Në përkrahje të protestës së 1 shtatorit

31 Aug 2016
Po bëhen gati dy dekada prej kur Kosova u çlirua nga pushtuesi serb, dhe në vend se Kosova të zhvillohej dhe të ofronte mirëqenie, punë dhe zhvillim për qytetarët e saj, ka ndodhur e kundërta: Kosova është shkatërruar dhe varfëruar nga viti në vit. Politikanët dhe njerëzit e nëntokës janë pasuruar tej mase, dhe e tëra kjo në kurriz të njerëzve të varfër, pra mbi kurriz të shumicës. Ky pasurim i shpejt dhe i paligjshëm ka ndodhur kryesisht përmes privatizimit dhe partizimit të bordeve publike të ndërmarrjeve fitimprurëse, fitim ky cili është përdorur nga klani Pronto dhe shërbëtorët e tij për mirëmbajtjen e kësaj gjendjeje, ku sundon klani Pronto.  Publikimi i përgjimeve të fundit nga afera “Dosja e Shefave” e konfirmon më së miri këtë. Pra, ato që secili prej nesh i ka ditur, tani janë të faktuara. Kjo gjendje nuk do të ndryshojë nëse presim që gjyqësori apo policia do të bëjnë diçka në këtë drejtim, meqë siç kemi mundur të dëgjojmë nga përgjimet e fundit, këto dy institucione janë të kapura nga klani Pronto. Faktikisht klani Pronto ka kapur çdo institucion dhe mënyra e vetme për të çliruar nga ky klan mafioz është duke protestuar masivisht deri në rrëzimin e kësaj qeverie dhe shkuarjen në zgjedhje të lira. Alternativa qeverisëse e Lëvizjes VETËVENDOSJE! garanton që ta çlirojë dhe forcojë gjyqësorin, në mënyrë që ky i fundit të veprojë lirshëm dhe përfundimisht t’i vë pas grilave të gjithë akterët e klanit Pronto, si dhe të tjerët që e kanë dëmtuar Kosovën dhe interesat e qytetarëve të saj për afro gati dy dekada. Tani meqë ky klan mafioz dhe akterët e tij nuk kanë më çfarë të privatizojnë, me çka të korruptojnë, kanë filluar të bëjnë tregti me tokën e Kosovës. Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi e nënshkruar para një viti e dëshmon këtë më së miri. Këmbëngulësia e këtij klani dhe e kësaj qeverie PDK-LDK për ta aprovuar këtë marrëveshje tregon qartë që njerëzve të këtyre dy subjekteve politike dikush ua ka zënë bishtin me derë dhe nuk iu ka mbetur gjë tjetër në këmbim të pushtetit veçse falja e tokës së Kosovës. Secili debat publik i deritanishëm është i fituar nga ekspertët e pavarur si dhe nga kundërshtarët e këtij demarkacioni që po na servon ky klan dhe ky pushtet mafioz. Për më tepër, mbi 205 mijë qytetarë përmes peticionit të vitit të kaluar i kanë thënë jo këtij demarkacioni. Pra edhe sikur kundërshtarët e demarkacionit të ishin gabim, do duhej të dëgjohej zëri i këtyre 205 mijë qytetarëve dhe të formohej një  komision i ri me përfaqësim nga të gjitha palët, në mënyrë që të bëhej demarkacioni nga fillimi dhe me përfshirjen e të gjithëve. Ne i ftojmë të gjithë të gjithë qytetarët e Kosovës, duke e përfshirë edhe diasporën që ta dalin masivisht  në protestën e 1 shtatorit dhe t’ia bëjnë me dije kësaj qeveria mafioze që demarkacioni me Malin e Zi nuk kalon! Kjo tradhëti kombëtare nuk duhet të kalojë dhe kjo qeveri mafioze duhet të shkojë! Lëvizja VETËVENDOSJE! - Qendra Belgjikë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera