Tubim publik në fshatrat Softaj dhe Rakaj

23 Oct 2011

Lëvizja VETËVENDOSJE! me qendër në Ferizaj organizoi dy tubime me qytetarë të fshatrave të komunës së Ferizajt në Softaj dhe Rakaj. Të pranishëm në ligjërim ishin Faton Topalli kryetar i qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ferizaj dhe Glauk Konjufca deputet në kuvendin e Kosovës nga Lëvizja VETËVENDOSJE!


Debatin në këto Tubime e hapi Faton Topalli, i cili kryesisht u fokusua në çështje të tilla si arsimi, ekonomia dhe bujqësia. Topalli ndër të tjera deklaroi, të gjithë jemi dëshmitarë se në Ferizaj, që nga viti 2000 rrugët janë duke u ndërtuar pa pushim dhe ky ritëm, përmes keqpërdorimit të parasë publike do të vazhdoj edhe më tutje. Sa të ndërtohen rrugët ka tendera dhe sa të ketë  tenderë ka para. Kurse nga sfera e sistemit arsimor u shpreh me këto fjalë Në arsim gjendja në Ferizaj është e tmerrshme. Nuk mund të mohohet që aty këtu është ndërtuar ndonjë shkollë e ndonjë tjetër s’është meremetuar. Në Ferizaj janë ndërtuar shkolla ndërsa janë shkatërruar gjenerata të tërë që kanë diploma por që nuk kanë arsimim. Shembulli më mirë i shkatërrimit të sistemit arsimor është testi kombëtar në Ferizaj  i cili flet për një gjendje të mjerueshme dhe alarmante në arsim. Tek çështja më e ndieshme pothuajse në shtetin tonë, ekonomia para qytetarëve të këtyre fshatrave theksoi në ekonomi qyteti i Ferizajit nuk ka bë asnjë përparim. Ato familje që e kanë përmirësuar gjendjen ekonomike, e kanë përmirësuar për shkak që jetojnë prej të ardhurave të krijuara në Irak, Afganistan dhe Perëndim. 17 % e popullsisë në Komunën e Ferizajit jetojnë në varfëri të skajshme. Pas Gjakovës, është vendi i dytë në Kosovë për varfëri të skajshme. Planifikimi buxhetor i udhëheqjes Komunale tregon që në Ferizaj, jo vetëm që nuk do të ket ngritje ekonomike, por do të ketë rënje të standardit ekonomik. Për vitin 2011 Komuna nuk do të ketë investime për zhvillim, as në arsim, mirëqenie sociale, as në shërbime komunale dhe zhvillim ekonomik.


Ndërsa, Glauk Konjufca evidentoi politikat e keqqeverisjes të kësaj nomonklature qeveritare të Hashim Thaqit. Bisedimet me Serbinë dhe shitja e aseteve shtetërore të cilat po orkestrohen nga qeveria e Kosovës u kritikuan ashpër nga deputeti Konjufca. Duke theksuar mbështetjen e qytetarëve dhënë Lëvizjes VETËVENDOSJE! ai tha se pa këtë mbështetje të qytetarëve nuk do të ekzistontë as kjo Lëvizje.


Lidhur me problemin e veriut të Kosovës ai theksoi se qeveria e Kosovës e ka lënë anash për dymbëdhjetë vite. Derisa qeveria e Serbisë ka shpenzuar miliona euro që ta përforcojë kontrollin në këtë rajon. Duke i kontrolluar bandat kriminale në veri të Kosovës Serbia de fakto ushtron një kontroll mbi këtë pjesë të vendit shumë më tepër se institucionet e Kosovës të cilat janë inekzistente në veri. Meqenëse problemi nuk është goditur qysh në fillim të lindjes së tij para dymbëdhjetë viteve dhe ka vazhduar duke u injoruar nga qeveritë e Kosovws, problemi është rritur në përmasa shumë të mëdha deri në shkallën sa edhe KFOR-i tani e ka vështirë të zhbëj këto struktura kriminale dhe barikadat e tyre.


Pakënaqësia e qytetarëve të pranishëm në këto tubime lidhur me qeverisjen aktuale ishin shumë të spikatura. Ata akuzuan në mënyrë të drejtpërdrejtë politikat e zbatuara nga qeveria e Kosovës në lidhje me privatizimin e aseteve publike, bisedimet “teknike” me Serbinë, dhe piketuan probleme të natyrave të ndryshme socio-ekonomike që rrjedhin nga keqqeverisja aktuale.



  
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ferizaj

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera