Ferizaj: Abuzim me paratë e nxënësve

09 Oct 2015
Shqetësimet e ngritura edhe më herët për sferën e arsimit dhe edukimit në Komunën e Ferizajt fatkeqësisht janë injoruar dhe kjo qeverisje aktuale nuk ka të ndalur nga logjika dhe qasja e mbrapshtë e partizimit, nepotizmit, joprofesionalizmit me institucionet publike shkollore, si një vend ku mund të rehatohen njerëz apo klientë që nesër të llogarisin në makineri votuese. Se DKA nuk ka pasur plan dhe strategji përgatitore për fillimin e vitit shkollor, me padijen e saj apo me motive për të krijuar hapësirë manovrimi për punësim të parregullt, po e dëshmojnë edhe konkurset e shpallura tani në muajin tetor për të legjitimuar punësimet pa konkurs në fillim të vitit shkollor. Drejtori aktual mohonte punësimet pa konkurs, edhe atëherë kur këto ju argumentuan me fakte dhe emra të saktë punësimet familjare nëpër disa shkolla. I ndodhur nën trysninë e sugjerimit nga Zyra Rajonale e Inspektoriatit të Arsimit ai këtë fakt po e pranon në heshtje me shpalljen e konkurseve që tani më veç janë të gatuara, përderisa njerëzit janë në marrëdhënie pune. Ekskursionet kanë degjeneruar thellësisht, sepse janë shndërruar në aktivitete komerciale me ç’rast abuzohet me paratë e nxënësve dhe nuk ka mbetur në to asgjë edukative. E pakuptimtë dhe e dyshimtë mbetet mënyra e dhënies së tenderëve sepse kushtet nëpër të cilat kalojnë nxënësit dhe çmimin që paguajnë është në shpërputhje të plotë. Se në këtë biznes është e përfshirë vetë DKA-ja, dëshmon edhe fakti se njëra shkollat ishte nisur pa vendim udhëtimi të DKA-së, me gjasë nuk kishte pasur konsensus të destinacionit . Sipas dëshmisë së nxënësve për këtë arsye në kufi në Morinë autobusët presin në vend hiç më pak se 2 orë. I bëjmë thirrje prokurorisë që menjëherë të nisë hetimet, për shkak se ka të dhëna të mjaftueshme për abuzim me paratë e nxënësve. Çmimi që ka ofruar një nga qendrat pushuese për nxënës ka qenë 8 euro në ditë. Pra, për 5 ditë, 40 euro. Plus kësaj shpenzimit e udhëtimit me autobus, sipas neve nuk mund t’i afrohet shumës 90 euro që e kanë paguar nxënësit. 9 tetor 2015 Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Ferizaj Nënkomiteti për Arsim

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera