Viti: Asnjë përmirësim në mënyrën e qeverisjes, përkundrazi

30 Oct 2015
Kur po bëhen gati dy vjet që Sokol Haliti ka marrë pushtetin komunal në Viti, degradimi i qeverisjes së tij ka marrë përmasa shqetësuese. Në vend të rezultateve konkrete në përmirësimin e kushteve të qytetarëve të Vitisë dhe kthimit të shpresës, Sokol Haliti gjithnjë e më shumë po shton zhgënjimin dhe po dëshmon mungesën e vizionit dhe ndjeshmërisë ndaj nevojave reale të qytetarëve. Dështimi i tij në ofrimin e zgjidhjeve, tashmë po vërehet në të gjitha fushat. Pavarësisht përpjekjeve që me arrogancë propagandistike dhe nëpërmjet fotografive, këto dështime nuk mund të mbulohen. Në vend të adresimit të nevojave reale të qytetarëve, qeverisja aktuale komunale është vënë në shërbim të grupeve të interesit dhe klaneve partiake. Fatkeqësisht, pothuajse në të gjitha fushat, problemet kanë mbetur të njëjta, madje në shumë prej tyre kemi edhe përkeqësime. Po rendisim vetëm disa nga fushat që konsiderojmë që pasqyrojnë mënyrën se si po degradohet qeverisja e Komunës së Vitisë: - Përkeqësim, shkelje të ligjit dhe procedurave dhe politizim të skajshëm të arsimit. Obligimi ligjor për kontrata të përhershme për arsimtarët, vazhdon të keqpërdoret për qëllime të ulëta politike; - Qytetarët e Vitisë edhe për shërbime elementare detyrohen të drejtohen për në Gjilan. Nuk ka përmirësim të shërbimeve dhe sërish mungojnë edhe barnat më elementare; - Bujqësia vazhdon të injorohet tërësisht dhe nuk ka asnjë përpjekje për të ndihmuar bujqit e Vitisë. Se sa është real ndikimi në qendër i proklamuar nga Sokol Haliti, më së shumti mund të vërehen në këtë sektor, ku bujqit e Vitisë, përkundër që e merituan dhe i plotësuar kushtet, pothuajse nuk përfituan mbështetje nga qendra, pothuajse në asnjë projekt serioz; - Dështimin në menaxhimin financiar, tashmë e ka konfirmuar edhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm; - Vazhdon dhënia e kontratave pothuajse vetëm për militant partiak apo financues të fushatës së partisë. Në disa raste ka dyshime edhe për konflikt interesi; - Në përpjekje për të mbuluar dështimin e realizimit të premtimeve pa mbulesë, komuna ka filluar një numër të projekteve gjysmake, me cilësi të ulët dhe jashtë çdo standardi profesional. Vonesat në realizim të punimeve, madje edhe vetëm për të pritur shkrepjen e fotografive janë evidente; - Vazhdon të ketë drejtor që ushtrojnë funksione që sipas ligjit mund të cilësohen konflikt i drejtpërdrejt i interesit, apo që emërohen të kryejnë detyra që sipas ligjit duhet të ushtrohen nga shërbyes civil; - Nuk ka asnjë përmirësim në ofrimin e shërbimeve nga Komuna. Këto janë vetëm disa nga dështimet e qeverisjes aktuale, koston e së cilës po e paguajnë qytetarët e Vitisë. Ndërsa premtimet e shumta, si në rastin e Palestrës sportive, duket që tashmë janë harruar. Qytetarëve të Vitisë iu duhet zgjidhje, jo improvizime. Lëvizja VETËVENDOSJE! qendra në Viti i bënë sërish thirrje Sokol Halitit dhe ekipit të tij që të rishikojë qeverisjen dhe të ndalin degradimin e të punojnë që Komuna kthehet në shërbim të të gjithë qytetarëve, të ofrojë shërbime të shpejta dhe cilësore, dhe të jetë ne funksion të kushteve për zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Dy vite të humbura janë shumë, por do të ishte më keq që të humbim edhe vitet në vazhdim. Lëvizja VETËVENDOSJE! qendra në Viti do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje të gjitha zhvillimet në Viti dhe do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët e terren për të ngritur bashkërisht zërin sa herë që e kërkon interesi i përgjithshëm i Vitisë.     30 tetor 2015 Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Viti

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera