Punësimi klandestin dhe privatizimi i institucionit arsimor

15 Sep 2011

Lëvizja VETËVENDOSJE! në Kaçanik, me vëmendje të veçant po i përcjellë zhvillimet në lëmin e arsimit në këtë komunë, me ç’rast po vëren shkelje të rënda të procedurave rregullative dhe praktikave demokratike, sidomos gjatë zgjedhjes së personelit mësimdhënës.


Ndër veprimet të kundërligjshme dhe kundërdemokratike të cilat Drejtoria për Arsim dhe Kulturë në Kaçanik,po vazhdon t’i praktikoj edhe sivjet, sikundër qe sa vite, Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se janë:




  • Mosshpallja e vendeve të lira të punës për shumë mësimdhënës të cilët nuk e plotësojnë kriterin e përgatitjes profesionale të mjaftueshme dhe të përshtatshme;




  • Punësimi pa konkurs i mësimdhënësve të caktuar (punësimi klandestin);




  • Favorizimi i tejtheksuar i të afërmve dhe familjarëve të zyrtarëve institucional komunal dhe partiak, që arrinë shkallën e nepotizmit;




  • Diskriminimi i arsimtarëve dhe kandidatëve të caktuar të cilët nuk qëndrojnë në linja të njëjta apo të përafërta partiake, biznesore, farefisnore e, shpeshherë, edhe ideologjike, me zyrtarët institucional arsimor e pushtetor.




Për t’i ilustruar pohimet e mësipërme, po paraqesim këto të dhëna si dëshmi konkrete, të cilat u manifestuan edhe sivjet:


Në të dy shkollat e mesme (në gjimnazin “Skënderbeu” dhe në Shkollën e Mesme Profesionale) qe sa vite nuk ka mësimdhënës përkatës për lëndën e përgjithshme “Teknologji e Informacionit”, ndërsa DAK nuk hap konkurs ku do të duhej të kërkoheshin së paku katër arsimtarë! Konkurs punësimi nuk hapet edhe për lëndët ingjinierike si dhe të tjera të ndryshme, ku aktualisht punojnë punonjës të pakualifikuar apo me kualifikim jopërkatës!


Në Shkollën e Mesme Profesionale (ShMP), sipas konkursit të datës 27.07.2011, kërkoheshin 4 profesorë të matematikës për të plotësuar katër vende ku punonin katër mësimdhënës, tre prej të cilëve kishin të mbaruar matematikën në Shkollën e Lartë ndërsa i katërti i pakualifikuar. Dy prej tyre pranohen rishtas - njëri anëtar i PDK-së, si dhe dy mësidhënëse tjera me kualifikim baçelernë matematikë, njëra prej të cilave - Zade Loku,kishte qenë në marrëdhëni pune në Shkollën e Mesme të lartë “Dardania” në Han të Elezit!


Me këtë rast përjashtohet nga ShMP Samet Luma (aktualisht i pa parti, por i cili një kohë kishte qenë anëtarë i AAK-së), ngase ka të mbaruar vetëm Shkollën e Lartë që i dha titullin “arsimtar i matematikës”.


Punësimi klandestin – pa konkurs (nuk kishte konkurs për profesor/ë të matematikës në gjimnaz) i arsimtarit Hizer Leka për të mbajtur lëndën e matematikës në gjimnazin “Skënderbeu”, ndonse edhe ky ka të mbaruar vetëm Shkollën e Lartë nën titullin “arsimtar i matematikës”, për të cilin shkak edhe profesori Samet Luma u largua nga ShMP!


Zade Loku është bashkëshortja e të birit të Heset Lokut, nënkryetar i Komunësdhe anëtar i kryesisë së PDK-së.


Hizer Leka, është dhëndër i familjes së drejtorit të gjimnazit, Ibush Vishi.


Për punësimin e këtij të fundit (që ishte në marrëdhënie pune në një shkollë fillore afër fshatit të tij), i cili aktualisht, siç mund të kuptohet, sipas rregullave të tanishme, nuk e plotëson kushtin themelor për të punuar si mësimdhënës në shkolla të mesme – atë të përgatitjes së mjaftueshme profesionale, drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Kulturë, Azem Guri, në bashkëpunim me dy drejtorët e shkollave përkatëse, Ibush Vishi dhe Bafti Loku, si dhe në bashkëpunim edhe me anëtarë të caktuar të klanittë tij partiak, kanë bërë edhe majft ‘rrokada’ duke bartë mësimdhënës nga njëra shkollë në tjetrën, dhe gjëra të tjera, siç është psh, shtimi i fondit të orëve të matematikës, e kështu me radhë! Kështu për shembull, Diana Bajrami, arsimtare e matematikës dhe njëkohësisht deputete në Kuvendin Komunal nga radhët e PDK-së, bartet në ShMP (pa aplikuar fare ajo) për t’ia liraur vendin në gjimnaz Hizer Lekës së pakualifikuar, dhe për të maskuar kështu padrejtësitë dhe kundërligjësitë që i bëjnë!


Lëvizja VETËVENDOSJE! në Kaçanik, konsideron se praktikat e tilla kundërprocedurale, kundërdemokratike dhe kundërligjore jovetëm që janë të dëmshme edhe të turpshme, por edhe kundërnjerëzore,dhe si të tilla ajo i dënon ashpër, duke i bërë bashkëpërgjegjës drejtorët e shkollave përkatëse, Ibush Vishin dhe Bafti Lokun, me kryepersonazhin e të gjitha kalkulimeve të mbrapshta dhe të paligjshme, drejtorin e Drejtorisë së Arsimit dhe Kulturës, Azem Gurin, i cili duke vepruar kështu në mënyrë kundërarsimore, qe dhjetë vite sa ndodhet në këtë pozitë, e ka sjellë gjendjen e arsimit në Kaçanik në këtë pikë, sa që në testin e sivjetëm shtetëror të maturës, në ShMP,në afatin e parë, të kalojnë vetë 12 nxënës, përkatësisht rreth 6.2 % e numrit të përgjithshëm të tyre!


Vlerësojmë se institucionettona arsimore, dhe jovetëm, janë institucione publike në shërbim të përhershëm dhe të barabart të qytetarëve, dhe si të tilla ato nuk mund të privatizohen e të keqpërdoren prej kurrfarë individësh apo personash, qofshin ata drejtorë apo kryetarë, mandati zyrtar i të cilëve doemos është veq se i përkohshëm.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! – Kaçanik

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera