Tubim me ish punëtorët e Fabrikës së tubave, Ferizaj

26 Oct 2011

Lëvizja VETËVENDOSJE! qendra në Ferizaj, më 26.10.2011 mbajti një tubim me ish-punëtorët e Fabrikës së tubave në Qendrën e Kulturës në qytetin e Ferizajt. Në këtë debat u trajtua tema “Mosekzekutimi nga ana e gjykatës së Kosovës për të drejtat e ish punëtorve”.


Të ftuar ishin Albin Kurti, Ali Azemi kryetar i sindikatës së fabrikave të tubave dhe Naim Jakaj sekretar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj.


Debatin e hapi, Naim Jakaj ku para këtyre ish punëtorëve theksoi se në të gjitha vendet e zhvilluara, shteti kujdeset së pari që qytetarëve t’u sigurojë mundësi punësimi, sepse aty ku ka punë ka mirëqenie, aty ku ka punë ka zhvillim dhe aty ku ka punë ka përparim. Qeverisja aktuale jo vetëm që nuk po krijon kushte për të siguruar vende të reja të punës, por i mbyll edhe ato pak vende pune ekzistuese.


Më pas fjalën e mori Ali Azemi i cili po ashtu  në kuadër të kësaj pike parashtroi pakënaqësinë që po mbizotëron brenda sindikatës në lidhje më mohimin e të drejtave të tyre nga qeveria e Kosovës. Për t’i dhënë një informim më të saktë opinionit, Azemi përmendi një seri padrejtësish që i janë bërë ish punëtorëve. Ai tha ndër të tjera se “qëllimi i këtij privatizimi që është aplikuar jo vetëm nga kjo qeveri por edhe nga qeveritë e kaluara ishte mesa duket shuarja e vendeve të punës”. “Ky privatizim është bërë me çmim minimal, dhe nuk ata që e kanë bërë nuk brengosen aspak për dëmin që kanë shkaktuar. Situata me proceset e privatizimit në qytetin e Ferizajt është tepër e rëndë. Përveç Fabrikës së tubave, e njëjta gjë është përsëritur edhe tek ndërmarrjet e tjera që kanë qenë aset i fuqishëm në të kaluarën, si fabrika e Vajit, mineksi etj. Gjykata kushtetuese është shprehur që më 17 dhjetor 2010, por nga ajo ditë e deri më tash kjo po kamuflohet, e po heshtet. Haptaz janë duke i shkelur në mënyrë drastike të drejtat tona.


Dhe për fund, fjalën e mori Albin Kurti ku para ish punëtorëve konstatoi se Fabrika e tubave në të kaluarën ka qenë gjithmonë prodhuese, e përfitimet prej saj kanë qenë për të punësuarit edhe për gjithë Kosovën. Ai ka shtuar se praktika e privatizimit në shtetin tonë, ka nisur në mëyrë brutale. Një ndër parakushtet që do të duhej t’i paraprinte privatizimit  pas vitit 1999 ishte dhe mbetet dekolonizimi i vendit, shtoi Kurti. “Pasuria, prona, kapacitetet tona duhet të kthehen në pronësi tonë, në pronësi të Kosovës. Pra, viti 1999 do të duhej të ishte viti i korrigjimit dhe i rikthimit të asaj që e tëhuajsoi Serbia kur na e hoqi autonominë.”


Gjithashtu Albini theksoi se një nga arsyet përse Serbia nuk e njeh shtetin tonë është vlera e pasurisë që ndodhet në tokat tona. “Ne si qytetarë të këtij shteti duhet të konsolidohemi në mënyrën më të mirë organizative, sepse prej organizmit vjen fuqia dhe prej fuqisë vjen ndryshimi”, përfundoi ai.



 


Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Ferizaj

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera