Marshi i pakënaqësisë së qytetarëve mbi projektin e pakryer të “Mirushës” në Gjilan

29 Oct 2011

Sot më 29 tetor, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan organizoi një marsh protestues të qytetarëve, në shenjë paknaqësie për projektin e pakryer të lumit Mirusha në qytet.


Ujërat e zeza të lumit “Mirusha” për shumë vite kanë ndotur tërë qytetin e Gjilanit, sepse trajektorja e rrjedhës së këtyre ujërave është në brendësi të qytetit dhe në periferi. Si rezultat i kësaj, qytetarët e Gjilanit janë të ekspozuar kundërmimit të rëndë, si pasojë e mbulimit të shtratit të lumenjve Mirusha dhe Stanishorka dhe derdhja e ujërave të zeza në to. Kundërmimi ndihet më shumë në mëngjes dhe në mbrëmje, atëherë kur pushon komunikacioni dhe gazrat që lëshohen nga puna e përditshme e makinerisë. Kundërmimi përshkon tërë qytetin, por më shumë kanë problem banorët që shtrihen përskaj rrugës për në fshatin Malishevë, si dhe banorët në pjesën periferike që njihet si “Zabeli i Sahitagës”.


 Zgjidhja e këtij problemi ka qenë premtim i çdo kryetari të komunës që nga viti 2000, mirëpo konkretisht asgjë nuk është realizuar. Edhe kryetari aktual i Gjilanit pat premtuar se brenda mandatit të tij qeverisës do të zgjidhet ky problem, mirëpo vetëm tani kanë filluar punimet në një pjesë të qytetit. Ai bashkë me Hashim Thaçin qysh në fushatën elektorale të vitin 2007 patën premtuar se brenda mandatit të parë komunal, do të përfundojë projekti për rregullimin e shtratit të lumit “Mirusha”.


Në faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit thuhet se, “pjesa më e madhe e punimeve në rregullimin e shtratit të lumit Mirusha dhe të kanalizimit kryesor të qytetit janë kryer dhe brenda disa ditësh përfundon faza e parë e projektit… (lajmi është publikuar më 31 gusht 2010).” Ndërsa jo vetëm që nuk është kryer projekti në tërësi, por as që kanë filluar punimet brenda qytetit që përfshijnë një pjesë shumë të madhe të hapësirës së ujërave të zeza, e që shkaktojnë dëme të mëdha dhe të pariparueshme në të gjitha aspektet, e sidomos dëmtojnë rëndë shëndetin e qytetarëve.”


 Sipas projektit për zgjidhjen e problemit të shtratit të lumit Mirusha, zgjidhja në tërësi e këtij problemi do të kushtojë rreth 5 milion euro. Kurse për fazën e parë të punimeve janë ndarë 1.5 milion euro, ku me pjesën më të madhe të mjeteve ka kontribuuar Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor. Me këto mjete do të bëhet vetëm hapja e kanalit për qarkullimin e ujërave të zeza që derdhen në këtë lum, por problemi nuk do të zgjidhet në tërësi nëse nuk instalohet edhe impianti për pastrimin e këtij uji që derdhet në dalje të qytetit. Qytetarët nuk kanë besim në përfundimin me sukses të këtij projekti, pasi që fillimet e punimeve janë bërë në prag të fushatës zgjedhore. Ky projekt është zvarritur që nga viti i kaluar.” (ky hulumtim është publikuar në muajin tetor 2009 nga Instituti “GAP”, shih: http://www.gapinstitute.org/repository/docs/Gjilani-raporti_komunal.pdf).


Lëvizja VETËVENDOSJE! solidarizohet me të gjithë banorët e lagjeve përreth lumit “Mirusha” dhe me gjithë qytetarët e Gjilanit. Sot jemi bashkuar me të gjithë ata qytetarë që për secilën ditë rrezikojnë shëndetin e tyre nga kundërmimi i ujërave të zeza, për shkak të papërgjegjësisë komunale, stërzgjatjes së projektit të rregullimit të shtratit të lumit “Mirusha” dhe nga premtimet e parealizuara të kryeministrit Thaçi dhe kryetarit të Komunës së Gjilanit, ku patën premtuar 100 milionë euro për Gjilanin, ndërsa nuk janë ndarë as 15 milionë deri më tani dhe ky mosrealizim i premtimit të tij ka po ashtu rol në ngadalësimin e kryerjes së këtij projekti jetik.


Duke vënë maskat në gojët dhe hundët tona, ja bëjmë me dije pushtetit komunal se të gjithë qytetarëve të Gjilanit dhe veçanërisht banorëve të lagjeve afër lumit “Mirusha” po u bëhet dëm i pariparueshëm shëndetësor. Fëmijët e këtyre lagjeve i ekspozohen rrezikut edhe më shumë, kur mirret parasysh që ata kalojnë vazhdimisht andej dhe madje luajnë përreth lumit “Mirusha”. Përgjegjësinë për këtë problem duhet ta mbajë udhëheqja komunale, pasi që nuk e sheh këtë shqetësim si nevojë të domosdoshme dhe emergjente të zgjidhjes dhe përshpejtimit të projektit, por si diçka sekondare dhe tretësore.


Ne u themi qytetarëve dhe banorëve të lagjeve të ndryshme të qytetit të Gjilanit se, presioni dhe organizimi juaj, ka efekte të drejtpërdrejta për përshpejtimin e përfundimit të këtij projekti, sepse ne nuk e kemi një udhëheqësi komunale të përgjegjshme dhe me kod etik qytetar/politik, e cila realizon premtimet siç thotë në fushata elektorale, por vetëm nga presioni dhe kontrolli i vazhdueshëm i qytetarëve mbi qeverisjen komunale.


Prandaj, ne kërkojmë që projekti të mbyllet në afat sa më të shpejtë dhe të merret seriozisht dëmi që po i bëhet qytetarëve të Gjilanit.





Lëvizja VETËVENDOSJE! - Qendra Gjilan

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera