Shtime: Raport qesharak mbi dëmet e vërshimeve

30 Apr 2016
  Gjatë janarit në Shtime ishte gjendje alarmante nga vërshimet. Shkrirja e borës dhe shiu i pandërprerë, bënë që uji ta vërshojë gjithë rajonin, duke shkaktuar dëme materiale te qytetarët. Kishte edhe raste të evakuimit të disa familjeve nëpër shkolla, uji në tërë komunën e Shtimes u ndërpre, probleme pati edhe me kanalizimet, etj. Atë kohë komuna vendosi ta formojë Komisionin Komunal për vlerësimin e dëmeve i cili doli në teren për të vlerësuar dëmet e shkaktuara. Por befasia që na solli prapë ky pushtet ndodhi të premten më 29.03.2016 gjatë seancës së rregullt të Kuvendit. Në materialet për kuvend thuhej se do kishte një informatë nga drejtoria për vërshimet e ndodhura. Raporti që prisnim të jetë voluminoz për shkak te një gjendje alarmante që ishte nga vërshimet, doli të jetë vetëm njëfaqësh, ku përmbante vetëm emrat e anëtarëve dhe pak rreshta me emrat e fshatrave dhe disa shifra. Për më shumë, drejtoria përkatëse edhe gojarisht nuk tha asgjë duke u mjaftuar vetëm me disa fjalë para Kuvendit. Lëvizja VETEVENDOSJE! e pakënaqur me këtë raport joserioz, reagoi përmes asamblistëve të saj duke kritikuar këtë neglizhencë dhe duke kërkuar që kjo pike të shtyhet në mbledhjen e radhës dhe të vihet me një raport më të gjerë dhe më serioz. Pasi kjo nuk u mor parasysh nga kuvendi, asamblistët e Lëvizjes VETEVENDOSJE! vendosen ta lëshojnë sallën duke mos qenë pjesë e një diskutimi bosh. Me asamblistët tanë u bashkua edhe një pjesë e opozitës si shenjë pakënaqësie ndaj asaj çfarë zhvillohej aty. Këtu kuptojmë që kjo komunë nuk ka marrë aspak seriozisht gjithë atë çfarë kanë përjetuar qytetarët nga vërshimet, pasi nga raportet e tyre dukej sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Lëvizja VETEVENDOSJE! qendra në Shtime edhe më herët ka kërkuar formimin e një ‘Fondi Emergjent’ për raste të tilla, ku kjo nuk është marrë parasysh nga pushteti aktual. Mos serioziteti i këtyre krerëve komunal rreth rrezikut nga vërshimet të frikëson,ku pas gjithë atyre vërshimeve që ndodhën në komunën tonë, raportet e tyre janë qesharake dhe ofendojnë përveç asamblistët edhe gjithë qytetarët e Komunës së Shtimes.     3 maj 2016 Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Shtime

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera