Biznesi i diplomave në fakultetin e biznesit

01 Dec 2011

Sot jemi këtu që me anë të këtij aksion simbolik, ta shprehim indinjatën tonë në lidhje me keqpërdorimet që kanë ndodhur gjatë viteve të shkuara në Fakultetin e shkencave të aplikuara në biznes.


Gjatë vitit 2000 e deri në vitin 2008 shumë diploma janë falsifikuar dhe shumë persona te cilët as që kanë qenë pjesë e këtij fakulteti kanë diplomuar. Po ashtu gjatë këtyre viteve kalueshmëria e studenteve në këtë fakultet ka qenë mbi 50 % . Rastet e tilla që kanë ndodhur në të shkuarën përpos që kanë dëmtuar rëndë imazhin e fakultetit gjithashtu janë duke e dëmtuar edhe të ardhmen e këtij  fakulteti si dhe të ardhmen e vetë Universitetit të Pejës.


Siç duket emërtimin e fakultetit, drejtuesit e kanë zhvendosur nga studimi teorik tek “aplikimi” i drejtpërdrejtë.


Ne, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Pejë jemi shumë të shqetësuar duke qenë se  me diploma të tilla  studentë të caktuar kanë arritur të regjistrojnë edhe nivelin e dytë të studimeve (master) apo edhe të zënë një vend të punës në institucione të ndryshme publike  duke e legjitimuar kështu shndërrimin e këtij fakulteti nga një vend ku fitohet dija, në një treg të madh të diplomave. Çfarë ka ndodhur në këtë fakultet, buxhetit të Kosovës i ka shkaktuar dëme në vlerë afro 1 milion euro por, mbi të gjitha Kosovës i është shkaktuar dëm në aspektin akademik dhe intelektual ku gjenerata të tëra  kanë diplomuar nga fakulteti pa fituar as njohuritë bazike në drejtimet përkatëse. Gjithashtu me anë të këtyre keqpërdorimeve është bërë edhe degradimi i atyre studenteve të cilët me meritë kanë arritur të diplomohen.


Për më tepër në këtë fakultet duket haptazi nepotizmi, si rrjedhim bëhet i pamundur korrigjimi i kësaj gjendjeje nga brenda institucionit. Zgjidhja mbetet tek ndërhyrja e organeve të drejtësisë. Kështu kemi shpresën se drejtësia do ta thotë fjalën e vetë për të gjithë ata zyrtarë të këtij fakulteti të cilët kanë qenë të implikuar në këto veprimtari jolegale.





Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra e Pejës

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera