Ferizaj: Raporti nëntëmujor i DKA-së tregon arsimi vazhdon të degradohet

14 Nov 2015
Në kuadër të përcjelljes së rrjedhave në fushën e arsimit dhe edukimit në Komunën tonë, Nënkomiteti për Arsim i Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Ferizaj ka analizuar raportin e punës nëntëmujore të DKA-së të paraqitur gjatë kësaj jave. Me këtë rast është evidentua se:
  • Gjendja e rëndë e trashëguar e arsimit dhe edukimit nga qeverisja e kaluar pa dilemë që është e njohur për opinionin e sidomos për opinionin arsimor, por fatkeqësisht trendi degradues po vazhdon në formë eksponenciale në dëm të kësaj fushe shumë të ndjeshme shoqërore. Mentaliteti i krijimit dhe mbajtjes së klientelës , në këtë rast me punonjës arsimor sikur është trashëguar edhe modeli qeverisës fatkeqësisht edhe në dëm të arsimit dhe edukimit;
  • Në çfarë derexhe e kanë sjellë arsimin, dëshmon edhe fakti që shlyerjen e borxheve që si të tilla paraqesin shkelje ligji dhe njëkohësisht janë obligime ligjore, mundohen t’ia shesin opinionit si rezultate dhe të arritura;
  • Pasaktësia dhe jo parimësia e kësaj qeverisje është praktikë edhe e fjalorit të tyre , dëshmohet edhe në raportimin e Drejtorit të DKA-së z. Halili, i cili nuk jep numrin e saktë përpos numrit mbi 200 mësimdhënës të cilëve ju kishin borxh;
  • Sa i përket projekteve kapitale infrastrukturore të DKA-së, përpos objektit të shkollës ekonomike si projekt kapital i premtuar qysh nga qeverisja e kaluar, i tërë leximi i projekteve tjera përfundon me projekte minore të rregullimit dhe rirregullimit të rrethojave dhe ngrohjeve qendrore të shkollave, që vijnë si pasojë e dështimit të shumë projekteve nga qeverisja korruptive 15 vjeçare që synim kryesor kishte alokimin e mjeteve financiare dhe zhvatjen e tyre.
Raportimin për nëntëmujorin e kaluar të DKA-së që merret me përshkrim të shlyerje borxhesh të trashëguara të cilat janë obligime të domosdoshme ligjore dhe lexim të projekteve infrastrukturore të cilat nuk flasin askund dhe asnjë herë për mbikëqyrje dhe cilësi në implementim, ne i vlerësojmë si keqmenaxhim dhe shmangie përballë sfidave të krijuara nga vetë mënyra qeverisëse. Se ky model qeverisës nxjerrë në raport vetëm dy sfida, siç na qenka numri i madhi i maturantëve dhe sigurimi i disa kabineteve, kjo është dëshmia më fortë e mospasjes së objektivave qeverisëse për arsim cilësor dhe shmangia nga sfidat e krijuara vetë që gjithnjë e më shumë po e rëndojnë procesin mësimor. Sfidat problemore të krijuara me shkelje ligjore dhe rrënim të vlerave morale arsimore dhe profesionale që janë bërë përditshmëri e sistemit publik arsimor nuk janë më të panjohura si:
  • Punësimi në mësimdhënie me favore nepotiste, klanore e partiake pa respektuar as ligjet as vlerat arsimore e profesionale;
  • Angazhim në mësimdhënie jashtë rregullave të konkursit dhe ndarje të një norme pune edhe në katër mësimdhënës krejtësisht me qëllim të rehatimit klientelist;
  • Regjistrimin dhe rritjen e numrit të nxënësve në paralele ku nëpër disa shkolla ka kaluar numrin 50, pa respektuar as një normativ shkollor dhe jashtë kritereve të testit të semimaturës. E nga ana tjetër denigrimin e vlerave të disa shkollave profesionale dhe zvogëlimin e numrit të nxënësve nëpër ato shkolla;
  • Vetëm në dymujorin e parë humbje të qindra orëve mësimore, dhe me mijëra mungesa të nxënësve vetëm brenda një shkolle;
  • Ambiente të papastra brenda dhe për rreth shkollave;
  • Rritje të dukurive negative brenda dhe rreth ambienteve shkollore;
  • Heshtja dhe indiferenca e krerëve komunal para aferave të drejtorëve që abuzuan parat e ekskursionit të maturantëve për gjepat e tyre, s’do mend që kjo heshtje edhe para fakteve publike zbërthen çështjen e zhytjes së krerëve qeverisës në këtë biznes të kahershëm.
Sfidat dhe problematikat e lartcekura po vazhdojnë t’i rrinë në qafë sistemit arsimor të komunës sonë dhe cilësia arsimore natyrisht se humbë kuptimin dhe objektivën e saj. Duke i mbajtur përgjegjës këtë kastë politike ne si subjekt opozitar ftojmë kreun e Komunës z.Sfarqa që t’i jap fund qeverisjes me mentalitet të pashallarëve mbi asetet e vlerave publike sepse arsimi edhe në ditë më të vështira është dëshmuar me sakrificë e qëndresë , andaj edhe meriton trajtim më të dinjitetshëm.     14 nëntor 2015 Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Ferizaj    

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera