Britani e Madhe: 1 shtatori – dita kur qytetarët duhet të mbrojnë tokën e Kosovës

31 Aug 2016
Qëndra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Britani, ka ndjekur me shqetësim zhvillimet politike në Kosovë dhe ka konsideruar me kohë si shumë të dëmshëm nënshkrimin e dy marrëveshjeve, atë të Demarkacionit dhe të Asociacionit/Bashkësisësë së Komunave Serbe. Kur një qeveri i shmanget për 1 vit përballjes me kritikët e marrëveshjes, dhe zgjedh burgosjet përpara dialogut, ajo tregon më shumë se arrogancën tipike të pushtetit. Tryeza e ekspertëve e 3 gushtit tregoi pikërisht këtë gjë. Ajo vërtetoi poashtu se ekspertët e huaj të zgjedhur nga Thaçi – një përpjekje qesharake për pafajësi ku i akuzuari zgjodhi gjykatësit e çështjes së tij – ishin asgjë më shumë se një tentativë për të mbuluar gabimin. Është gjithashtu për të ardhur keq se si disa qarqe politike dhe mediatike e portretizojnë kundërshtimin e ratifikimit të marrëveshjes si një veprim anti-përendimor. Nuk ka dyshim se ne jemi për një miqësi të fortë, të sinqertë, dhe jetëgjatë me Perëndimin, por miqësia e vërtetë nuk e ndalon kurrsesi të drejtën e gjykimit të pavarur, të vetëvendosjes. Dhe pavarësisht mbështetjes së marrëveshjeve nga disa ndërkombëtarë, nuk kanë munguar as deklaratat e selive diplomatike se miqësia me Perëndimin nuk varet nga ratifikimi ose jo i Demarkacionit. Ndërsa kushtëzimi i liberalizimit të vizave me ratifikimin e këtij versioni të marrëveshjes është kushtëzim i papranueshëm, por fatmirësisht i papërfillshëm në krahasim me ruajtjen e integritetit territorial. Dyshja qeverisëse Thaçi-Mustafa e ka dëshmuar përtej çdo dyshimi filozofinë e tyre qeverisëse primitive e provinciale, duke filluar nga marrëveshja e jashtëligjshme e ndarjes së pushteteve dhe bordeve drejtuese në bazë partiake, më tej marrëveshja antikushtetuese e bashkësisë së komunave Serbe dhe deri te skandalet telefonike të zbardhura javëve të fundit. Në pamundësi për të pranuar fajin, pushteti po përpiqet ta ratifikojë marrëveshjen. Në një situatë të tillë s’ka rrugëdalje tjetër përpos rritjes së presionit popullor me anë të protestave. Shpresojmë që asnjë arsye apo justifikim të mos ju ndalojë nga pjesëmarrja në protestën historike të 1 Shtatorit. Kjo është dita kur secili nga ne, me prezencën tonë në sheshet e Prishtinës, e ruajmë tokën tonë. Kosova nuk ka tokë për të falur! Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Britani e Madhe

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera