci tregtar është më i madhi në rajon dhe në Evropë. Investimet kanë shkuar duke rënë dhe nuk kanë gjeneruar diçka të re.”


Të ftuarit kërkuan që të ngritët një komision parlamentar që do të hetonte dhe analizonte procesin e deritanishëm të privatizimit, dhe ta stoponte atë.



 

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera