Keq-qeverisje edhe në Drenas

19 Aug 2011

Klasa politike në Kosovë, nuk keq-qeveris vetëm me pushtetin qendror por edhe në atë lokal. Komunat e Kosovës  udhëhiqen nga parti të ndryshme që kanë mendësi të njëjtë politike. Keq-qeverisja është emëruesi i përbashkët i të gjitha komunave në vendin tonë. Këtë fakt, përveç tjerash, mund ta shohim edhe në raportin e auditorit të përgjithshëm për pasqyrat vjetore financiare përkitazi me vitin e kaluar.


Pas analizës që Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas i beri raportit të Auditimit të Përgjithshëm për vitin 2010, evidentoi shumë parregullësi në punën e organeve komunale.


Në Raportin e Auditimit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat vjetore financiare, për Komunën e Drenasit për vitin 2010, kemi vërejtur jo - seriozitet, jo – transparencë dhe, keq – menaxhim të theksuar përbrenda këtij institucioni.


Gjatë shqyrtimit të raportit, të gjeturat dhe rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm shihen shumë qartë se nuk janë marrë parasysh dhe madje as nuk është tentuar që të bëhet përmirësim në çështje të caktuara të parregullsive që kishte gjetur Auditori i Përgjithshëm në auditimin e vitit 2009. Për vitin 2009 ishin dhënë 4 rekomandime nga ana e auditorit, ndërsa Komuna dhe Kryetari të cilit i janë adresuar këto rekomandime ka implementuar pjesërisht vetëm një, atë për “Shpalosjen e pagesave nga palët e treta” ndërsa për 3 rekomandime të tjera as që kanë marrë mundin të nisin diçka e lëre më ti implementojnë, duke marrë të njëjtat vërejtje edhe për vitin 2010.


Më tutje, në shqyrtim të raportit thuhet se Komuna ka shpenzuar 97 % të buxhetit final, nga ku rezulton se pjesa më e madhe e buxhetit është destinuar (shpenzuar) për paga dhe mëditje, ndërsa pjesa tjetër më e vogël kishte shkuar në investime kapitale. Prandaj, nga kjo edhe ka ardhë deri aty sa shpenzimet e përgjithshme të Komunës së Drenasit të rritën për hiq më pak se 11%.


Një gjetje tjetër sa interesante aq edhe e pakapshme madje edhe për zyrën e Auditorit të Përgjithshëm, është se 21 % e shpenzimeve nga kategoria Mallra dhe Shërbime janë bërë vetëm në dhjetor të vitit 2010.


Nuk bënë pa e përmendur edhe darkën që Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi bashkë me zyrtarët lokalë kishin organizuar si çdo vit tjetër me mësimdhënësit e komunës. Kjo darkë kishte kushtuar hiq më pak se 8,504 Euro, dhe ishte faturuar më numër 161-2010. Kjo pagesë sipas auditorit është kryer duke u bazuar në faturën e furnitorit dhe në raportin e komisionit komunal, por nuk kishte detaje tjera që do ta konfirmonin numrin e pjesëmarrësve në këtë organizim që ishte bërë me parat e taksapaguesve.


Diçka që gjithsesi të bën të dyshosh se aty janë interesat dhe përfitimet personale të zyrtarëve të lartë të Komunës, është edhe fakti se gjatë vitit 2010,  49 subjekte juridike kanë marrë leje pune, por që nuk janë ngarkuar me taksa komunale për ushtrim të ligjshëm të veprimtarisë së tyre.


Për të shkuar edhe më larg me shkeljet dhe keq-qeverisjen në Drenas, tregon edhe fakti tjetër se 12 subjekte apo persona fizik kanë përfituar shfrytëzim të përkohshëm të tokës komunale për 10 vite me qira. Kjo ishte bërë e mundur pas shpalljes publike nr. 462-1720 të datës 20.03.2009. Nga këto 12 subjekte apo persona fizikë, që kryesisht janë njerëz të afërt ose zyrtarë të partisë në pushtet PDK-së, 9 nga këta përfitues kanë lidhur kontratë me komunën për shfrytëzimin e tokës komunale, duke u obliguar që të paguajnë qira vjetore në shumën prej 29,975 Euro. Por, asnjëri nga këta përfitues nuk kishte paguar qiranë vjetore, dhe për më keq kundër tyre nuk është ngritur nga ana e komunës asnjë procedurë pranë gjykatave kompetente, siç parashihet me kontratë. Kjo i bie se Komuna duke subvencionuar këta persona në mënyrë të jashtëligjshme kanë përfituar dikush nga zyrtarët aty, e në anën tjetër kanë dëmtuar buxhetin e Komunës duke ndikuar direkt në jetën e qytetarëve të Drenasit edhe ashtu të rënduar.


E gjithë kjo që u tha më lartë, flet për dështime të shumta të kontrolleve financiare nga ana e prokurimit, ku del që kontratat për projekte sidomos të atyre kapitale nuk mbikëqyren mjaftueshëm nga Komuna. Këtu mund ti përmendim disa prej të metave në këtë drejtim siç janë: mungesa e evidencave mbi prokurimet, vonesat në kryerjen e projekteve dhe pranimi i mallrave jashtë kërkesave të specifikuara që tregojnë për menaxhim jo efikas të parave të taksapaguesve dhe rritje të rrezikut që fondet e Komunës janë jashtë kornizave ligjore, madje edhe duke u keqpërdorur ato.


Duke pasur parasysh të gjeturat e Auditorit në Komunën e Drenasit, Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se këtu ka shkelje të mëdha të ligjit dhe rregulloreve që janë në fuqi.


Qytetarët e Drenasit nuk meritojnë një udhëheqje të tillë çfarë ka instaluar PDK-ja. Kjo udhëheqje komunale po vepron njejtë sikur pushteti qendror, në bazë të abuzimeve me paranë publike, vjedhjeve të shumta dhe pasurimit të atyre që janë në pozita politike.


Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Drenas, kërkon që shkeljet e mëdha dhe abuzimet e shumta të ndalën në mënyrë që të mund të zhvillohemi ekonomikisht, të përmirësohet jeta e qytetarëve dhe mirëqenia e tyre të ngritet.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas kërkon nga organet kompetente që të hetohen dhe të identifikohen të gjithë ata abuzues, dhe natyrisht përgjegjësit të vihen para drejtësisë.


 

Lëvizja VETËVENDOSJE! - Qendra Drenas

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera