Komunikatë për media “1878” – është shenja që i jep kuptim logos së Komunës së Prizrenit

06 Dec 2011

Pas miratimit të dispozitave të Pakos së Ahtisaarit nga Kuvendi i Kosovës mbi të cilat bazohet akti më i lart juridik dhe politik në vend –  Kushtetuta e Republikës së Kosovës, mohimi i historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar është ngritur në nivel të obligimit dhe detyrimit institucional.


Vendimi i datës 18 mars 2010 i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i bazuar mbi ankesën e parashtruar nga zëvendëskryesuesi i Komunës së Prizrenit Qemajl Kurtishi, pati vlerësuar se emblema e Kuvendit Komunal të Prizrenit nuk është në përputhje me Kushtetutën meqë shkel të drejtat e komuniteteve jo-shumicë në Komunën e Prizrenit.


Komisioni për emblemë i Kuvendit Komunal të Prizrenit i formuar enkas për çështjen e logos së Komunës, pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në mbledhjen e saj të fundit, ka marrë vendim përfundimtar për heqjen e vitit “1878” nga logoja e Kuvendit Komunal.


Ky komision, i cili përbëhet kryesisht nga anëtarët e subjekteve politike të pozitës dhe opozitës brenda Kuvendit Komunal të Prizrenit, me harmonizimit e konsensusit të tyre me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, kanë tradhtuar haptazi vullnetin e qytetarëve pavarësisht premtimeve të tyre publike se nuk do të lëshojnë pe asnjëherë për asnjë element në përmbajtjen e logos.


Arsyetimi i dorëzimit të turpshëm të tyre në emër të konformizmit patetik institucional, përfaqësuesit e subjekteve politike në Kuvendin Komunal të Prizrenit i bënë të pazot dhe të paaftë për t’i përfaqësuar interesat e qytetareve në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.


Me heqjen e vitit “1878”, e tëra që mbetet nga emblema është një objekt simpatik me elemente interesante arkitekturale. Pra, është pikërisht viti ai që i jep rëndësinë dhe kuptimin emblemës, jo objekti!


Konsiderojmë që heqja e vitit “1878” nga emblema e Komunës së Prizrenit, përveç që shkel rëndë vullnetin e qytetarëve të Prizrenit dhe të popullit shqiptar në përgjithësi paraqet edhe mohim të qëllimshëm të trashëgimisë historike kombëtare shqiptare dhe cënim të rëndë të vullnetit dhe interesave të shumicës si bazament i demokracisë.


Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra e Prizrenit

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera