Nga konferenca për media e mbajtur me 2 dhjetor në Gjilan

02 Dec 2011

Të premten me 2 dhjetor, Lëvizja VETËVENDOSJE!, Qendra në Gjilan, mbajti konferencë për media lidhur me problemet në shkollat publike të kësaj komune.


Nënkryetari i parë i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, Nevzad Isufi, foli për vështirësitë dhe pengesat në procesin edukativo-arsimor. Aty u përfshinë shkollat me tri ndërrime, numri i madh i nxënësve nëpër paralele si dhe shumë probleme tjera me të cilat përballen nxënësit në shkollat e kësaj komune.


“Problem shtesë është bërë humbja e një numri të madh të orëve të mësimit, për mungesë të rrymës. Pa rrymë, një pjesë e shkollave nuk kanë mundësi të sigurojnë as ngrohje. Jo të gjitha shkollat kanë gjenerator të rrymës, ndërsa disa kanë prishje dhe s’kanë mjete për t’i riparuar. Disave u mungojnë derivatet. Të gjitha këto gjenerojnë humbje të orëve të mësimit, rënie të cilësisë së mësimdhënies e mësimnxënies, rrezikim të shëndetit të fëmijëve-nxënësve e të mësimdhënësve”, u shpreh Isufi.


Anëtari i Kryesisë së Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, Murat Morina, foli për problemet e tjera me të cilat po përballen mësimdhënësit dhe nxënësit në shkollat e mesme publike. Ai tha se humbja e orës mësimore po bëhet nga mungesa e seriozitetit dhe nga papërgjegjësia e institucioneve komunale dhe qendrore për arsim.


Ndërsa nxënësja Doruntina Hasani, adresoi shqetësimet nga këndvështrimi i nxënësve lidhur me mungesën e inventarit nëpër shkolla, mungesën e ngrohjes si dhe problemet me organizimet e testit pedagogjik mësimor.




Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Gjilan

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera