Qendra e Shtërpcës nis peticionin kundër deponisë së plehrave të “Lugjet Viçës”

23 Oct 2011

Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shtërpcë, ka kundërshtuar ndërtimin e deponisë së plehrave të Komunës te “Lugjet  e Viçës” dhe si kundërpërgjigje ndaj vendimit të datës 30 shtator të Kuvendit Komunal të Shtërpcë, ka nisur një peticionin me qytetarët, nëpërmjet të cilit e kundërshton ndërtimin e deponisë në atë vend. Drejtues të kësaj lëvizjeje në Shtërpcë kanë thënë se ndërtimi i deponisë në këtë vend është i kundërligjshëm dhe politik, e që ndikon në edhe zhvendosjen e popullatës së fshatrave Izhanc, Kashtanjevë e Viçë nga vendbanimet e tyre.


Erzen Islami, sekretar organizativ i Qendrës së VETËVENDOSJES! në Shtërpcë tha të dielën se disponimi i qytetarëve për ta nënshkruar këtë peticion është shumë i madh. Ai e ka quajtur vendimin e Kuvendit Komunal në Shtërpcë si jo demokratik, të kundërligjshëm dhe politik. Vendimi i Kuvendit Komunal në Shtërpcë për deponi plehrash te“Lugjet e Viçës” është jo demokratik, sepse është marrë pa debat paraprak me qytetarët. Është i kundërligjshëm sepse komunat nuk kanë të drejtë të hapin deponi mbeturinash dhe është edhe politik sepse ndikon në shpërnguljen e qytetarëve shqiptarë të këtyre fshatrave nga vendbanimet e tyre”, ka thënë Erzen Islami.


Ai ka theksuar se në vend që Komuna të merret me përmirësimin e jetës së këtyre qytetarëve dhe të bëjë më shumë në rikthimin e jetës në këto fshatra, ajo po ua hap deponinë e mbeturinave të hunda dhe po ndikon indirekt në shpërnguljen e tyre. Përpos peticionit, i cili sipas organizatorëve të Vetëvendosjes do t’u dërgohet të gjitha organeve relevante, janë paraparë edhe një varg aktivitetesh tjera, siç janë edhe debatet me qytetarët. “Ne kërkojmë që vendimi i KK-së në Shtërpcë për hapjen e deponisë së bërllokut te “Lugjet e Viçës” (vend mes tri fshatrave Viçë – Kashtanjevë- Izhanc), të anulohet menjëherë, pastaj vendi i dëmtuar me qëllim të hapjes së deponisë të rikthehet në gjendjen e mëparshme dhe të ndalet zhvendosja politike e qytetarëve shqiptarë nga këto vendbanime”, ka theksuar Islami. Ai ka paralajmëruar se nëse këto kërkesa nuk merren parasysh nga organet relevante, do të përdoren edhe mjete tjera demokratike për ta penguar ndërtimin e deponisë së plehrave në atë vend. “për këtë e kemi edhe përkrahjen e të gjithë qytetarëve dhe shoqërisë civile, që kanë shprehur gatishmërinë të na bashkëngjiten”, ka thënë Erzen Islami, aktivist i qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJES! në Shtërpcë.


Hapjen e kësaj deponie e kanë kundërshtuar edhe qytetarët tjerë. Ramë Ymeri, përfaqësues i fshatit Izhanc, se ai së bashku me bashkëfshatarët e vet e kundërshtojnë ashpër hapjen e çfarëdo deponie në atë vend. Ai ka thënë se nëse nuk tërhiqet vendimi i Kuvendit Komunal, banorët e fshatit Izhanc do ta lëshojnë vendbanimin e tyre në shenjë proteste. “Kemi rënë dakord me të gjithë qytetarët e Izhancit se nëse nuk anulohet ky vendim, do ta braktisim të gjithë fshatin”, ka thënë Ramë Ymeri, përfaqësues i Izhancit.


Vendimi i Kuvendit Komunal në Shtërpcë për ndërtimin e deponisë së plehrave, siç është thënë, te “Lugjet e Viçës”, ka ardhur jo më shumë se dy muaj pas përpjekjeve të strukturave paralele që ta ndërtojnë një deponi të tillë në të njëjtin vend.




Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Shtërpcë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera