Raporti i Drejtorisë komunale për financa, ekonomi dhe zhvillim në Komunën e Klinës dëshmon për keq-përdorim të mjeteve komunale

25 Aug 2011

Sipas raportit financiar për të hyrat dhe shpenzimet e Komunës së Klinës për periudhën 6 mujore të këtij viti (janar-qershor 2011) të prezentuar nga Drejtori i Drejtorisë për Financa Ekonomi dhe Zhvillim në mbledhjen e Asamblesë Komunale të Klinës të datës 29.07.2011 shihet se përkundër gjendjes së vështirë financiare të vendit dhe vështërsive në inkasimet buxhetore komunale kemi rritje të shpezimeve për mallëra dhe shërbime (afër 3 %) si dhe të shërbimeve komunale (diku afër 10 %) kurse kemi rënie të dukshme të shpenzimeve për investime kapitale e zhvillimore (27 %) krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010.


Ky keq-menaxhim i buxhetit komunal ka sjellë në situatën kur në mënyrë të jashtë-ligjshme dhe jo-demokratike është marrë vendimi në Asamblenë Komunale që mjetet e dedikuara për investime kapitale si: 50 000 euro për Stacionin e Autobusëve (i cili është zvarritur shumë), 20 000 euro për aparatin Gjeodezik dhe 12 000 euro për tualet publik janë ridestinuar për pagesën e obligimeve të papaguara nga vitet e kaluara si derivate,mirëmbajtje e automjeteve, dreka e darka,  shpallje e publikime etj të cilat borxhe janë grumbulluar në mënyrë abuzive dhe përmes manipulimeve dhe spekulimeve të ndryshme.


Përveç keq-perdorimit të buxhetit komunal ne si subjekt politik momentalisht pa përfaqësues në Asamblenë Komunale jemi të shqetësuar edhe me faktin se në këtë institucion nuk mbrohen interesat e qytetarëve por vetëm interesat personale, grupore e klanore. Aty nuk ka pozitë e opozitë por vetëm një pushtet që nuk përfill interesin publik dhe një trup deputetësh lokalë që votojnë me automatizëm për të gjitha çështjet e servuara pa kurrfarë debati e as kundërshtimi kur dëmtohet e rrezikohet interesi qytetar.  


Shënimet nga shpenzimet buxhetore për drejtori tek të dhënat në tabelat e këtij raporti tregojnë se Zyra e Kryetarit vetëm për paga dhe mëditje ka shpenzuar 40,128.24 euro (Sa paga merren nga kjo zyrë?!…Sa bëjnë për 6 muaj?!..Sa janë mëditjet?!..)


Ndërsa Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari me të gjitha linjat buxhetore ka shpenzuar 19,644.93 euro, çka do të thotë se Zyra e Kryetarit vetëm për paga dhe mëditje ka shpenzuar dy herë më shumë se e gjithë Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari.


Sipas të njëjtës tabelë për shpenzimet buxhetore në linjën e shpenzimeve kapitale si mjete të bartura nga viti paraprak rezultojnë 64,891.33 euro kurse të hyrat vetanake për këtë gjashtëmujorin e parë të këtij viti të jenë 75,225.00 euro. Kjo i bie që në vitin paraprak nuk janë investuar 64,891.33 euro e që vetëm për gjashtëmujorin e parë të këtij viti në total për investime kapitale nga Zyra e Kryetarit janë 429,036.11 euro duke përfshirë grantet dhe participimet. Për ne është e paqartë cilat na qenkan shpenzimet kapitale nga Zyra e Kryetarit e që janë një shifër aq e lartë, përderisa shpenzimet kapitale në Shëndetësi janë 0.00 , në Kulturë, Rini e Sport janë 0.00 kurse në Arsim dhe Shkencë janë 28,862 euro (shifër e papërfillshme krahasuar me Zyrën e Kryetarit). Në këtë rast shifrat flasin vetë!?


Për më tepër vetëm Zyra e Kryetari për gjashtëmujorin e parë përmban (494,418.31 euro) ose afërsisht 1/5-tën e buxhetit të përgjithshëm (2,463,634.85 euro) të Komunës së Klinës.


Prandaj shpenzimet buxhetore të Zyrës së Kryetarit në krahasim me shpenzimet e sektorëve të arsimit,shëndetësisë,urbanizmit bujqësisë etj.janë tregues se në mënyrë të padrejtë është shpërndarë dhe shpenzuar buxheti, që tregon se Qeveria Komunale nuk ka politika të qarta zhvillimore dhe si të tilla këto politika sa i përket zhvillimit ekonomik e social janë në drejtim të gabuar.


Papërgjegjshmëria dhe joefikasiteti i Qeverisë Komunale tregohet edhe në tabelën e obligimeve të papaguara e që rezulton se vetëm për karburante për vetura për gjashtëmujorin e parë ka borxh 29,784.85 euro e nëse i shtojmë edhe borxhin e vitit paraprak në vlerë 21,944.79 euro i bie që borxhi total i Komunës së Klinës vetëm për karburante për vetura të jetë mbi 50,000.00 euro. Borxhi i përgjithshëm i Komunës së Klinës arrin vlerën rreth 246,832.00 euro, ndërsa për këtë vit nuk shihet se do të ketë mjete për investime zhvillimore dhe mund të ketë rrezik që të futemi në një cikël të shpenzimit të buxhetit pa kritere dhe jo me qëllim të përmirësimit të standardit të qytetarëve tanë. Me rritjen e shpenzimeve për karburante për vetura janë rritur edhe shpenzimet për mirëmbajtje të automjeteve.(12,238.30 euro borxh për 1.5 vite)!


Borxhi për telefon nga tabela figuron të jetë 5,277.91 euro, kurse për rrymë është 14,128.60 euro vetëm për këtë gjashtëmujor. Pra, rreth 20 000 euro shpenzime vetëm   telefon dhe rrymë për 6 muaj!


Për dreka zyrtare nga viti 2010 Komuna ka borxh 9,301.90 euro kurse për këtë 6-mujor 3,632.20 euro (rreth 13,000 euro total). Sa dreka zyrtare janë paguar? Këto shifra janë skandaloze dhe nuk duan shumë koment.  


Pra siq shihet nga këto pak të dhëna që kemi (të bazuara në raportin e DFEZH) Qeveria Komunale PDK-LDK-LDD  interesimin më të madh për  shpenzimet buxhetore  e ka të orientuar në drejtim të akomodimit të pushtetarëve e për qëllime politike dhe si rrjedhojë e këtij orientimi qytetarët e Komunës së Klinës vazhdojnë të vuajnë pasojat e gjendjes së rëndë socio-ekonomike, infrastrukturën e dobët, ujin e kontaminuar, shërbimet e pamjaftueshme komunale si dhe një Asamble Komunale jofunksionale.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Klinë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera