Kastriot: Të rritet angazhimi, jo numri i drejtorive

18 Apr 2016
Qendra e Lëvizjes VETEVENDOSJE! në Kastriot me shqetësim po e përcjellë situatën e krijuar si rezultat i dështimeve të njëpasnjëshme të Komunës së Kastriotit. Ne si Qendër e Lëvizjes VETEVENDOSJE! edhe në Kuvendin Komunal, por edhe jashtë tij, në vazhdimësi i kemi tërhequr vërejtjen kryetarit Xhafer Gashi për dështimet në mbajtjen e premtimeve që kishte dhënë për ambientin, për largimin e deponive, për depolitizimin e arsimit, për punësimin dhe për transparencën. Por, pavarësisht angazhimeve tona dhe shqetësimeve të artikuluara, Kryetari Xhafer Gashi e ka vazhduar degradimin e qeverisjes dhe thellimin e krizës. Praktikën e qeverive me numër të madh të drejtorive, si praktik të dështuar tashmë në Kosovë, Kryetari Xhefer Gashi dëshiron ta procedojë edhe në Kastriot. Xhafer Gashi po përpiqet që numrin prej 9 drejtorive sa është aktualisht ta rritë në 11 drejtori që tejkalon mundësitë për një komunë të vogël dhe të varfër siç është komuna e Kastriotit. Për Qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kastriot, është e papranueshme dhe antiligjore mënyra se si po procedohen këto ndryshime. Duke marrë parasysh se po shkelet statuti aktual i Komunës së Kastriotit, përkatësisht neni 21 i Kapitullit të I dhe neni 28 i Kapitullit të II. Përveç kësaj, Drejtori i Administratës z.Naim Miftari në mënyrë autoritare pa pyetur fare anëtarët e “Komisionit për ndryshim dhe plotësimin e statutit komunal” e ka vendosur në diskutim publik (pa e publikuar as në ueb-faqen zyrtare të Komunës dhe pa i kryer procedurat e nevojshme) duke e sjellë edhe në mbledhjen e Komitetit për Politikë e Financa këtë çështje ku për fat të mirë nuk e patën kuorumin e nevojshëm për ta futur si pikë të rendit të ditës. Lëvizja VETEVENDOSJE! është kundër rritjes së numrit të drejtorive. Dhe kundër praktikave antiligjore të të bërit politikë publike. Ne jemi kundër shpenzimeve të pa nevojshme për administratë dhe kundër lluksit qeveritarë. Ne propozojmë që të ketë një ristrukturim të drejtorive, por në asnjë rast rritje të numrit të drejtorive. Komuna jonë ka mjaftueshëm drejtori, duke e krahasuar edhe me komunat që kanë madhësi dhe strukturë të njëjtë. Buxheti i varfër i Komunës së Kastriotit prej 5,226,546 Euro, prej të cilave 70% shkojnë në paga e mëditje ndërsa 21% në investimet kapitale, me rritjen e numrit të drejtorive dhe stafit të drejtorive do të zvogëlohet edhe më shumë. Ne do t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore për t'i ndalur këto praktika jo-transparente dhe në dëm të interesit publikë të Komunës së Kastriotit.       18 prill 2016 Lëvizja VETEVENDOSJE! – Qendra në Kastriot 

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera