Reagimi i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, në lidhje më ndryshimin e statutit të Komunës së Gjilanit

18 Nov 2011

Qysh në vitin 2006, mbi 20 mijë qytetar të Komunës së Gjilanit patën nënshkruar peticionin kundër decentralizmit mbi baza etnike.


Më 9 korrik të vitit 2010, Lëvizja VETËVENDOSJE! pati organizuar një aksion protestues, duke i bllokuar kështu hyrjet e objektit të Kuvendit Komunal të Gjilanit, në mënyrë që të mos lejohet hyrja e këshilltarëve komunal në mbledhjen ku do të miratohej Statuti me ndryshime i Komunës së Gjilanit. Këtë e bëmë për shkak se këto ndryshime janë vlerësuar në kundërshtim me vullnetin e shumicës së qytetarëve të kësaj komune, dhe se po i gllabërojnë 25% të territorit komunës sonë.  Atëherë, para syve të të gjithë asamblistëve, janë arrestuar 27 aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, ku njëri ndër këta të arrestuar është sot edhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Liburn Aliu. Kjo protestë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ndikoi që Kuvendi Komunal ta pezullonte si pikë të rendit të ditës. Madje, me kërkesë të Grupeve Parlamentare, u pat shtyrë me afat të pacaktuar shqyrtim-miratimi i ndryshimit dhe plotësimit të Statutit të Komunës së Gjilanit.


Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar Statutin me ndryshimet dhe plotësimet e iniciuara nga kryetari i Komunës së Gjilanit, më 11 nëntor të këtij viti, pa pasur debat publik me qytetarët dhe pa i pyetur ata fare.


Ky statut i ri dëmton shumë rëndë hapësirën territoriale të Komunës së Gjilanit. Në nenin 8, paragrafi 10.2 të Statutit të Komunës së Gjilanit, tekstualisht thuhet se: “Territori i komunës së Gjilanit si njësi territoriale përbëhet prej lagjeve urbane, fshatrave dhe vendbanimeve sipas zonave kadastrale si në vijim: 1. Bilinicë, 2. Bresalc, 3. Bukovik-Capar, 4. Burincë, 5. Velekincë, 6. Lladovë, 7. Llashticë, 8. Vrapciq, 9. Verbicë, 10. Gadish, 11. Gjilan, 12. Sllakovc i Epërm, 13. Livoq i Epërm, Sllakovc i Ultë, 15. Livoq i Ultë, 16. Dunav, 17. Zhegoc, 18. Verbicë e Zhegocit, 19. Zhegër, 20. Inatoc, 21. Kishnapolë, 22. Kmetoc, 23. Kravaricë, 24. Lipovicë, 25. Llovcë, 26. Goden i Vogël, 27. Malishevë, 28. Mucibabë, 29. Nasalë, 30. Pidiq, 31. Pogragjë, 32. Ponesh, 33. Përlepnicë, 34. Sllubicë, 35. Stanciq, 36. Stublinë, 37. Uglarë, 38. Cërnicë, 39. Celik, 40. Shillovë, 41. Shurdhan, 42. Dobërqan”. Me këtë nen, i tkurret territori komunës  tonë për 25% të tërësisë së saj.


Ky statut i ndryshuar dhe i miratuar, bëhet mbi bazën e decentralizimit etnik, jo atij qytetar. Në vend që shërbimet se t’i afrohen sa më afër qytetarit, ato i shkojnë shumë më larg, madje deri mbi 20 km. Ky Statut i ndryshuar do t’i dëmtojë rëndë veçmas qytetarët e Pasjakut (fshat me shqiptarë), Koretishtës, Stanishorit, Kufcës së Epërme, Kosaqës (fshat me shqiptarë), ku për një shërbim komunal duhet të shkojnë deri afër 25 km për në Komunën e Artanës (ish Novobërdes). Pra, ky nen i Statutit me paragrafin e ndryshuar, dëmton të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit, pa dallim etnie.


Banorët e këtyre fshatrave kanë filluar të shpërnuglen. Për të mos humbur vendet e tyre të punës, ata detyrohet te bëjnë regjistrim te rrejshëm  të  vendbanimit sikur janë banorë të komunës së Gjilanit.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan ka ngritur zërin kundër procesit të tërësishëm të decentralizimit mbi baza etnike, duke përfshirë këtu edhe decentralizimin etnik të rajonit të Anamoravës, dhe e kundërshtojmë edhe këtë ndryshim të Statutit të Komunës së Gjilanit.  


Lëvizja VETËVENDOSJE! - Qendra Gjilan

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera