Pushteti lokal në Vushtrri shkel mbi vlerat dhe pasuritë kombëtare

17 Nov 2011

Qytetarët e komunës së Vushtrrisë po vazhdojnë të përballen çdo ditë e më shumë me dukurinë e keqpërdorimit të tokave pjellore të kësaj komune. Për më keq, kjo shëmti po stimulohet nga institucionet përkatëse komunale, përmes lejeve të ndryshme të ndërtimit.


Përmes këtyre ndërtimeve, komunës së Vushtrrisë i janë ngushtuar rrugët e i janë zvogëluar hapësirat me gjelbrim. Përveç kësaj, toka të shumta pjellore janë tjetërsuar dhe janë degraduar tërësisht.


Duke ditur se Komuna e Vushtrrisë ka rekord për sa i përket prodhimit të patates, 60 tonë për hektar, pushteti lokal po i shkatërron këto toka duke i mbuluar me gurë e beton. Një pjesë e tyre janë shëndërruar në depo të materialeve ndërtimore, një pjesë në pompa të benzinës e objekte të tilla që në asnjë mënyrë nuk e arsyetojnë humbjen ekonomike që i shkaktojnë kësaj pjese.


Rasti më i fundit është në fshatin Pestovë. Aty është ndërtuar një depo e materialit ndërtimor, përvecc dëmit në territor ndodh që ky ndërtim ngulfat edhe lapidarin e dëshmorëve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Vushtrri kërkon me ngulm që të ndalohen këto ndërtime, dhe që toka pjellore t’i kthehet bujkut. Këto toka do duhej ta kishin destinacionin që kanë pasur me parë, si toka të klasës së lartë duke qenë se janë mjaftushmërisht pjellore, duke e ndalur kështu shëndërrimin e tyre në djerrina betoni.


 


Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Vushtrri

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera