Dënojmë rëndë ngacmimin seksual të zyrtarit komunal dhe gjuhën primitive të kryetarit Rugova

12 Jan 2016
Sot, në mediat online, u publikua një lajm për një ngacmim seksual të datës 6 janar të këtij viti, në të cilin përfshihet një zyrtar i Drejtorisë së Arsimit në Istog, si dhe militant i LDK-së, Xhevdet Zekaj. Ky zyrtar ka ngacmuar seksualisht një studente e cila kishte shkuar për aplikim për bursë në zyrat e komunës së Istogut. Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Istog, dënon  këtë vepër penale nga ana  e zyrtarit komunal Xhevdet Zekaj, dhe fton institucionet e rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj tij. Poashtu, shprehim shqetësimin tonë në lidhje me reagimin e Kryetarit të Komunës, Haki Rugova, në lidhje me këtë rast, i cili konsideron se “ky problem nuk është skandaloz” dhe thërret për “mirëkuptimin e studentes dhe të familjes së sa dinjitoze”, në vend që të ndërmarrë masa të menjëhershme ndaj këtij zyrtari, i cili është edhe militant e funksionarë në LDK. Ky akt i rëndë i zyrtarit komunal Zekaj, si dhe gjuha shpërfillëse e fyese kryetarit Rugova, janë shembuj që tregojnë për mentalitetin patriarkal dhe primitiv, që i karakterizon jo vetëm këta dy individë, por që është frymë mbizotëruese në qeverisjen e komunës së Istogut. Prandaj, një qeverisje e tillë, që përveçse nuk bën asgjë për të ngritur mirëqenien e qytetarit, por individë të saj përfshihen edhe në akte të tilla penale, duhet të shkojë sa më shpejtë. Qytetarët duhet të jenë të gjithë të barabartë, pavarësisht gjitha dallimeve, prandaj atyre iu duhet qeverisje ndryshe nga kjo që është, një qeveri që angazhohet për barazi gjinore dhe sociale. 12 janar 2016 VETËVENDOSJE! - Istog

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera