I cilës komunë është kryetar, Isni Kilaj?

16 Nov 2011

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Malishevë, duke i ndjekur me kujdes sferën publike, ka vërejtur papërgjegjësi të mëdha nga institucionet komunale. Ne në vazhdimësi kemi ngritur shqetësimet për shumë çështje, duke mos qenë vetëm kritik por edhe duke dhënë alternativa për këto.


Sot po ngremë disa çështje të cilat qartazi i tregojnë shkeljet që është duke i bërë kryetari Kilaj dhe vartësit e tij.


Kryetari i Komunës së Malishevës Isni Kilaj po ushtron mandatin e tij jashtëligjshëm. Ai ka shkelur  nenin 3.2 të ligjit për zgjedhjet lokale qe thotë: “Mandati i Kryetarit të Komunës përfundon nëse ndërron vendbanimin në Komunë tjetër”.  Isni Kilaj qe një kohë  është duke jetuar në Prishtinë në lagjen Sofali, dhe  përveç dëmit politik duke qenë larg  qytetarëve ai po i shkakton dëm buxhetit të Komunës duke udhëtuar çdo ditë me veturë zyrtare  Prishtinë – Malishevë dhe anasjelltas. Vetëm në 6 mujorin e parë Janar-Qershor 2011 janë shpenzuar 51.000 euro për karburante në Komunën e Malishevës.


Por, nuk është vetëm Kryetari që shkel ligjet, atë po e bënë edhe Kuvendi Komunal përkatësisht disa asambleistë të partisë në pushtet, PDK-së. Anëtari i Kuvendit Komunal Naim Morina ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Kuvendit për të punuar si drejtor i shkollës fillore “Bajram Curri” në Drenoc. I njejti, nga zgjedhja e tij si Asambleist deri tani i ka mbajtur të dy pozitat, por tani i ka lëshuar vendin anëtarit që ka qenë në radhë në listën e PDK-se, Ahmet Rrahmanajt. Edhe këtu kishte shkelje për arsye se Ahmet Rrahmanaj ka bërë betimin në Kuvendin e Komunës pa u certifikuar nga KQZ-ja dhe ka marrë pjesë në disa votime, vota e të cilit ka qenë vendimtare.


Gjithashtu shkelje të ligjeve në fuqi  kanë bërë disa delegatë që janë duke ushtruar në të njëjtën kohë dy poste publike, atë të asambleistit dhe të drejtorit të shkollës, siç është Rajmonda Krasniqi, e cila është edhe asambleiste e PDK-se edhe drejtoreshë e shkollës fillore “Hasan Prishtina” në Tërpezë.


Ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! kërkojmë që të respektohen ligjet në fuqi, të ndërmerren masa nga Kuvendi Komunal, Ministria e Pushtetit Lokal dhe organet e drejtësisë dhe kryetari Kilaj të shkarkohet ose të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit, për arsye se po qëndron jashtëligjshëm në pushtet, dhe se ai e ka humb edhe të drejtën morale për të qeverisur Malishevën. Ai nuk jeton më këtu, dhe në këtë mënyrë ai nuk jeton më me hallet dhe problemet e qytetarëve. Në anën tjetër, ai i ka ironizuar qytetarët duke treguar shembull të keq se në Malishevë nuk jetohet.


Ne kërkojmë që Kuvendi Komunal t’i anulojë vendimet, për votimin e të cilave vota e Ahmet Rrahmanajt ka qenë vendimtare, dhe të pres certifikimin dhe zyrtarizimin e tij nga KQZ-ja. Gjithashtu, anëtarëve tjerë që ushtrojnë dy poste publike t’ua marr njërin post, duke u bazuar në nenin 65.2 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale “Drejtorët Komunal, drejtorët e institucioneve dhe ndërmarrjeve nën autoritetin e Komunës dhe nëpunësit civil të administratës së Komunës, nuk mund të jenë anëtarë të Kuvendit të Komunës ku ata punojnë”.


Pra, papërgjegjësia e kryetarit Kilaj dhe vartësve të tij, përveç dëmeve ekonomike që po i bëjnë buxhetit komunal, ata edhe po e shkelin ligjin duke dhënë mesazhin më të keq për qytetarët e Komunës së Malishevës. Lëvizja VETËVENDOSJE! do të vazhdojë të kërkojë llogaridhënie nga zyrtarët e Komunës, dhe do të vazhdojë të mbrojë interesin publik!






Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Malishevë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera