Qëndrimi i Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Prishtinë në lidhje me buxhetin e miratuar të Komunës së Prishtinës për vitin 2012

14 Nov 2011

Lëvizja VETËVENDOSJE!, qendra e saj në Prishtinë, në kuadër të organizimit të saj ka vënë në funksion edhe nënkomitetet, si njësi profesionale për çështje të caktuara. Analiza e këtij buxheti është bërë në bashkëpunim me Nënkomitetin për ekonomi dhe financa.


Buxheti për Vitin 2012, për fat të keq, është vazhdimësi e logjikës së mbrapsht të projektimit të buxhetit dhe idesë së zhvillimit të ekonomisë.


Udhëheqja e komunës thotë se buxheti i vitit 2012, është për 3.8% më i lartë se ai i vitit paraprak. Por, nëse merren vetëm të dhënat zyrtare, në Kosovë kemi një inflacion prej 8.4%. Kjo i bie që përkundër rritjes në shifra, ne në vitin e ardhshëm do të mund të blejmë më pak. Pra, këtu nuk kemi kurrfarë rritje të Buxhetit. Për dy vitet e ardhshme, ka parashikime që rezultojnë të jenë edhe më të zymta.


Element tjetër shqetësues është edhe fakti se vetëm 35% e buxhetit, përbëhet nga të hyrat vetanake. Shto kësaj edhe faktin se mbi gjysma e të hyrave vetanake (52%) janë të hyra nga lejet për ndërtim.


Hartimi dhe miratimi i buxhetit bazuar në të hyra të njëhershme dhe jo të sigurta është papërgjegjësi politike, që ndërlidhet me rrezik permanent për dështim. Prishtina edhe ashtu është stërngarkuar me ndërtesa dhe projektimi i buxhetit mbi të hyrat e mundshme nga lejet e ndërtimit, nënkupton edhe vazhdimin e degradimit të Qytetit të Prishtinës në rrafshin urban.


Pushtetmbajtësit e sotëm në Prishtinë gjatë fushatës zgjedhore patën premtuar se do të ofrojnë 50.000 vende të reja pune, por në dy vitet e fundit papunësia në Prishtinë vetëm sa është rritur.


 

Tek të hyrat vetanake ekziston edhe një shumë prej 800.000 €, e llogaritur të realizohet nga gjobat në trafik. Ky është një paragjykim fyes për kulturën e qytetarëve në komunikacion, respektivisht sjelljen e pritshme të tyre kundruall ligjit.


Te objektivat e këtij buxheti, zhvillimi ekonomik, zë vetëm vendin e 12-të. Madje edhe pas qëllimeve të tilla si përmirësimi i bashkëpunimit ndëretnik, integrimi i komuniteteve etj. Sesa është i interesuar pushteti i sotëm në Prishtinë për jetë cilësore të qytetarëve, na e bënë shumë të qartë fakti se Komuna e Prishtinës për tërë vitin 2012 shpenzime për furnizim me barna, injeksione, fasha e material tjetër shpenzues, ka paraparë 170.000 €. Kjo i bie 56 cent në vit për një qytetar, më pak se një makiato, edhe atë të vogël.


Në Komunën e Prishtinës, është rritur numri i të papunëve me 2.1% , e po ashtu edhe numri i familjeve që marrin asistencë sociale me mbi 10% dhe kjo sipas të dhënave të vetë komunës së Prishtinës, sepse sipas të dhënave tjera këto shifra janë edhe më të larta.


Nëse do të sillnim këtu konkluzionet e pritshme për këtë buxhet, atëherë do të vërejmë se:


1.    Ai është produkt dhe vazhdimësi e të njëjtave koncepteve politike të viteve të kaluara, të cilat anashkalojnë qytetarin.


2.    Udhëheqja e Komunës së Prishtinës me ekipin që e ka hartuar këtë buxhet, dëshmohet se është pa vizion për zhvillim ekonomik;


3.    Buxheti në asnjë prej zërave përkatës nuk është i detajuar. Qytetari nuk ka informacion se mbi çfarë kriteresh është mbështetur ekipi kur ka hartuar politikat për shpërndarjen e parasë publike;


4.    Rritja e buxhetit është jashtëzakonisht e mangët për të përmbushur edhe nevojat më elementare të qytetarëve. Për pasojë shpërndarjen e të mirave materiale e përcjell gjithandej logjika klienteliste;


5.    Ka munguar qoftë edhe doza e profesionalizmit elementar në hartimin e buxhetit. Kjo dëshmohet edhe më qartë në prezantimin e katër tabelave përkatëse. Madje në këtë rrafsh, profesionalizmi në prezantimin i buxhetit nuk kalon atë të ndonjë organizate joqeveritare serioze.


 



Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Prishtinë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera