Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas reagon për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve që do të merren me regjistrimin e popullsisë në këtë komunë

02 Apr 2011

Me këtë rast lëshon këtë:


KOMUNIKATË


Lëvizja VETËVENDOSJE! në Drenas duke i përciellë me kujdes të shtuar ngjarjet e fundit në lidhje me pranimin e kanditatëve në komisionin komunal për regjistrimin e popullsisë në komunën e Drenasit dhe për mënyrën se si pushteti komunal ka zgjedhur ti punësojë këta persona që nuk janë aspak të përgatitur për tu marrë me një proces kaq të rëndësishëm siq është regjistrimi i popullsisë dhe i pronave, reagon dhe dënon ashpër mënyrën se si është bërë selektimi i tyre. Dhe, lidhur me këtë mban këtë qëndrim:


Dënon mënyrën se si është bërë selektimi i këtyre kandidatëve në baza partiake dhe klanore. Nuk është në rregull që të punësohen për një proces të tillë, përsona që nuk janë të përgatitur për tu marrë me këtë, por që vetëm janë militantë të një partie të caktuar e cila ka pushtetit aktualisht në Drenas. Pra, shumica dërmuese e të pranuarve janë persona që kishin vjedhur vota për PDK-në, në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar.


Këtu nuk janë pranuar personat që nuk i takonin këtij subjekti politik edhe pse kishin ofruar dokumente të bollshme shkollimi. Domethënë në këtë proces janë favorizuar vetëm militantët partiakë dhe familjarët e të punësuarve në Kuvendin Komunal të Drenasit.  


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas shprehë keqardhje për të të gjithë ata kandidatë-qytetarë që kishin konkuruar dhe nuk u pranuan vetëm pse nuk i takonin subjektit që ka pushtetin në Drenas, ose edhe nuk i takonin fare asnjë subjekti politik.


Për më keq, të punësuarit nga ky konkurs janë persona që mbajnë edhe nga një vend tjetër të punës, në nivel komune apo edhe në institucionet qëndrore të Republikës së Kosovës, ani pse zyrtaret komunalë patën deklaruar se do të punësohen ata që janë të papunë, dhe që paraprakisht janë të regjistruar si të papunë në entin për punësim në komunën e Drenasit. Pra, përveq shkeljeve të procedurave të konkurimit, zyrtarët komunalë dhe grupacionet aty kanë gënjyer se do ti marrin të papunët, e që të tillë në Drenas janë të shumtë. Kjo tregon qartë se pushteti aktual në Drenas, por edhe ai në nivel qendror nuk po punon në të mirë të qytetarëve por përkundrazi, po i dëmton ata me politikat diskriminuese-përjashtuese në raste të shpeshta.


Kjo mënyrë e të përjashtuarit nga konkursi duke i dalluar qytetarët politikisht nuk është në të mirë të demokracisë, madje është tepër e dëmshme për vetë procesin e regjistrimit që sot me 1 prill ka filluar.


Lëvizja VETËVENDOSJE! në Drenas, konsideron se kjo është shkelje e drejtperdrejt e të drejtave të njeriut, dhe kërkon që diskriminimi i qytetarëve dhe dallimi në baza partiake të ndalet një herë e përgjithmonë, sikur që kërkon që ky proces të shtyhet në tërësi meqë nuk garanton regjistrim të mirëfilltë të popullsisë dhe përjashton diasporën tonë komplet.


Lëvizja VETËVENDOSJE! Drenas

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera