Pejë: Reagim për vërshimet e sotme

07 Mar 2016
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Pejë po ndjek me shqetësim situatën e krijuar nga vërshimet në qytetin e Pejës. Përveç degradimeve të vazhdueshme që ky pushtet po i bënë qytetit tonë në ekonomi, në shëndetësi, në arsim e secilin segment shoqëror, sot qyteti u përmbyt edhe nga shiu si pasojë e keqmenaxhimit të kanaleve të ujerave, e në veçanti të kanalit Qokulica. Qeverisja e Komunës së Pejës nuk ka ndërmarrë asnjë masë për ta parandaluar këtë problem që e shoqëron qytetin e Pejës gjithmonë në kohë shirash, madje edhe sot kur vërshimet kanë ndodhur reagimi i tyre ishte i vonuar dhe qytetarët u vetorganizuan për t'u përballur me vërshime. Kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri dhe drejtorët komunal ditë më parë kanë deklaruar që problem i vjetër i qytetit të Pejës me vërshime është zgjidhur si rezultat i qeverisjes së tyre. Por përmbytjet nuk evitohen me deklarata. Si ka mundësi që për gjendjen e krijuar nga vërshimet në qytetin e Pejës, më pare të reagojë Komuna e Prishtinës, sesa qeverisja komunale e qytetit të Pejës? Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Pejë fton udhëheqësinë komunale që të solidarizohen me qytetarët dhe të ndihmojnë në tejkalimin e gjendjes së krijuar nga këto vërshimet. 7 mars 2016 Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Pejë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera