Skenderaj: Reagim ndaj aksionit të Komunës

12 Oct 2015
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Skenderaj reagon ashpër ndaj veprimeve të fundit që ka bërë pushteti në Komunë. Të rrethosh disa familje me dhjetëra policë dhe të fillosh rrënimin e katit përdhes duke qenë i vetëdijshëm se na katin e dytë janë banorët, kjo nuk do koment. Tentimin që me metoda të tilla të detyrohen banorët që të dalin nga shtëpitë e tyre, tregon për logjikën e dhunshme dhe totalitare që ka ky pushtet. Fillimi i rrënimit dhe tërheqja më vonë, tregon se Komuna nuk i kishte shteruar të gjitha mundësitë që kjo çështje të zgjidhej në konsensus me banorët, por kishte dërguar policinë që t’i shantazhojë ata në mënyrë që me dhunë t’i detyrojë banorët t’i pranojnë kushtet e saj. Rasti i banorëve në fjalë është i njëjtë me rastin e këngëtares Leonora Jakupi. Asaj iu dha mundësia që të ndërtojë pallat. Ndërsa banorët në fjalë, nuk po kërkojnë pallate, por duan që pronat e tyre t’iu kompensohen në mënyrë të drejtë, e ajo çka iu ka ofruar Komuna është më pak sesa që ata kanë aktualisht. Është për t’u befasuar se si Komunën nuk po e pengojnë ndërtesat e ish-komandantëve, tani deputetë të cilët ka raste që e kanë tejkaluar për katër kate lejen e ndërtimit mu në sheshin “Adem Jashari”. Të mos flasim për vendimet ad hoc që ka marrë Komuna në vazhdimësi, duke treguar qartë se nuk ka një plan konkret, por vendime që shkojnë çdo herë në interes të disa firmave ndërtimore si “Rrukolli” e “Doni” që janë shumë të afërta me kryetarin Lushtaku. Pra, çështja e rregullimit urban është shndërruar në çështje tenderi se ku ju konvenon këtyre kompanive të cilat biznesin e kanë të përbashkët me kryetarin Lushtaku. Rasti me eklatant ka të bëjë me tregun e qytetit, i cili iu dha firmës “Doni”, ndërsa pronari i vërtetë i cili e menaxhon tregun është djali i vëllait të Sami Lushtakut. Ne, përkrahim çdo iniciativë që shkon në të mirën e qytetit, por kundërshtojmë ashpër privatizimin e komunës dhe nxjerrjen e vendimeve që shkojnë në favor të klaneve. Kundërshtojmë ashpër trajtimin e qytetarëve me standarde të dyfishta. Për Lëvizjen VETEVENDOSJE, nuk ka qytetarë të dorës së parë dhe të dorës së dytë, ka vetëm qytetarë dhe të gjithë ata duhet trajtuar në mënyrë të barabartë.   12 tetor 2015 Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Skenderaj

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera