Gjilan: Komuna e painteresuar për sektorin e sportit

29 Jan 2016
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan mbajti sot konferencë për media ku u fol për problemet e shumta në sektorin e sportit në këtë Komunë, me të cilat ballafaqohen çdo ditë sportistët e Gjilanit. Nehat Osmani, nga Nënkomiteti për Sport i VETËVENDOSJE!-s, tha se Komuna e Gjilanit, duke qenë unike në antivlera dhe kontraverze në ide, ka krijuar një boshllëk dhe hendek të pakthyeshëm sidomos me pjesën më vitale të popullsisë, rininë, të përfaqësuar përmes sportit dhe sportistëve të saj. “Dëshira e madhe për të qenë e dalluar, ka bërë që Komuna jonë e vetmja të shuaj dhe të mos ketë Drejtori për Rini, Sport e Kulturë. Dëshira e madhe për t’u dalluar ka bërë që edhe në këtë fundvit të mos zhvillohet ceremonia e zgjedhjes së sportistëve, klubeve dhe punëtorëve sportiv të vitit, si një vlerë prestigji dhe një shtysë afirmative drejt lavdisë e sukseseve edhe më të mëdha. Çdo përpjekje për të improvizuar ndonjë datë tjetër është degraduese, është konfuze në referencë me periudhat kohore dhe nuk përkon me qëllimin dhe arsyshmërinë finale”, tha Osmani. Ai theksoi se Komunës së Gjilanit mungon një Strategji Zhvillimore Infrastrukturore e Sportit për të Ardhmen, si një bazë dhe udhërrëfyes për strategjinë e një Gjilani të Ri dhe me një vizion të një qyteti modern i ndërtuar mbi një infrastrukturë të planifikuar dhe urbane. “Në këtë kontekst edhe premtimet investuese në renovimin e Stadiumit të Qytetit me një shumë të konsidereshme prej 598.000 € nga Ministria, vë në dyshim arsyeshmërinë e derdhjes së mjeteve kaq të mëdha financiare për një objekt që tanimë është jashtëfunksional për shkak të infrastrukturës rrethuese ngulfatëse, e lëre më pas 5 apo 10 viteve e më shumë kur do jetë e pamundur qasja fizike dhe logjistike e një numri kaq të madh të tifozëve të dy klubeve tona me renome. Një strategji vizionare e zhvillimit të qytetit me një stadium të ri në pjesët periferike të qytetit, me një infrastrukturë paraprake rrugore të qasjes së gjithanshme do hapte perspektiva zhvillimore jo vetëm të sportit por edhe të qytetit në përgjithësi si dhe do ngriste kapacitete biznesore të qytetarëve të saj. Do kishte koston e saj por do ia vlente ashtu sikur do ia vlen ndërtimi i palestrës sportive në Zhegër, që do ketë një rëndësi jetike për zhvillimin e jetës kulturore dhe sportive për qytetarët e asaj treve”, shtoi Osmani. Megjithë zotimeve paraprake, nuk janë ofruar Raporte për gjendjen financiare të klubeve sportive në Komunën e Gjilanit, e sidomos për mjetet e alokuara nga buxheti i komunës si dhe mënyra e shfrytëzimit të tyre edhe përkundër premtimeve se një gjë e tillë do përcillet me përpikëri. Nuk ka raporte për gjendjen e fushave sportive në Gjilan, e as për shfrytëzimin e palestrës kryesore. Arbër Sylejmani, portier i Klubit të Hendbollit “Drita” dhe ish reprezentues i Kosovës, tha se prej se ekziston palestra e sportive në Gjilan, qe 37 vjet, shumë pushtete janë ndërruar por që asnjë deri më tani nuk ka ndërmarrë diçka për të rregulluar sistemin e ngrohjes në këtë sallë. “Nuk mund asnjë pushtet, e aq më pake dhe ky të justifikohen se nuk ka mjete buxhetore për të investuar në sistemin e ngrohjes. Këtu thjeshtë mungon vullneti dhe vizioni për këtë sferë të jetës shoqërore. Shumica e klubeve për shkak të mungesës ngrohjes janë të detyruar që t’i ndërprenë stërvitjet për një kohë të caktuar, me shpresë se ndoshta në ditët në vijim moti do të jetë më i mirë. Natyra e sporteve të brendshme është më shumë e fokusuar gjatë stinës së dimrit. Derisa ne kemi telashe për shkak të nxehjes të shtyjmë edhe kalendarin sportiv. Shumë klube kanë edhe shkollat tyre për të rinj, mirëpo në këso rrethanash edhe ata janë të detyruar që gjatë motit të ftoftë t’i pezullojnë të gjitha aktivitete e tyre”, tha Sylejmani, duke shtuar se tashmë thuajse secila palestër në Kosovë ka sistem të ngrohjes, përveç kësaj në Gjilan.       29 janar 2016 Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Gjilan

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera