Qendra Dardanë: S’ka befasi, vazhdon degradimi në arsim në Dardanë

07 Sep 2016
Rikujtojmë se tashmë u mësuam me deklarimet e Kryetarit Begzad Sinani dhe drejtorit të zyrës së DKA-së për bërjen e të gjitha përgatitjeve për fillimin e mbarë të vitit shkollor, pa bërë gati asgjë. Sikur çdo dimër që bora i zë në  befasi këto organe komunale që udhëhiqen nga njerëz të papërgjegjshëm, këtë vit në befasi i zuri edhe 1 shtatori. Edhe pas shtyrjes për 5 ditë, mësimi nuk ka filluar normalisht për shkak të librave që mungojnë. Shkollave tona u mungojnë shumë gjëra elementare të tjera, por sikur jemi mësuar të jetojmë me shumë mungesa, prandaj veç që nxënësit shkojnë në shkollë dhe i mbajnë disa orë mësimi na duket fillim i mbarë. Si çdo vit shkollor edhe në këtë vit DKA-ja, gjegjësisht Drejtori i Zyrës z. Agim Shkodra ka bërë shkelje të rënda gjatë ndarjes së orëve mësimore duke i favorizuar mësimdhënësit në bazë të bindjeve politike, duke mos respektuar asnjë rregull ligjor dhe asnjë vendim të inspektoratit regjional të arsimit. DKA-së i bëjmë thirrje që të ndalojë shkeljet e ligjit dhe të mos i diferencojë mësimdhënësit politikisht, siç ka vepruar gjatë gjithë  këtij mandati. Edhe këtë vit drejtori aktual ka lënë pa orë mësimore mësimdhënës me përvojë shumëvjeçare, me shkollim adekuat, kontrata me afat të pa caktuar – të përhershme, me licencë për mësimdhënie dhe me shumë orë trajnim për metoda të avancuara për mësimdhënie. Ndërkohë  ka marr mësimdhënës pa pasur konkurs, pa licenca dhe pa përvojë, kështu duke mos respektua asnjë ligj. DKA-në por edhe Kryetarin Sinani e ftojmë të bëhen të përgjegjshëm duke respektuar vendimet e inspektorëve regjional sepse sado që vonohet trajtimi i lëndëve në gjykata, palët do të fitojnë ndaj vendimeve tuaja të paligjshme. Ata janë në të drejtën e tyre dhe ju pastaj detyroheni edhe t‘i dëmshpërbleni duke dëmtuar buxhetin e komunës. Këto vendime vërtetë do të ju befasojnë vitin e ardhshëm kur buxheti i komunës për investime kapitale planifikohet të jetë edhe për tri herë më i vogël se i këtij viti. Ftojmë Sindikatën Komunale të Arsimit të shqyrtoj gjendjen e punëtorëve arsimor dhe procesit të mësimdhënies në përgjithësi duke ngritur zërin ndaj vendimeve të paligjshme dhe papërgjegjësisë së drejtuesve të institucioneve komunale. Mos lejoni të ju befasojnë edhe juve personalisht! Juve prindërve dhe qytetarëve të tjerë ju ftojmë të mos befasoheni kur të dëgjoni se akoma nuk janë siguruar drutë për ngrohje nëpër shkolla apo edhe se ato do të paguhen shumë më shtrenjtë se sa çmimi i tregut me pakicë. Lëvizja VETEVENDOSJE! Qendra në Dardanë, me rastin e fillimit të vitit shkollor uron për sukses të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit e komunës tonë. Ndërsa vogëlushëve të klasave të para u urojmë të gjejnë edhe në shkollë dashurinë dhe përkëdheljen prindërore!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera