Kërkesë – Kundërshtim i rekomandimit të Komitetit për politikë dhe Financa në lidhje me zhvendosjen e përmendores së Dëshmorëve të Kombit Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha

02 Nov 2011

Për: z. Qemajl Mustafa, Kryetar i Komunës së Gjilanit,


Për: Z. Izmi Zeka, Kryesues i Kuvendit Komunal në Gjilan


Për: Shefat e Grupeve të Këshilltarëve Komunalë: Ejup Haziri (PDK), Arben Mehmeti (LDK), Sokol Haziri (AAK), Arben Maliqi (AKR), Jakup Bajrami (LDD), Këshilltarët komunal.


Për: Mustaf Shalën, pronar i Hotelit “Kristal”


Nga: Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje Gjilan, Ismajl Kurteshi, kryetar.


Data: 02. 11. 2011.


Lënda: Kërkesë  -  Kundërshtim i rekomandimit të Komitetit për politikë dhe Financa në lidhje me zhvendosjen e përmendores së Dëshmorëve të Kombit Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha.


Zonja dhe zotëri të nderuar,


Kryesia e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan pas njoftimit me rekomandimin e Komitetit për Politikë dhe Financa të datës 27. 10. 2011, në lidhje me zhvendosjen e përmendores së dëshmorëve të kombit Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, në mbledhjen e mbajtur me 1. 11. 2011, pas diskutimit në lidhje me këtë rast nxori përfundimet në vijim:Rekomandimi i KPF-së është: i kundërligjshëm, i pa analizuar mirë, i ndikuar, i pa shembull për sistemet demokratike, i papranueshëm si praktikë,  sepse shkakton  shumë pakënaqësi dhe mosmarrëveshje në Kosovë dhe i dëmshëm sa i përket ruajtjes së monumenteve me vlera kombëtare dhe historike për vendin dhe kombin. Prandaj Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, kërkon nga Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Gjilanit, që aktualisht përfaqësojnë interesat e  qytetarëve, të mos e përkrahin këtë iniciativë sepse kjo iniciativë sigurisht nuk i përfaqëson këto interesa.Po ju njoftojmë se përmendorja e dëshmorëve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha është vendosur aty në përputhje me projektin urbanistik për rregullimin e hapësirës së lirë para Hotelit “Kristal”, në Qendër të Qytetit të Gjilanit të datës 14. 04. 2004, e aprovuar në seancën e Kuvendit Komunal të Gjilanit me 29. 04. 2004, nr. 01. 3788/ 020.Misioni i këshilltarëve komunalë është përpjekja për zgjerimin e shesheve ekzistuese dhe ndërtimi i shesheve të reja për qytetarë e jo tkurrja e tyre për interesa individuale.  


Për Lëvizjen   VETËVENDOSJE! privatizimi i trojeve  ku do që janë të vendosura përmendoret e dëshmorëve apo monumentet e tjera me vlera të kulturës dhe traditës tonë dhe zhvendosja e tyre është e pa pranueshme dhe do të kundërshtohet  me vendosmëri.
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! është e shqetësuar nga përkrahja e pajustifikueshme e institucioneve vendore, të iniciativave  të motivuara nga interesa të ngushta materiale, që cenojnë rëndë vlerat e pakontestueshme kombëtare.Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan  kërkon nga Këshilltarët Komunalë të Gjilanit dhe pronari i Hotelit “Kristal” si në vijim:


1) Pronari i Hotelit “Kristal” në Gjilan të heq dorë nga kërkesa për zhvendosjen e përmendores dhe nga privatizimi i asaj pjese të tokës.


2) Kuvendi Komunal, bazuar në marrëveshjen e arritur me pronarin e hotelit, truallin ku është e ngritur përmendorja ta kthejë në pronësi të komunës përmes procedurave të parapara me ligj.


3) Në rast se nuk arrihen marrëveshjet e sipërshënuara, Këshilltarët komunalë duhet ta shpallin truallin e lartpërmendur vend  të interesit të  veçantë bazuar në ligjet në fuqi.


4) Këshilltarët Komunalë të mos e votojnë rekomandimin e Komitetit për Politikë dhe Financa të datës 27. 10. 2011. në lidhje me zhvendosjen e përmendores së dëshmorëve të Kombit Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha.




Lëvizja VETËVENDOSJE! - Qendra Gjilan

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera