Qendra Lipjan: Auditori i Përgjithshëm gjenë shkelje të rënda në prokurimin e Komunës së Lipjanit

18 Oct 2016
Auditori i përgjithshëm në raportin e tij të përvitshëm mbi çështjet kryesore që dalin nga auditimi i Pasqyrave Vjetore Financiare të Komunës së Lipjanit për vitin 2015, ka gjetur parregullsi të shumta dhe shqetësuese në sferën e prokurimit dhe mënyrën se si janë dhënë tenderët, moszbatimin e kontratave, pagesave për shërbime të pakryera dhe mos mbikëqyrjen e zbatimit të kontratave. Për më tepër, raporti i auditorit konfirmon ndjekjen e praktikave të gabuara që shmangin ligjet dhe ruajtjen e parasë e publike. Ngjashëm si edhe më parë, auditori ka evidentuar një sërë shkeljesh të ndryshme, në disa sektorë të rëndësishëm të cilat kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë rëndë interesin e përgjithshëm qytetarë. Sjellja me pasurinë dhe paranë publike në mënyrë abusive nuk mund të shmangë pafundësisht ndëshkimin ligjor dhe politik për të gjithë ata që kanë qenë dhe janë përgjegjës për menaxhimin e mirë dhe të drejtë të buxhetit komunal. Raporti i Auditorit të Përgjithshëm ka nxjerrë në pah një sërë shkeljesh ligjore dhe menaxhimin e dobët, sidomos në sektorin e prokurimit në komunën e Lipjanit. Lëvizja VETËVENDOSJE! në Lipjan ka shqyrtuar me kujdes këtë raport në të cilin konstatohet se nuk janë përmbushur rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm të vitit paraprak rreth shkeljeve dhe përmirësimin e menaxhimit të parasë publike në komunën e Lipjanit, sikurse paralajmëron për dëmet që po i shkaktohen buxhetit të komunës nga parregullsitë dhe keqpërdorimet në sektorin e prokurimit. Tejet shqetësues mbetet theksimi i çështjes nga auditori që ka vërejtur se në 8 raste komuna kishte nënshkruar kontrata për punë pa projekte ekzekutive. Ndërsa, në dy kontrata për projekte kapitale, është gjetur që komuna nuk kishte aplikuar ndëshkimet për kontraktuesit që kishin pasur vonesa në realizimin e planit dinamik të punimeve; Në pesë (5) raste, te projektet e realizuara është vërejtur ndarje jo të duhur të detyrave tek organi mbikëqyrës. Zyrtari i cili ka përgatitur paramasën dhe parallogarinë, i njëjti është caktuar menaxher i kontratës (mbikëqyrës i punimeve), si dhe në fund e ka lëshuar çertifikatën e përdorimit (pranimin teknik të punimeve). Kryerja e gjithë procesit nga i njëjti person është konflikt interesi, sikurse edhe shpërfaqje e mendësisë së orkestrimit të tenderëve. Ky veprim sipas Auditorit është në kundërshtim me Udhëzuesin Operativ për Prokurim Publik dhe interesat financiare të komunës. Më tej, kur bëhet fjalë për listën e kontratave të nënshkruara gjatë vitit 2015, është identifikuar që ishin lidhur 17 aneks kontrata nga gjithsejtë 48 kontrata bazë që kanë qenë të nënshkruara për investime kapitale. Numri i lartë i lidhjes së aneks kontratave ka ardhur siç thotë Auditori, si rezultat i mos planifikimit adekuat të paramasës dhe parallogarisë dhe në mungesë të projekteve kryesore. Tutje, raporti i auditorit thekson se: - Në dy raste zyra e prokurimit nuk e kishte përgatitur dosjen e tenderit sipas paramasës dhe parallogarisë të kërkuara nga njësia kërkuese. Te dosja e tenderit për “Asfaltimi i disa rrugëve në fshatin Magurë me vlerë 83,696€” kishte zvogëluar paramasën dhe parallogarinë ndërsa te asfaltimi i rrugëve “Sllovi-Smallushë” në vlerë 82,863€ kishte shtuar një pozicion të ri. Këto ndryshime ishin bëra pa ndonjë arsyetim dhe pa aprovimin e ZKA-së. - Te kontrata “Rregullimi i trotuareve në fshatin “Gadime e epërme - Gadime e ulët” me vlerë 165,500€, ekipi i auditimit së bashku me menaxherin e projektit ka bërë ekzaminim fizik dhe ka konstatuar se pozicioni (19) në vlerë prej 7,920€, ishte paguar por nuk ishte përfunduar nga ky operator. - Te kontrata “Ndërtimi i rrethojës së SHFMU ErnesKoliqi në Babush paralelja e ndarë në Gadime të ulët” me vlerë 17,234€, kemi identifikuar pozicione që ishin pranuar dhe paguar jo në përputhje me paramasën dhe para llogarinë. - - Sipas paramasës pozicioni 9 furnizimi dhe vendosja e gypave ø400mm nga betoni së bashku me rërë që shërben për mbështjellje në gjatësi prej 3 metra * 13€/metër = 39€, kemi identifikuar se vendosja e gypave ishte e metalit të ndryshkur dhe jo të betonit siç kërkohej me kontratë. - Tek pozicioni numër 10 vendosja e gypave ø200mm nga betoni së bashku me rërë që shërben për mbështjellje të gypave prej 4 metra*10/metër =40€, ne kemi konstatuar se ishin vendosur gypa të plastikës, e jo të betonit siç ishte paraparë në kontratë. - Në kontratën “Mirëmbajtja dhe zgjerimi i softuerit për programin e kontabilitetit”, vlera 6,900€, është shpërblyer me kontratë ofertuesi i papërgjegjshëm. - Buxheti për vitin 2015 në shumë 17,315€ ishte shpenzuar përmes drejtorisë së bujqësisë për persona fizikë në fushën e bujqësisë në mënyrë jo transparente dhe pa u bërënjoftime publik dhe të caktohen dhe vlerësohen kriteret për përzgjedhjen e përfituesve, duke favorizuar kështu të afërmit dhe militantët partiak dhe privuar qytetarët e tjerë nga aplikimi. Gjithashtu, raporti i Auditorit konstaton disa shqetësime që janë duke u përsëritur nga viti i kaluar që tregojnë për dobësi të vazhdueshme të kontrolleve të menaxhmentit dhe kontrolleve tjera në sistemet financiare kyçe. Kjo ka rezultuar veçanërisht në: - Mungesën e verifikimit të 1/3 të pronave komunale tek tatimi në pronë; - Mungesën e statutit të komitetit të auditimit dhe - Mungesën e kontrolleve tek procesi i prokurimit, në veçanti procedura të shpeshta për blerje dhe furnizime me kuotim çmimesh. Këto janë veëdisa nga shkeljet e qeverisjes se Imri Ahmetit në Komunën e Lipjanit të evidentuara nga Auditori i Përgjithshëm, për të cilat Lëvizja Vetëvendosje! po i informon qytetarët e Lipjanit dhe opinionin e gjerë. Për detaje raportin e auditorit mund ta gjeni edhe nëlinkun e mëposhtëm: http://www.zka-rks.org/repository/docs/RaportiAuditimit_KLIP_2015_Shqip_455997.pdf Lëvizja Vetëvendosje! Lipjan shprehet e shqetësuar dhe shumë e brengosur lidhur me gjetjet e raportit dhe mos adresimin e tyre dhe dëmin që po pësojnë qytetarët e Lipjanit nga këto keqpërdorime.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera